Heshtje që dhemb!

0

Mr. Kristjan Gj. Dukaj,

Gjendja e krijuar nga  Corona-virusi, ka shqetësuar mbarë njerëzimin, për fat të keq, me shifra gjithnjë e më tragjike.  Ndërkohë, të gjithë popujt e botës, tashmë, unik në një dëshirë të vetme që e gjithë kjo të ndalet sa më shpejtë dhe njerëzimi, sa më parë,  ti kthehet jetës normale. Sot, ditën e parë  nga fillimi i llogaritjes verore të kohës  që do të duhej të ishte moment gëzimi për të gjithë neve  në stinën e bukur të pranverës, jemi të përfshirë nga ankthi, frika e paniku se çfarë mund të sjellë e nesërmja!? Cili do të jetë bilanci i radhës nga pasojat e Covid-19, deri kurë e kështu me radhë.

Banorët në komunën e Tuzit, janë duke jetuar në karantinë; rrugë e sheshe bosh, shkolla, shitore e tregje të mbyllura, dalje dhe hyrje të bllokuara nga territori i komunës! Aktualisht,33 raste të vërtetuara me Covid-19 e që. Është e vështirë të përshkruash situatën e krijuar, të pakrahasueshme me pakë ditë më parë! Sa e ndryshme po aq shqetësuese për të gjithë banorët në territorin e Malësisë. Njëjtë sikur për të prekurit nga Covid-19, për të afërm, fqinj e të njohur, kolegë e të dashur, siç është jeta në Malësinë tonë; në shtëpi, kafe, rrugë e punë të përbashkët. Në traditën më të ndritur të Malësisë,  bashkërisht, në gëzime, dasma e  morte por që, për fat të keq, sot kjo duket si diçka e kamotshme aq të etur janë banorët në Malësi që çastet e tilla t’i ndajmë së bashku. Të përgëzojmë njëri tjetrin e, sidomos, dora e ngushëllimit aq e shenjtë në traditën tonë të lashtë. Sot, ajo mungon dhe vetëm ata që, për fat të keq, përjetojnë momente të tilla e dinë sa e vështirë është të jesh i vetëm, pa miq, të afërm dhe pa të njohur! Po rrugët, lagjet, oborret dhe shtëpitë tona? Qetësi e frikshme, në pritje se çfarë sjellë e nesërmja. Shkollat dhe oborret tona, nxënësit tonë, ajo gjallëri e madhe e përditshme, tollovia në komunikacion, vrapi i ëmbël i atyre që janë e ardhmja e vendit, por, sa më shumë që i kujtojmë aq më tepër na mungojnë. Po lutjet e besimtarëve në tempujt fetar aty ku, tradicionalisht, i janë përkushtuar Zotit duke kultivuar kështu traditën e lashtë fetare në territorin e komunës së Tuzit. Sot, prijësit fetarë të vetëm në celebrimin e lutjeve u drejtohen besimtarëve përmes ekranit televiziv.

Po, prodhuesit tonë? Ata, shikojmë tokat e veta të përgatitura për të mbjellat pranverore në pritje të ditëve më të qeta, edhe pse në kushte normale në këtë kohë ishim në pritje të prodhimeve të para nga tokat e tyre.

Gjithçka duket aq e largët. Madje edhe fqinji i parë sikur në skaj të botës! Edhe përqafimi i më të dashurve, vetëm se rrit mallin për njerëzit që duam. Por, ani! Malli rrit dashurinë dhe të shpresojmë se ajo do të afrojë më shumë njerëzit me njëri tjetrin!       

Prandaj, ky është momenti të kujtojmë mesazhin  “T’I GËZOHEMI JETËS”, të shkrimtarit të madh   A.S. Pushkin, në vitin 1827 pasi, edhe ai vetë, ndodhej në karantinë për shkak të kolerës :

“Më lejoni motra dhe vëllezër të dashur, bashkëqytetar dhe të gjithë bashkëvendës, që nga karantina të Ju uroj festën e madhe të pranverës!”

E gjitha do të ikë dhe gjithçka do të kalojë,

të gjitha brengat dhe panik mbrapa do i kemi   

sërish rruga e lëmuar do shkojë  

dhe kopshtet  përplot me lule do të jen

…………

…………

Dhe rreth sofrës festive     

le t’i gëzohemi jetës  të gjithë përsëri

i  Plotfuqishmi në këtë ditë

Copëza lumturie le të dërgojë në çdo shtëpi.

Tentova ta përmbyll këtë shkrim me këtë mesazh, në këtë kohë kur na duhet shpresa, dashuria dhe afrimi me njëri tjetrin. Në këtë kohë, kur duke përdorur mundësitë e teknologjisë që ka arritur njerëzimi, të dëgjojmë zërin e dashur dhe të afërt dhe të njohurve tonë, me të njëjtën dëshirë –“ të shihemi sa më parë” dhe ndoshta, gjithçka do të shohim më ndryshe, me sy dhe dashuri shumë më të thellë duke parë sa e rëndësishme është ajo në këto ditë të vështira. 

error: Të drejtat e rezervuara !!