Britania e ngelur në mes të rrugës

0

Johnson, BE dhe Ballkani

Shkruan:
Mr. Kristjan DUKAJ, politolog

Në vitin 1975, në Britaninë e madhe u mbajt një referendum për anëtarësimin e vendit të Komunitetit Ekonomik Evropian (EEC), i njohur më vonë si BE-ja. Rezultati i votimit ishte rreth 67% në favor të anëtarësimit të vendit në EEC (BE).

Disa dekada më vonë, elektorati i UK (shkurt për ‘United Kingdom’) përsëri adresoi çështjen më 23 qershor 2016, në një referendum mbi anëtarësimin e vendit. Ky referendum u organizua nga Parlamenti, i cili miratoi Aktin rreth Referendumit të Bashkimit Evropian 2015.

Rezultati i këtij referendumi të mbajtur në qershor të vitit 2016 ishte 51.9% në mbështetje të daljes nga Bashkimi  (17,410,742 vota) dhe 48.1% (16,141,241 vota) që të jenë pjesë e Bashkimit.

Britania e ngelur në mes të rrugës me “brexit”in e saj  ku votuesit i thanë ”po” (52%) që në vitn 2016 por që u ngatërruan hesapet politike me mossuksesin e tanimë të ish kryeministres Theresa May. Në këtë mënyrë erdhe deri tek mundësia e hapjes së  rrugës së shefit të konservatorëve që ta zëvendësoj bashkëpartiaken në 10 Downing Street. Ditë më parë, Boris Johnson, premtoi, apo më saktë, u zotua se me 31 tetor do të largohet nge BE pa asnjë akord. Natyrisht kjo nuk merret aq seriozisht nga disa qarqe dhe personalitete politike të cilët e konsiderojnë Johnson-in si njeri i fjalës “së lehtë”, joserioz por dhe si politikan që shumë shpesh thotë të pavërteta.

Si do që të jetë, Britania është tejet e sigurt se do të tërhiqet nga BE-ja dhe profecitë se kjo do të sjellë dëme të pamatura për palën britanike janë thjeshtë folklor politik pa ndonjë mbështetje të mirëfilltë në analiza ekonomike nga të dy anët e koncepteve në fjalë. Britania me krahët e sajë  mbulon një pjesë të madhe të botës kryesisht ish kolonitë (53 shtete Commonwealth) nuk lënë aspak dyshim se BE ka nevojë për Britaninë e jo e kundërta. Praktikisht në Europë, është edhe Gjermania ajo që mund të largohet pa pasur humbje serioze ekonomik edhe së fundi, janë edhe shtetet skandinave që nuk do të shqetësoheshin shumë me ndonjë “exit” eventual.

Është më se evidente se BE-ja çalon këtyre dhjetë viteve të fundit. Disa arsye shkaktuan dobësimin politik dhe ekonomik të saj. Europa nuk diti t’i trajtoj me arshin të njëjtë kandidatët për bashkëngjitje. Me pasaportë politike e jo me mundësi demokratike e ekonomike, vrapoi të pranoj shtetet e lindjes, shih këtu edhe Greqinë e cila më shumë kishte prirje për puçe ushtarake se për një pushtet demokratik. Shtetet e lindjes u pranuan vetëm për t’ia shkëputur Rusisë satelitët e kohës komuniste duke parë këtu një dobësim ekonomik e ushtarak të një superfuqie të cilës ia kishin frigën. Politika e këtillë e zgjerimit të BE, solli fuqizimin e “euro skeptikëve” dhe nuk është e pa themel, dukuria e largimit të disa shteteve por edhe forcimi i kundërshtimit për bashkëngjitje (psh: Zvicra).

Në fund, janë shtetet  me zhvillim të dobët ato që lusin “Bashkimin”. Ballkani në tërësi lakmon të bëhet pjesë e BE-së duke shpresuar në një të ardhme më të mirë. Kërkimet e fundit tregojnë që mbi 60% e banorëve të shteteve të Ballkanit, përkrahin fuqishëm anëtarësimin në Bashkimin Europian, duke e parë si të vetmen zgjidhje për një jetë sociale më të mirë. Vlerat e anëtarësimit padyshim që janë të mëdha dhe të lakmueshme, si dhe rritja e standardit të jetesës është pika kryesore e shteteve për anëtarësim. Se çfarë do të ndodhë me Ballkanin, është një udhëkryq që për momentin nuk po merr kahje, edhe pse shtetet e Ballkanit mundohen të punojnë në avancim duke ju përshtatur asaj që BE kërkon.

error: Të drejtat e rezervuara !!