Rinia e Malësisë e pakënaqur me vitin 2015

0

Shkruan: Kristjan Dukaj

Çdo fund vit ka kujtimet e veta të bukura dhe të këqija, por secili nga ne, ëndërron dhe shpreson që viti i ardhshëm do të jetë më i mirë dhe më i begatshëm në çdo fushë. Ndërrimi i moteve, për secilin prej nesh simbolizon një jetë të re me shpresë që ajo që po vjen, do jetë më e mirë se kjo që po lëmë pas. Dëshirat dhe ëndrrat nuk kanë fund, por secili nga ne, së paku ka një dëshirë për vitin e ardhshëm. Unë si student dhe si një i ri që jeton në këto hapësira, vendosa që të shkruaj këtë artikull, por këtë herë jo vetëm. Këtë herë vendosa që këtë artikull te shkruaj me rininë e Malësisë, me ata që janë e ardhmja e këtij vendi. Duke ditur që viti 2015 ka pasur të mirat dhe të këqijat e veta, vendosa të dal në teren dhe të bashkëbisedoj me disa të rinj dhe të reja, të ndëgjoj mendimet e tyre për vitin 2015 dhe çfarë presin ata nga viti 2016.

Lizë Lucgjonaj

Së pari fillova bisedën me Lizë Lucgjonaj, e cila është studente në Universitetin “Luigj Gurakuqi” dega gjuhë shqipe dhe letërsi. Ajo në pyetjen time se si ishte viti 2015 dhe çfarë pret nga viti 2016 përgjigjet:

“Viti 2015 për ne studentët ka qenë jo shumë i veçantë As këtë vit nuk u ndërmor asnjë hap në drejtim të përkrahjes së studentave, përveç përkrahjes nga diaspora. Studentet për këtë vit kanë qenë fare të harruar. As viti 2016 nuk mendoj se do të jetë ndryshe.”

Ermin Lulanaj

Ermin Lulanaj nga fshati Dinoshë, i cili para disa kohësh diplomoi në Universitetin “Donja Gorica” në Podgoricë shprehet:

“Për mua viti 2015 ka qenë një ndër vitet më të suksesshme deri më tani, nga vetë fakti që para disa kohësh kam diplomuar dhe jam avancuar që të përballem me sfidat e jetës. Sa i përket gjendjen në Malësi, si çdo vit. Formimi i partive të reja, ndarja e elektoratit, pritja e komunës së pavarur që 25 vjet dhe rritja e papunësisë, karakterizojnë problemet kryesore dhe aktuale në Malësi. Shpresoj që viti që po vjen do jetë më i mirë!”

Albert Bikaj

“Për mua personalisht, 2015 ka qenë viti i punës, fryt-dhanës, por gjithmonë ka hapësirë për përmirësime. Për gjendjen në Malësi.. nuk di çfarë me thanë,situata është e njëjtë, pak a shumë. Këtë vit është dekoruar qyteza pak a shumë, që mendoj se është një gjë e mirë. Statusi i komunës është avancuar, por nuk është ajo çfarë kërkoi populli i Malësisë. Problemet janë të shumta si në çdo vend tjetër, por shpresojmë që viti 2016 do të jetë më optimist.” –shprehet Albert Bikaj, student në marrëdhënie ndërkombëtare dhe diplomaci.

Një studente tjetër e cila kërkoi të jetë anonime shprehet “Unë si e re dhe si një person që mendon të jetoj në këtë vend, shpreson në përmirësimin e gjendjes aktuale. Mirëpo, ngjarjet e fundit po tregojnë që ne vetëm po shkojmë mbrapa. Mendoj që ndryshimi në politikë do të ishte një hap i madh, duke u nisur nga vetë fakti që politika vendos për shumë gjëra dhe duke ju “falënderuar” kësaj dukuri dhe atyre që na përfaqësojnë, ne po mbesim mbrapa.”

Mark Lulgjuraj

“ Viti 2015 për ne shqiptarët në Mal të Zi nuk ka qenë edhe aq i suksesshëm sepse çdo njeri ka dëshirë të jetë zot shtëpiet në shtëpinë e vet. Pra, edhe ne kemi dëshirë që të kemi një komunë të plotë, ashtu siç e meritojmë. Shpresoj që në vitin 2016 të rinjët do të vijnë në shprehje më lirshëm dhe do ndryshojmë atë që këta, përfaqësuesit tonë nuk mundën. Sepse këto janë disa gjëra themelore që ne duhet ti kemi, në mënyrë që ecim përpara dhe të kemi një perspektivë më të mirë” – deklaron Mark Lulgjuraj, student në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër.

Anton Nikaj

Mendimit të tij i bashkangjitet edhe studenti Anton Nikaj nga fshati Kshevë, i cili momentalisht është student në Universitetin “Luigj Gurakuqi”. Mirëpo, mes tjerash ai shton: “ Viti që po lëmë pas nuk ka pasur ndonjë ndryshim të madh me vitet tjera, sepse nuk kemi arritur të realizojmë atë që populli i Malësisë kërkon më se 20 vjet. Do kërkoja nga partitë politike shqiptare, që të angazhohen më shumë në përmirësimin e gjendjes në Malësi. Gjithashtu dua të ceki që ne në Malësi, ende kemi probleme me shkolla, ku për shkollën në fshatin Kshevë, kam bërë disa reagime, mirëpo ende asnjë përgjigjje. Do kërkoja nga partitë shqiptare që të merren me këtë çështje, sepse ajo u takon atyre, duke u nisur nga vetë fakti që në plan programin e tyre një gjë e tillë figuron, andaj do ishte mirë dhe është detyra e tyre të merren me gjendjen shoqërore. Në fund dua të ceki që komuna e pavarur është kusht, sepse gjithçka do fillojë me komunën e pavarur.”

Martin M. Bojaj

Autori i librit “Hisja e Gjergj Kastriotit” Martin Bojaj tregon që: “ kapitali kryesor i civilizimit të ri të njerëzimit është edukimi. Unë vitin 2015 e shoh si një vit, faktikisht në dekadën e fundit rinia jonë është shumë e sensibilizuar se edukimi është rruga e duhur dhe ne jemi duke ecur rrugës së duhur. Shpresoj që në vitin 2016, ne si komunitet së bashku me bashkatdhetarët tonë që jetojnë nëpër vende të ndryshme të botës, të rrisim dhe të krijojmë një shoqatë e cila do të koncentrohej në edukimin dhe specializime të drejtpërdrejta.” Martini gjithashtu thekson faktin që është e nevojshme formimi i një shoqate të tillë, në mënyrë që të kemi 3-4 bursa të cilat do të ua mundësojnë studentëve të vazhdojnë shkollimin në universitete të ndryshme evropiane dhe botërore.

“Këto kuadro kthehet në territor të Malësisë ku do japin një kontribut jashtëzakonisht të madh. Unë kërkoj nga viti 2016 që ne, të krijojmë këtë shoqatë e cila do të merret më shumë me këtë çështje” përfundon ai.

Anita Nikaj

Aktorja e serijalit “O sa mirë” Anita Nikaj shprehet e shqetësuar për gjendjen aktuale në Malësi, ajo mes tjerash theksoi: “ Është për tu shqetësuar çfarë ndodh me shqiptarët në Mal të Zi, gjegjësisht në Malësi. Jo vetëm me partitë politike shqiptare por edhe me intelektualet shqiptarë që jetojnë në Malësi. Për 25 vite partitë politike shqiptare nuk arritën të dakordohën se çfarë duan shqiptarët në Mal të Zi.” Gjithashtu Anita ka një mesazh për banorët e Malësisë:

“ Mos ju jepni votën tuaj si deri më tani atyre që se të interesohen për interesat e qytetarëve, ju interesojnë më shume interesat e tyre personale dhe ruajtja e pozitës. Mos bëni pazar me Malësinë, kujtoni 6 prillin, Dedë Gjon Lulin, Çunmulën, Baca Kurtin, etj..”- përfundon Anita.

Shpresojmë që dëshirat tona në vitin 2016 të realizohen dhe së bashku në fund të dhjetorit të krenohemi me arritjet dhe me atë që kemi kërkuar.

error: Të drejtat e rezervuara !!