Numanoviq: Të respektohet marrëveshja e demarkacionit , nuk duhet të ndahemi!

0

Qeveria e Malit të Zi do ta respektojë marrëveshjen e demarkacionit me Kosovën, të nënshkruar në gusht të viti të kaluar, kështu ka deklaruar në një intervistë për Indeksonline, Suad Numanoviq, ministër për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave në Qeverinë e Malit të Zi.

Derisa subjektet opozitare, Vetëvendosje, AAK dhe Nisma për Kosovën po kundërshtojnë fuqishëm këtë marrëveshje, Numanoviq thotë se nuk ka asnjë arsye të bëhet një gjë e tillë.

Megjithatë, ai thotë se demarkacioni nuk do bëjë asnjë ndarje të bashkëpunimit shtetërore ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës.

“Nuk kemi asnjë arsye që mos të respektohen pikat kufitare që janë propozuar dhe të cenohet fqinjësia e mirë që e ka Mali i Zi me Kosovën. Pra, shtetet duhet të punojnë me njeri tjetrin dhe jam i sigurt se ky demarkacion nuk do të na ndajë, por përkundrazi do të na bashkojë më shumë”, ka thënë ai.

Më tej, ministri malazez ka folur edhe për komisionin ndërkombëtar të krijuar nga ish-presidentja Atifete Jahjaga, e i cili, ekskluzivisht është marrë me vlerësimin e procesit të demarkacionit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi.

“Siç e dini Komisionet e Qeverisë së Kosovës dhe Malit të Zi kanë punuar shumë rreth punës së demarkacionit ndërmjet dy shteteve. Para pak kohësh, presidentja e Kosovës (Atifete Jahjaga v.j.) ka iniciuar formimin e një Komisioni të ri me ekspertë të huaj për rishqyrtimin e vijës kufitare ndërmjet shteteve tona dhe janë pajtuar që çdo gjë në rregull dhe nuk ka asnjë arsye që të prishet fryma e paqes dhe respektit ndaj njëri-tjetrit”, ka thënë ai.

Ministri Suad Numanoviq, i cili po qëndron në Kosovë, ka marrë pjesë në konferencën e pestë ndërkombëtare ndërfetare në mesin e mbi 300 pjesëmarrësve të ndryshëm nga bota.

Sipas tij, kjo konferencë ka rëndësi të veçantë në luftën ndaj ekstremizmit fetar.

“Konferenca është shumë e rëndësishme për luftën ndaj ekstremizmit. Temë e kësaj konference mund të jetë thelbësore se si Kosova dhe Mali i Zi , si dy shtete të vogla, e luftojnë ekstremizmin me një angazhim të grave. Para se gjithash mendoj se dialogu kualitativ mund ta kyç familjen dhe shoqërinë duke i dhënë rëndësi barazisë gjinore”, ka thënë në fund ai. /Indeksonline/

error: Të drejtat e rezervuara !!