FTESA PËR NATO: Shqiptarët urojnë të parët, Serbia nuk uron fare Rusia kërcënon!

0

Pas ftesës që i ka bër NATO Malit të Zi për anëtarësim në këtë Aleancë politikanët shqiptarë ishin ndër të parët që uruan Malin e zi ndërsa Serbia deri tani ende nuk e ka uruar, kurse Rusia ka kërcenuar.

Rusia do të pezullojë projektet e përbashkëta me Malin e Zi ka thënë presidenti i Komisionit rus për mbrojtje dhe siguri, Viktor Ozerov.Ozerov tha se projektet të cilat do të pezullohen, përfshijnë edhe ato në sferën ushtarake, ka njoftuar Reuters.

Rama uron Malin e Zi për ftesën e NATO-s, komentuesit i kujtojnë mohimin e të drejtave të shqiptarëve

Kryeministri Edi Rama është shprehur i lumtur për ftesën që NATO i ka bërë Malit të Zi për anëtarësim. Me anë të një statusi në Facebook, Rama shkruan: “Një lajm i madh ftesa për Malin e Zi për të iu bashkuar NATO-s! Ne jemi krenarë që kemi mbështetur gjithmonë fqinjët tonë të mirë dhe miqtë në këtë rrugë”.

Por pas këtij komenti të kryeministrit, kanë vërshuar komente të ndjekësve të Ramës të cilët i kanë kujtuar atij mohimin që i bën Mali i Zi të drejtave të shqiptarëve që banojnë në këtë shtet.

Nishani uron homologun e Malit të Zi për ftesën në NATO: Shqipëria mbështet anëtarësimin në aleancë

Letra e Presidentit Nishani

“I nderuar Zoti President,

Vendimi i sotëm i Këshillit të Atlantikut të Veriut për të ftuar Malin e Zi të bëhet pjesë e NATO-s është shprehje e besimit të plotë të Aleancës dhe Shqipërisë për përmbylljen me sukses të reformave të ndërmarra nga vendi juaj në këtë fazë të anëtarësimit.

Shqipëria, si vend anëtare e NATO-s, e ka mbështetur fuqimisht anëtarësimin e vendit tuaj, e bindur se kjo do të jetë një vlerë e shtuar jo vetëm për Aleancën, por që do t’i vlejë dhe konsolidimit të mëtejshëm të paqes e stabilitetit në rajonin tonë.Jam i sigurt se, nën udhëheqjen Tuaj Mali i Zi do t’i mbyllë me brenda afatit të parashikuar negociatat e anëtarësimit në NATO, duke u bërë anëtarja e 29-të e kësaj Aleance.

Duke ju përgëzuar përzemërsisht për marrjen e ftesës, Ju siguroj për mbështetjen e Shqipërisë deri në anëtarërimin e plotë të Malit të Zi në Aleancë.

Miqësisht Bujar Nishani”

Thaçi: Anëtarësimi i Malit të Zi në NATO forcon sigurinë në Ballkan

Ministri i jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, ka uruar Malin e Zi për ftesën që ka pranuar për t’u anëtarësuar në NATO.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Thaçi ka shkruar se anëtarësimi i Malit të Zi në NATO do të përforcojë sigurinë e Ballkanit.“Urime Malit të Zi për ftesën e bërë për anëtarësim në NATO. Ky është një zhvillim që forcon sigurinë e tërë Ballkanit, përfshi Kosovës”, ka shkruar Thaçi në Facebook.“Kosova tashmë kufizohet me dy shtete të NATO-s ndërsa shumë shpejt edhe Kosova do të fillon rrugëtimin formal në integrimet Euro-Atlantike. Rrugë tjetër dhe opsion tjetër nuk kemi pos boshtit Washington dhe Bruksel”, ka shkruar në fund ai.

Meta përshëndet vendimin e NATO-s për ftesën për Malin e Zi

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, përshëndet vendimin e Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO), për të ftuar Malin e Zi të hapë negociatat e anëtarësimit.

Ilir Meta përshëndet vendimin konsensual të Takimit të Ministrave të Punëve të Jashtme të Këshillit të Atlantikut të Veriut, për të ftuar Malin e Zi në gjirin e Aleancës tonë, duke e cilësuar ftesën për hapjen e bisedimeve për anëtarësim, si një vendim historik dhe si një konfirmim të politikës së dyerve të hapura të NATO-s në shërbim të sigurisë, stabilitetit dhe të mbrojtjes së vlerave demokratike të vendeve të rajonit tonë.

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, vlerëson se “NATO dje konfirmoi vendin e natyrshëm të Malit të Zi. Kjo është një ditë e mirë për Aleancën tonë dhe për të gjithë rajonin. Urime edhe një herë popullit mik malazez dhe mirëpresim kontributin e fqinjit tonë në gjirin e familjes së vendeve demokratike euro-atlantike”.

PD përshëndet ftesën që NATO i bëri Malit të Zi për negociatat e anëtarësimit

Partia Demokratike përshëndet ftesën që NATO i bëri Malit të Zi, për të nisur negociatat e anëtarësimit në Aleancë.

“Ky është një vendim historik jo vetëm për Malin e Zi, por për të gjithë Ballkanin Perëndimor, për të përmbushur vizionin e një Europe të bashkuar, të lirë dhe në paqe.Partia Demokratike e Shqipërisë, shpreh bindjen se politika e dyerve të hapura e NATO-s do të vazhdojë të jetë një nga nxitësit kryesore, të transformimit dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor”.

Kryetari Lulzim Basha

Forca: Urime qytetarëve të Malit të Zi ftesën për NATO

Besimi që 28 vendet antare të NATO-s treguan me ftesën dërguar Malit të Zi, është një nxitje për demokratizmin e mëtejshëm të vendit dhe konfirmim i arritjeve të deritanishme.

Kjo është një ditë e veçantë dhe historike për Malin e Zi, Ballkanin Përendimor, dhe Aleancën në përgjithësi.Kjo ftesë është një hap i rëndësishëm për integrimet euroatlantike të të gjithë rajonit, dhe se NATO po mban dyert e hapura për kompletimin e vizionit të një Europe të bashkuar, një Europe të lirë dhe paqësore.

Të gjitha këto arritje që kanë çuar në marrjen e ftesës për antarsim në NATO, nuk do të ishin të mundura pa kontributin e madh dhe të vazhdueshëm të subjekteve politike shqiptare.Për këtë arsye, Forca e Re Demokratike uron qytetarët e Malit të Zi, dhe shqiptarët në veçanti, për marrjen e ftesës për antarsim në NATO.

Shpresojmë se së shpejti pjesë e kësaj organizate do të jenë edhe Maqedonia dhe Kosova, cka do ti bashkonte të gjithë shqiptarët nën mbrojtjen e kësaj aleance, dhe të bëjë realitet ëndrrën e tyre shumëvjeçare. Sot në NATO e nesër në Bashkimin Europian.

Gëzuar! Kryetari, Nazif Cungu

Gjeloshaj: Shqiptarët të angazhuar për të ruajtur paqen

Ftesa për tu bërë pjesë e organizatës më të suksesshme të kohëve moderne është një lajm i mirë jo vetëm për Malin e Zi por për të gjithë rajonin.

Mali i Zi do bëhet pjesë e organizatës ku bëjnë pjesë shtetet më të fuqishme politike, ushtarake dhe ekonomike. Nga kjo organizatë qytetarët e Malit të Zi do të kenë vetëm përfitime. Siguria, reformat dhe investimet në fusha të ndryshme do sjellin zhvillim dhe qëndrueshmëri.

Mali i Zi dhe rajoni do të jenë më të sigurtë, siguria sot në botë është çështja më e rëndësishme dhe ekzistenciale për çdo shtet. Ne si komb jemi të angazhuar me politikat tona në rajon për të ruajtur paqen, për integrimin në Bashkimin Europian dhe në NATO.

Shqiptarët në rajon e kanë treguar gjatë gjithë kësaj periudhe përkushtimin e tyre për integrimin e plotë në strukturat euroatlantike.Shpresojmë që shumë shpejt të gjitha shtetet ku jetojnë shqiptarët dhe i gjithë rajoni të bëhen pjesë e këtyre strukturave në mënyrë që edhe shqiptarët të jenë të bashkuar dhe më të sigurtë.

GJEKA URON ZYRTARËT DHE QYTETARËT E MALIT TË ZI

Kryetari i Partisë demokratike Fatmir Gjeka në emër të partisë së tij dhe të tijin personal i dërgoi urimet zyrtarëve më të lartë shtetëror të Malit të Zi dhe të gjithë qytetarëve për suksesin historik të cilin ky vend e arriti sot me marrjen e ftesës të bëhet anëtare e plotë e Aleancës Veriatlantike.
“Kjo është konfirmim i qartë i reformave të cilat po ndërmerren në Mal të Zi dhe nxitje që në mënyrë edhe më të vendosur të hymë në fazën e re të zhvillimit të shtetit tonë”, thuhet në telegramin e Gjekës dhe theksohet se “anëtarësimi në këtë organizatë të shteteve të zhvilluara do të forcojë pozicionet e Malit të Zi në botë dhe regjion, do të shpejtojë proceset demokratike dhe përmirësimin ekonomik të të gjithë qytetarëve”.

error: Të drejtat e rezervuara !!