Vuçiq vizitë në Kosovë, nuk e lëshojmë Trepçën (Video)

0

Kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiç ka vizituar të dielën pjesën veriore të Kosovës, teksa në komunën e Leposaviçit është takuar me minatorët serbë të “Trepçës”, të cilët i ka siguruar se Beogradi nuk do të lejojë që Prishtina ta kthejë kombinatin metalurgjik në ndërmarrje publike.

“Në bisedimet me Prishtinën në Bruksel do të bëjë të qartë se Beogradi, nuk do të lejojë që autoritetet e Kosovës të miratojnë një ligj përmes së cilit kombinati “Trepça” do të shndërrohej në ndërmarrje publike të së ashtuquajturës republikë e Kosovës. Do të insistojmë në Bruksel, nuk fyejmë askënd, dhe s’dëshirojmë të japim fjalë të mëdha, por Trepçën do ta ruajmë”.

Ardhjes së Vuçiçit në Kosovë i ka paraprirë një shpërthim granate si dhe të shtëna armësh rreth orës 3 të mëngjesit në komunën e Zubin Potokut, në Shtëpinë e Kulturës, ku ai kishte planifikuar të mbante një tubim, incident ky që sipas Policisë së Kosovës nuk ka pasur të lënduar.

I shoqëruar edhe nga ministrat serbë të Qeverisë së Kosovës, Vuçiç, i cili po garon për një mandat të ri qeverisës tha se, Kosova do të detyrohet ta formojë sa më parë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.Gjatë qëndrimit në veri të Kosovës, kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiç i ftoi serbët që të besojnë në ndihmën e Serbisë, ndërsa u ka premtuar atyre ndihma për ndërtimin e shkollave dhe spitaleve.

Vuçiç ka përdorur ironi kur është pyetur nga gazetarët për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

I pyetur se si do të reagonte sikur pas zgjedhjeve parlamentare në Serbi, postin e kryeministrit ta merrte ndonjë politikan nga opozita, i cili do ta njihte Kosovën, Vuçiç është përgjigjur se “për këtë vetëm mund të shpresoni”, shkruan Koha.net.

“Ndoshta këto ëndrra edhe ju realizohen. S’kam asgjë kundër, shpresoni, ndoshta edhe mund t’ju ndodh juve kjo”, ka deklaruar Vuçiç

Në pyetjen e gazetarëve se a do të merr pjesë në inaugurimin e presidentit të ri të Kosovës, Hashim Thaçi të premten në Prishtinë, Vuçiç tha se “nuk ka asgjë prej kësaj pune, e as që do të ketë edhe për një kohë të gjatë”.Po ashtu Vuçiç është ngacmuar nga gazetare shqiptare, duke e pyetur se kur do të shkojë për vizitë zyrtare në Prishtinë. Por në përgjigje të tyre Vuçiç ka theksuar se kjo pyetje i parashtrohet vazhdimisht, duke aluduar në atë se kur Serbia do ta njohë Kosovën.

Foto: Marko Todorović Foto: Marko Todorović Foto: Marko Todorović

error: Të drejtat e rezervuara !!