Votohet Qeveria e re e Kosovës me kryeministër Avdullah Hotin

0

Me shumicë votash është votuar sot Qeveria e re e Kosovës me kryeministër Avdullah Hotin, e udhëhequr nga Lidhja Demokratike e Kosovës në koalicion me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Nismën Socialdemokrate, Listën Serbe si dhe parti të vogla të minoriteteve.

Seanca u bojkotua nga lëvizja Vetëvendosje e cila kërkon zgjedhje të reja, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës, votoi kundër qeverisë së re.

Qeveria e re pasoi rrëzimin e qeverisë së koalicionit të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike më 25 mars më një mocion mosbesimi të kësaj të fundit.

Kryeministri i ri, Avdullah Hoti, u dekretua si mandatar më 30 prill nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Protestuesit kundërshtuan formimin e qeverisë së re

Disa qytetarë kanë protestuar para Kuvendit të Kosovës ku po mbahej seanca për votimin e qeverisë së re. Ata për një moment kanë tentuar të hyjnë në Kuvend mirëpo janë penguar nga policia. Protestuesit, përkrahës të Lëvizjes Vetëvendosje, kanë kërkuar zgjedhje të parakohshme.

Protesta para Kuvendit në kundërshtim të qeverisë së re

SHBA përshëndet votimin e qeverisë Hoti

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përshëndetur votimin e qeverisë së re të drejtuar nga Lidhja Demokratike të Kosovës.

“Urime për formimin paqësor të qeverisë së re. Ne mezi presim që të punojmë me qeverinë Hoti për të vazhduar punën e rëndësishme për paqen, drejtësinë dhe prosperitetin, përfshirë përpjekjet për forcimin e marrëdhënieve rajonale dhe luftimin e COVID-19”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së SHBA-së në Kosovë.

error: Të drejtat e rezervuara !!