Statusi i shqiptarëve në Mal të Zi dhe Komuna e Malësisë

0

Në këtë prezantim do të përpiqem të përkufizoj situatën e popullsisë shqiptarë në Republikën e Malit të Zi në harkun kohor të procesit demokratizues të Europës Juglindore, mëvëtësimit nga ish Jugosllavia dhe europianizimit të këtij shteti, shtetit shqiptar dhe shtetit të Kosovës njëkohësisht. Ky përkufizim do të vlërësohet nga pikëpamja zhvillimore, politike, nga pikëpamja e burimeve njërëzore, rritjes së pozicionit përfaqësues dhe të të qenurit një faktor i qenësishëm i mbrojtjes së politikave zhvillimore, mbrojtëse identitare, ndërtimit të ekipeve përfaqësuese të kualifikuara, të demokratizuara, të shkëputura nga baseni i përcarjes, injorancës, servilizmit dhe vendosjes në bisht të politikës malazeze, të mbyllura dhe të vdekura në përspektiven dhe larg naltesisë dhe përspektivës që e kërkon ekzigjenca e një populli jo përiferi.

Në qoftë se do të duhet të ndërtoj një tezë të parë përkufizuese se çfarë përfaqësojnë shqiptarët nën Republikën e Malit të Zi për kombin shqiptar, me duhet të them që ajo nuk është një tezë, por është në aksiomë e vertetueme: ato përfaqësojnë vatrat e epopesë kombëtare të Shqipërisë, kanë përbërë njësi kompakte albane nga pikëpamja humane, territoriale dhe nga pikëpamja e e të drejtave të pronësisë së trashëguar në shekuj, që copëtimet e viteve 1878, 1913, 1921, 1945, ia kanë lënë me radhe, Principatës së Malit të Zi, Jugosllavisë së Parë dhe Jugosllavisë së Dytë. Në qoftë se për shtetet respektive ato territore nuk kanë qënë gjë tjetër veçse shtesa territoriale në përspektiven e tyre zgjeruese, për Shqipërinë e vetedijshme, të ndjeshme dhe qarqet politike shqiptare të europianizueme dhe të kulturueme, në qoftë se do përdor një cilësim të shqiptarit të ditur, Dhimiter Beratit, Hoti, Gruda, Trieshi dhe Koja, kanë qenë shumë. (Ai shkruante: Ato bajraqe kanë përfaqësuar përherë barrierën shqiptare kundër sllavëve: kanë luftuar gjithmonë dhe gjithmonë janë dalluar: ata kanë jetuar të pavarur deri më 1912: vendi i tyrë nuk ëhstë më shumë se 100km katorë dhë është vatra e epopes kombëtare: ata për Malin e Zi nuk përfaqësojnë asgjë, por për Shqipërinë janë shumë” AQSH, Mekëmbësia e Përgjithshme, viti1941, dosja 98,. Dhe sot serish ato duhet të konsiderohen vende të rëndësishme të hapësirës që duhet zhvilluar për kah europianizimi, integrimi dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të mbeten oborri i mbramë i një shteti jo shqiptar, i painteresuem per ata. Madje nje oborr që po shpopullohet dhe po kerkohet të shkombëtarizohet.

Në qoftë duhet të ndërtoj një tezë të dytë përkufizuese se çfarë përfaqësojnë sot territoret shqiptare në Mal të Zi, nisur nga Hoti, Gruda, Trieshi Koja, Ljarja, Shestani, Kraja, ANA e Malit dhe Ulqini, me duhet të them që këto territore dhe popullsia shqiptare që banon këtu ndodhet:

  1. Në pikëpamje të burimeve humane ndodhen në një proces shpopullimi, që rritet në intensitet me vektor të vendosur me bazë nga Ulqini drejt Trieshit e Kojës, krijim zbrazëtirash pronësore, abandonim të objekteve themelore të identitetit nacional dhe religjioz, që përcaktojnë qartësisht autoktoninë identitare, me burime të kualifikuara intelektuale gjithnjë e më të munguara, kapacitete politike totalisht të përçara dhe të decimuara, deri edhe të kthyera në shtojca servile të politikës centrale malazeze, politikë që kontrollon plotësisht çdo prirje për përfaqësim të njimendtë europian të popullsisë së kësaj krahine, duke arritur deri në eliminimin e plotë se fundmi që nxjerrjes së një kandidati shqiptar si kryetar i bashkisë së Tuzit.
  2. Në pikëpamje të organizimit tërritorial, hapësira e latpërmendur është e ndarë në mënyrë asimetrike, në komuna me statuse të ndryshme juridike brenda organizmit territorial të Republikës së Malit të Z.
  3. Në pikëmapje të pozicionit aktual politik dhe të të drejtave formale dhe elementare, hapësira ka pësuar një përmirësim falë procesit integrues Europian të Republikës së Malit të Zi, Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës dhe fakti që sot mundemi ta bëjmë një analizë të tillë këtu është një tregues, i cili, do ta them ma poshtë, ka nevojë të ridimensionohet plotësisht.
  4. Në pikëpamje të përfaqësimit politik, shqiptarët janë të përçarë në shumë parti politike, me liderë të vjetër që janë, them jo për të gjithë, por në mazhorancë, ose bishta të politikës dhe interesave jo shqiptare dhe jo europiane, ose mbetje në proces terminal të vdekjes politike. Ata shquhen për një diskur dhe komunikim patetik të rremë nacionalist, që fshehin para popullit, një padije të thellë intelektuale, një mungesë të plotë vizioni për të ardhmen e shqiptarëve në Mal të Zi dhe në një Ballkan Europian pa kufij dhe barriera. Mund të them që, me dijeni ose me padijeni të tyre, ata janë duke luajtur një rol regresist, frenues dhe të rremë përfaqësues, në procesin e ngritjes së njimendtë të statusit real të shqiptareve në Mal të Zi. Ata nuk kanë arritur dot të bëhen drejtues të popullit, nuk kanë arritur të jenë as teknicienë të zakonshëm, skrupulozë që punojnë për zhvillim permes shfrytëzimit të fondeve që qeveria e Malit të Zi jep në ndarjen e fondeve të buxhetit të shtetit, nuk kanë asnjë skuader projektesh zhvillimore të gatshme, nuk kanë ndërtuar asnjë planifikim për mbrojtjen juridike të pronësisë së shqiptarëve në hapësirën e rrezikuar të Malësisë, Shestanit, Ljarjes, Krajes, nuk kanë ndërtuar asnjë departament për mbrojtjen e monumeneteve kulturore dhe religjioze shqiptare në këtë hapësirë. Çdo mbrojtje e derisotme është arritur fale ndërhyrjeve individuale të njerëzve vullnetmirë, brezit të ri më të emancipuar politikisht dhe kulturalisht dhe diaspores në SHBA. Një shembull nga një burim krejtësisht i sigurtë: para katër vitesh, buxheti i qeverisë të Malit të Zi kishte akorduar një fond prej 4.5 milion euro për komunen e Tuzit. Shumë që do ta konsideroja shumë të rëndësishme për ndërtimin e disa projekteve zhvillimore në këtë hapësire komunale. Kjo bashki ka përdorur vetem 1 milion euro për pagat e punonjësve të administratës dhe 3.5 milion nuk janë përdorur, ktheyr mbrapsht, dmth nuk janë përdorur, sepse autoritete vendore këtu ku jemi ne sot, nuk kanë pasur asnjë projekt zhvillimor, nuk kanë pasur asnjë skuader që të hartonte projekte strategjike, asnjë projekt për zhvillimin e një ekonomie të qendrueshme dhe të turizmitetj. Mjaftueshëm për të kuptuar kotësinë e ekipeve përfaqësuese politike dhe komunale të kësaj hapësire.

Tani dalim tek nevojat korigjuese, të cilat do të më duhet t’i ndaj në dy plane:

  1. Korigjimi brenda shqiptar
  2. Korigjimi i qendrimit të qasjes së politikës qentrale malaziase ndaj hapësirës territoriale dhe humane që bashkon nga jugu në veri republikën e Malit të Zi me Republikën e Shqipërisë

Përsa i përket korigjimit të politikës shqiptare: Ka ardhur koha e largimit të menjëhereshëm dhe të plotë dhe pa asnjë leshim të gjithë udhëheqësive të partive të vjetra politike nga skena manipolative do ta quaja, që i kanë ndërtuar popullit dhe elektoratit shqiptarë në Republikën e Malit të Zi, me injorancën, e tyre, me kapjen e tyre, dhe me botën e vjetër jo europiane që ata kanë përfaqësuar dhe përfaqësojne ende edhe në këto momente që po flasin. Shqiptarët në Mal të Zi kanë nevojë vetëm për një parti politike që në programin e saj ka kontributin në procesin serioz europianizues dhe integrues të popullit shqiptar në Republiken e Malit të Zi në Bashkimin Europian, kontributin në procesin demokratizues, procesin reformator juridik të këtij shteti, procesin e zhvillimit të burimeve njërezore, procesin e ndaljes së kolonizimit dhe dekulturizimit të Malësisë, Shestanit, Ljarjes, procesin e mbrojtjes së pronës, procesin e regjistrimit të çdo shqiptari të diaspores në regjistrat e gjendjes civile të këtij shtetit, një parti të vetme politike që përbëhet nga departamentet me titullimet që thashë më sipër: Kur them një parti politike nuk nënkuptoj eleminimin e pluralizmit, por nenkuptoj një udheheqësi politike pluraliste, të konferederuar që ban nje pakt për mbrojtjen e interesave të masiperme dhe angazhohet për unitet dhe kundër përçarjes.

Diaspora duhet të merret jo më më llafe dhe ngatërresa të papërshtatshme, por të financojë dhe mbajë vëtem një udhëheqësi politike dhe departamentet e kësaj partie politike, të sjellë në Mal të Zi djemtë e vajzat e tyre të Shkolluar në Harward, Yale, Ann Arbour, Caltech etj. t’i mbajë ato me para dhe më sistem rotacioni çdo katër vite, si grupet punuese, programuese, reformuese dhe projektuese të të vetmes parti politike shqiptare. Kjo parti politike duhet të jetë PARTIA ose FEDERATA DEMOKRATIKE EUROPIANE E SHQIPTARVE, një parti luajale ndaj të drejtave të popullit shqiptar dhe luajale ndaj të drejtave të popullit malazez dhe shtetit malazias. Një parti urë bashkuese mes Shqiptarevë dhe qeverisë qendrore të Malit të Zi, që vendos në efiçensë shërbimin komunal të komunave shqiptare dhe mbron komunitetin shqiptar.

Qytetarët shqiptarë në Mal të Zi ndodhen para nevojës urgjente për të ngritur në standarte të pranueshme europiane, statusin e përfaqësimit të shqiptarëve. Përfaqësimi më i kualifikuar në aspektin politik dhe arsimor, jo vetëm do t’i shërbejë më mirë ecjes përkrah rrjedhave integruese rajonale, por do të shpëtojë popullin tonë në këtë pjesë të Ballkanit nga shpërbërja, shpërngulja dhe përhapja. Shqiptarët në Malin e Zi janë para emergjencës komunitare për t’u ngritur në statusin e faktorit që merr pjesë aktive në zgjidhjen e problemeve të së ardhmes së vet. E theksoj këtë, sepse filozofia politike e lidershipit të sotëm të shqiptarëve në Mal të Zi nuk është filozofia e lirisë dhe e integrimit të njimendtë dhe të barabartë në Europë. Ky lidership fatkeqësisht ndodhet nën frerët e shërbëtorëve të së djeshmes, kuptuar në të gjithë spektrin kohor e politik. Çlirimi nga ky lidership i çoroditur përbën një imperativ dhe një detyrë të shqiptarëve, imperativ që e kërkon ecja e barabartë e të gjitha krahëve të Shqipes Europiane.

Konferenca, e sotme vjen si një thirrje për aktualitetin shqiptar në Malësi: si një tërheqje vëmendjeje për procesin e shpopullimit të Hotit dhe Malësisë në tërësi; si një kërkesë drejtuar malësorëve dhe shqiptarëve në Mal të Zi, për forcimin e kohezionit të brendshëm, për të gjetur pjesët e përbashkëta të interesit politik e kombëtar, për të ndërtuar një këndvështrim të njëjtë të së ardhmes së popullit tonë në Europë. Përforcimi i sistemit arsimor në Hot dhe Malësi, shkollimi cilësor i brezit të ri të Malësisë, hapja e rrugëve për shkollime të përshtatshme të femijëve të shkëlqyeshëm të Malësisë dhe Hotit, në universitetet e UK dhe USA, një vëmendje më e madhe nga ana e Shtetit të Republikës së Shqipërisë dhe Shtetit të Republikës së Kosovës, ndaj gjendjes arsimore, kulturore dhe mbrojtjes së parametrave të të drejtave të minoritetit në Mal të Zi, mbrojtjes së të drejtave të pronësisë, mbeten prioritete me rëndësi vendimtare për mbijetesën identitare. Dhe aksioni më vendimtar mbetet ndalja me urgjencë e procesit të kolonizimit të Malësisë, ndalja e zaptimit të pronës dhe mbrojtja e hapësirës së pjesëmarrjes në drejtimin e administratës, sistemit arsimor, organeve të punëve të brendshme dhe rendit publik në hapësiren e Malësisë.

Janë me dhjetëra forcat e urta, patriote e intelektuale shqiptare që mund të angazhohen drejtperdrejtë në përfaqësimin ma dinjitoz të shqiptarëve dhe të largojnë nga kulltuqet individët që asnjëherë nuk kanë mbrojtur seriozisht të drejtat e popullit shqiptar, ato që asnjëherë nuk e nderuan Flamurin e Deçiqit dhe dëshirën shekullore të shqiptarëve për të qenë popull i lirë europian. Shqiptarët e Malit te Zi kanë një grupim intelektual të rëndësishëm, që po të angazhohet në përfaqësim, mund të sjellë një strategji të re në shkollimin efikas të shqiptarëve, një ndihmesë të rëndësishme në ristrukturimin administrativ dhe asaj çfarë dëshirohet nga të gjithë, ngritjen e Komunës së Malësisë në të gjithë hapësirën gjeografike të Malësisë së mirëfilltë, duke përfshirë edhe Kojen dhe Trieshin dhe njohjen e njimendtë të statusit të popullit shtetformues.

Krijimi i komunës do të ndikojë në respektimin më të madh të të drejtave arsimore dhe kulturore të popullatës së Malësisë, do të ndikojë në respektimin e të drejtave historike të pronësisë dhe në përmirësimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve në mes popullatës shqiptare dhe asaj malazeze në shtetin e Malit të Zi. Asnjë proces integrues në Europë nuk mund të kryhet pa respektuar të drejtat civile, të drejtat arsimore dhe kulturore të Hotit, Trieshit, Kojës, Grudës dhe Malësisë. Ngritja e ekspertizës së mbrojtjes juridike administrative të këtij mbetët një prioritet nga organizatorët. Angazhimi i një skuadre të juristëve dhe avokatëve më të njohur të Malësisë dhe të bashkësisë shqiptare në përgjithësi, për mbrojtjen juridike të çështjes, së pronësisë dhe asaj administrative, pranë autoriteteve centrale malazeze dhe atyre të BE dhe ShBA.

Përfaqësimi ma dinjitor dhe ma profesional mund të sjelle nje strategji te re në shkollimin efikas të shqiptareve, një ndihmesë të randësishme në ristrukturimin administrativ dhe asaj çfarë deshirohet nga të gjithë, në ngritjen e Komunës së Malësisë në të gjithë hapësirën gjeografike të Malësisë së mirëfilltë, dhe njohjen e njimendtë të statusit të popullit shtetformues. Mbi të gjitha Ju duhet të ndalni prirjen e pareshtur të ikjes, sot ma shumë se kurrë. Nisma: “Kullat duhet të ringrihen në çdo cep të Malësisë” duhet të fillojë të bahet realitet sa ma shpejt. “Asnjë kullë të rrënuar, asnjë kullë të pabanuar”, kjo duhet të jetë motoja juaj e menjëhershme. Thirrja duhet të kumbojë ma shumë mbi veshin e shqiptarëve me banim në SHBA. Të dashur Bashkëkombas shqiptaro-amerikan, ka ardhur koha per ta lidhur besen tuaj edhe ma fort me ketë nismë të kahershme.

b.Përsa i përket ndikimit në korigjimin e politikës centrale:

është momenti që të ndikohet për saktësimin dhe kontrollimin e seriozitetit të politikës malazeze, në një mënyrë të dyfishtë: përmes kontrollit politik të realizuar nga një përfaqësi dinjitoze në Parlamentin e Malit të Zi; dhe përmes organizmave të Bashkimit Europian, OSBE, dhe ambasadës së SHBA në Podgoricë. Absolutisht këtë gje nuk mund ta bëjë asnjë, e përsëris pavarësisht se i kam miq, asnjë prej liderëve të vjetër shqiptarë ketu. Ata duhet të lëshojnë vendin e tyre në politikë brezit të ri të shqiptaëve të shkolluar, të ditur, të mençur, jo komunistë, si kontributi i parë dhe i fundit i vlefshëm ndaj popullit shqiptar këtu. Diaspora duhet të ushtrojë presionin e nevojshëm në këtë proces të domosdoshëm dhe iminent të zëvendësimit të kastës së vjetër politike shqiptare, përmes dy veprimeve: 1.Krijimit të Komitetit të Diaspores së Bashkuar për Zhvillimin e Vendlindjes, në të cilin edhe atje do të duhet të jenë anëtarë vetëm femijët e tyre të shkolluar në universitetet më të mira, një 10 tëshe, dhe etërt vetëm financuesit e heshtur në urtësi dhe të gëzuar për diturinë e bijvë të yrë shqiptaro-amerikanë. Dhe 2. Ndaljen e financimeve për anëtarët e kastës së vjetër nuk pranojnë të lëshojnë vendet brezit të ri këtu në Malësi. Stop më më lemosha që genjejnë vetëm veten, ndërkohë që Malësia, Kraja, Shestani, Plava dhe Gucia vuan.

Është momenti që politika qendrore malazeze ta transformojë njëmendësisht lirinë e parë formale, në një liri funksionale, zhvillimore të vërtëte. Është e nevojshme të kuptojmë që shqiptarët nuk mund të mbahen të kontrolluar përmes hijeve të mekateve të djeshme të disa individeve të tyre, as përmes metodave të institucioneve që i përkasin botës së vjetër komuniste shqiptare dhe jugosllave. Çdo kamuflim i metodave të vjetra të kontrollit të lirisë sot tashmë është i pavlefshëm. Një vend aspirant për të qenë anëtar i BE nuk duhet të ketë frikë nga nukli më pro europianist dhe më pro amerikan i shqiptarëve në tërësi. Aq më tepër që edhe Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës janë në të njejtën rrugë dhe marrëdheniet në mes dy vendeve janë ne ditët mëtë mira të mundshme.

Romeo Gurakuqi

error: Të drejtat e rezervuara !!