“Vëllazëria” e Lindjes, takim Greqi-Serbi-Rumani-Bullgari (Video)

0

Udhëheqësit e Bullgarisë, Serbisë, Greqisë dhe Rumanisë bënë së bashku thirrje për paqe dhe prosperitet në Ballkan, si edhe për aderimin e Serbisë në Bashkimin Europian.

 “Vendet e rajonit duhet të kthehen në një shembull të stabilitetit dhe begatisë, e kjo është në interesin e qytetarëve, por edhe biznesit”, deklaroi kryeministri bullgar Boyko Borissov, në konferencën për shtyp të mbajtur pas takimit në Varna, me homologët grek e rumun, Alexis Tsipras dhe Mihai Tudose, si dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiç.

“Vendi i natyrshëm i Serbisë – shtoi ai, – është në BE”. Këtyre komenteve i bëri jehonë edhe shefi i ekzekutivit grek. Beogradi, sipas Tsipras e meriton një aderim të shpejtë. Ai shtoi se të 4 vendet, 3 nga të cilat janë tashmë anëtare të Bashkimit Europian, mund të luajnë një rol kyç në zhvillimin e rajonit.

“Kemi vendosur jo vetëm të kemi një bashkëpunim më të ngushtë me njëri-tjetrin në lidhje me fushën e energjisë, makroekonomisë dhe transportit, por edhe të përmirësojmë atë ekzistues në raport me menaxhimin e krizave, sigurinë dhe krizën e refugjatëve. Diskutuam gjithashtu edhe mbi projekte të mëdha të përbashkëta në rajon. Nëse ato mund të realizohen duke kapërcyer kufijtë, Ballkani do të tjetërsohet i gjithi”, tha Alexis Tsipras, kryeministër i Greqisë.

Kryeministri rumun Tudose u përqëndrua te veprimi i përbashkët në çështjet e energjisë, e sidomos te koordinimi i mirë i projekteve infrastruktore. Vuçiç, nga ana e tij, shprehu mirënjohje për mbështetjen e përcjellë nga udhëheqësit e tjerë lidhur me anëtarësimin e Serbisë, e shtoi se së bashku, të 4 vendet ballkanike mund të bëjnë shumë për të pasur më pak probleme nga sa kanë sot.