Alternativa Shqiptare konfirmon nënshkrimin e platformës

0

Të nderuar qytetar,

Gjatë kësaj jave në mediat e shkruara dhe elektronike është publikuar paltforma politike e iniciuar nga diaspora në bashkëpunim me subjektet politike në Malësi. Për të qenë më të qartë, bisedimet kanë filluar në verë të këtij viti, ku pjesë përveç përfaqësuesve të diasporës kanë qenë edhe LDnëMZ dega e Malësisë, UDSH dega e Malësisë, Iniciativa Qytetare dhe Alternativa Shqiptare.

Në atë takim diaspora propozojë hartimin e një Platforme politike, ku do të përfshihen të gjitha subjektet nacionale në trevën e Malësisë si dhe intelektual të profileve të ndryshme. Të pranishëm ishin të gjithë liderët e subjekteve, që edhe u dakorduan që do të japin edhe sygjerimet e tyre si dhe do të jenë nënshkrues të Platformës në fjalë.

Ashtu siç ndodh rëndom, në fillim të gjithë në parim ishim dakord, mungonte vetëm platforma e shkruar dhe nënshkrimet tona. Platforma pas shumë konsultimesh u bë gati, verzioni përfundimtar na është dërguar të gjithëve në të njëjtën datë dhe data e fundit për të dhënë përgjigjën u caktua 30 tetori ndersa dita e nënshkrimit 28 nëntori.

Platformën sot të gjithë e kemi, por jo të gjithë e kemi vullnetin për ta nënshkruar atë.
Alternativa Shqiptare nuk ka qëllim të akuzojë askënd, por që dëshirojmë të jemi të sinqert me opinionin publik, ashtu siç kemi qenë edhe me diasporën gjatë gjithë kësaj periudhe.

Kryesia e Alternativës Shqiptare edhe pse sugjerimet e saja nuk janë marrë plotësisht parasysh, unanimisht ka sjell vendim që TË NËNSHKRUAJ PLATFORMËN. Nga ajo ditë, pra data 30 tetor 2015, ne nuk kemi fituar asnjë përgjigje nga diaspora jonë, asnjë lloj komunikimi edhe pse siç ishte planifikuar, 28 nëntori do të ishte data e nënshkrimit.

Është tejet jo korekte, joserioze, aspak profesionale dhe deri në një masë tallëse për të gjithë, kur në datën e dakorduar për nënshkrimin e platformës të gjithë zhduken, mirë që zhduken ata që nuk duan ta nënshkruajnë, por zhduken edhe ata që e iniciuan këtë platformë. Jemi të habitur dhe nuk mund të gjejmë asnjë justifikim se pse ne që kemi qenë të gatshëm për nënshkrimin e platformës nuk jemi lajmëruar për anulimin e saj dhe për shkaqet e anulimit.

Mendojmë se është koha që të flasim hapur për çështje të rëndësishme siç është kjo.
Të heqim maskat dhe përfundimisht të shohim se kush nuk dëshiron bashkimin e subjekteve nacionale dhe faktorizimin e shqiptarëve, se kush fshehet pas petkut të patriotizmit të rrejshëm.

Është e pakuptueshme pse të gjithë heshtin, sot ne meritojmë përgjigje për të gjitha çështjet e paqarta, sot opinioni publik meriton të njihet me të verteten mbi këtë çështje, duhet të marrin fund këto lloj lojrash të ulta politike, ku disa trajtohen si të nënës e disa si të njerkës. Të gjithë duhet të jemi të barabartë, nuk kemi pse ti trajtojmë ndryshe politikanët e lazdruar që edhe një herë kanë treguar se vetëm bashkim nuk duan.

Afatet nuk janë caktuar nga ne, ne vetëm kemi respektuar ato që na janë kërkuar, kështu që e gjithë përgjegjësia për këtë situatë bie mbi iniciatorët dhe ata që nuk pranuan të nënshkruajnë këtë platformë.
Ne edhe sot jemi të gatshëm të nënshkruajmë platformën, me apo pa të tjerët, edhe në qoftë se kjo platformë do të mbetët në hije ashtu siç kanë mbetur edhe shumë iniciativa tjera, ne do të respektojmë dhe do bëjmë përpjekje që pikat e kësaj platformë të realizohen.
Në fund dua të ftoj të gjithë ata që ishin pjesë e kësaj platforme të deklarohën rreth kësaj çështje.
Me respekt,

Gjergj Camaj, Kryetar i Alternativës Shqiptare.

error: Të drejtat e rezervuara !!