Ali Ahmeti kërkon kryeministrin e parë shqiptarë në Maqedoni

0

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti përmes një postimi në ‘Facebook’ shkroi se “sot në 18 vjetorin e themelimit të partisë së tij, uroi anëtarët, aktivistët, përkrahësit, votuesit, aleatët dhe gjithë qytetarëve e vendit.

Ai në urim thotë se në çdo përvjetor si parti përcaktojnë synime ambicioze dhe me kohë, siç shkruan Ahmeti, ato realizohen, njofton Telegrafi Maqedoni.

“Ne e nisëm bashkë këtë rrugëtim para 18 viteve, Bashkë u përballuam me çdo sfidë dhe i besuam njëri tjetrit, Bashkë i përcaktuam dhe i realizuam synimet tona dhe në këtë përvjetor kaq të rëndësishëm për të gjithë ne, le ta përcaktojmë bashkërisht edhe qëllimin tonë të radhës që në zgjedhjet që pasojnë, të realizojmë synimin për të zgjedhur një personalitet të vlerësuar, të dëshmuar dhe të pranueshëm të cilin ose të cilën do ta përzgjedhim bashkërisht për kryeministrin e parë shqiptar”, shkruan Ahmeti.

Ahmeti poashtu përmend edhe arritjet si parti gjatë këtyre viteve duke përfshi këtu anëtarësimin në NATO, bisedimet me BE-në, barazinë gjuhësore.

“Sot, të dashur qytetarë, jemi anëtarë fuqiplotë të aleancës më të madhe politiko-ushtarake në botë NATO-s, sot jemi vend që negocion me Bashkimin Evropian për anëtarësim të plotë në familjen e madhe të kontinentit tonë, sot jemi me barazi të plotë gjuhësore dhe me zbatim të plotë të pjesës normative të Marrëveshjes së Ohrit, me tre universitete në gjuhën shqipe, me shkolla, spitale, çerdhe, rrugë, institucione, sot instaluam parimin e konsensualitetit edhe në vendimmarje edhe në përzgjedhje si dhe drejtuam si shqiptarë dhe qytetarë të këtij vendi kuvendin, ministritë e mbrojtjes dhe të punëve të brendshme, avokatin e popullit dhe të shtetit, gjykatat supreme dhe kushtetuese, por akoma nuk është përmbyllur e gjitha dhe prandaj, tash ka ardhur koha për diçka të madhe”, thotë mes tjerash Ahmeti.

error: Të drejtat e rezervuara !!