Flet nënkryetari i parë shqiptar i Komunsë së Gucisë: Kërkon mbështetje nga Kosova e Shqipëria

0

Për herë të parë pas krijimit të Gucisë si Komunë, një shqiptar është emëruar nënkryetar i saj.Edon Balidemaj që nga dita e djeshme është betuar si nënkryetar i kësaj komune.Balidemaj, 26 vjeçar, është nënkryetari i parë shqiptar i Komunës që është formuar para disa viteve.

Në një bisedë për KALLXO.com, nënkryetari i Gucisë, Balidemaj thotë se do të mundohen të bëjnë më të mirën për komunitetin shqitpar në Guci.“Besojmë se do të reflektojmë dhe do të bëjmë ma të mirën që e kemi të mundur për komunitetin. Nuk jemi të kënaqur por besoj se nëse kemi pozitivet, besoj se do të punojmë sa më mirë për komunitetin”, tha Balidemaj për KALLXO.com.Balidemaj shtoi se në Guci, sipas regjistrimit të fundit, rreth 40% e popullsisë është e komunitetit shqiptar, mirëpo shton se janë duke u përballur me migrim.“Me regjistrim të fundit, jemi rreth 40% shqiptarë në Komunën e Gucisë. Tash nuk dihet për shkak se ka pasur shumë emigrime nga kjo komunë. Jemi 7 këshilltarë shqiptarë, 3 prej tyre në opozitë, në Kuvendin Komunal nga 30 sa ka Kuvendi i Gucisë”, tha ai.

Balidemaj i ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë që të punojnë më shumë mbi kërkesat që ka komuniteti shqiptar i Gucisë.“Unë jam kyçur vonë në politikë, por jam takuar vetëm me ambasadorin e Shqipërisë, na ka premtuar shumë, megjithëse pastaj është ndërruar ambasadori, por në përgjithësi, Kosova dhe Shqipëria pothuajse nuk kanë bërë asgjë sa i përket kërkesave që i kanë pasur shqiptarët e Gucisë ndaj tyre. Ne presim prej Kosovës dhe Shqipërisë, që e kanë mundësinë që të ndikojnë në nivelin qendror”, shtoi ai.Nënkryetari Balidemaj ka kërkuar nga Kosova që ta përfundojë rrugën Deçan-Plavë si dhe ka pasur ankesa për polisën e sigurimit për automjete.“Rruga Deçan-Plavë, e nisur para shumë viteve, akoma nuk është përfunduar as nga ana e Kosovës, e lëre më nga Malin e Zi. Mendoj dhe besoj që Kosova e ka forcën e ndikimit politik për ta shtyrë përpara këtë projekt. Edhe polisa e sigurimit që paguajmë, 15 euro për 15 ditë, është totalisht taksë ndaj shqiptarëve në Mal të Zi, meqë shqiptarët janë ata që vijnë në Kosovë”, tha tutje Balidemaj për KALLXO.com

Procesi i emërimit të Balidemajt si nënkryetar i Gucisë kishte përfunduar në shkurt të këtij viti, mirëpo sipas tij, për shkak të ballafaqimit me pandeminë COVID-19 është zgjatur deri më tani.Në 2018, Tuzi ishte bërë Komunë me të drejta të plota. Kjo komunë tani udhëhiqet nga një kryetar shqiptar, Nik Gjeloshaj.

Kallxo.com

error: Të drejtat e rezervuara !!