KKSH: Kryengritja e Malësisë e vitit 1911 është krenari e mbarë kombit shqiptar

0

Në kujtim të 6 prillit 1911 “Kryengritja e Malësisë”
Të nderuar bashkatdhetarë, shqiptarë kudo që ndodheni.
Sot është një ditë shumë e rëndësishme për kombin shqiptar në përgjithësi sepse kujtojmë 6 prillin e vitit 1911, Kryengritjen e Malësisë, të udhëhequr nga atdhetari “Ded’ Gjon Luli”, i cili pas shumë shekujsh ngriti Flamurin Kombëtar në majën e malit të Deçiqit në Malësi, si shprehje e vullnetit të popullit shqiptar për liri dhe pavarësi nga çdo pushtues.

Ngjarja e 6 prillit të vitit 1911 ngjason me flakën olimpike, që u ndez në majën e Deçiqit të Malësisë, si kushtrim për pavarësi e liri, e cila përshkoi mbarë trevat shqiptare për t’u kurorëzuar në Vlorë, më 28 nëntor 1912, me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. 6 prilli i vitit 1911 ishte pararendëse e shpalljes de facto të Pavarësisë së Shqipërisë.

Kryengritja e Malësisë e vitit 1911 është krenari e mbarë kombit shqiptar, për vetëdijen e lartë kombëtare, për atdhedashuri e pavarësi nga pushtuesit dhe simbol i sakrificës deri në vetëmohim për komb e atdhe.

Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi, si përherë, edhe këtë vit kishte në agjendën e aktiviteteve organizimin e një manifestimi përkujtimor për shënimin e kësaj ngjarjeje historike me përmasa mbarëkombëtare, mirëpo për shkak gjendjes në të cilën ndodhemi si rezultat i pandemisë nga COVID-19, e cila tashmë ka pushtuar dhe paralizuar krejt botën, e kemi pasur të pamundur organizimin e çfarëdo manifestimi apo tubimi. Mirëpo kjo nuk na ndalon të kujtojmë dhe të përcjellim mesazhet tona në nderim të kryengritësve dhe udhëheqësit legjendar Ded’ Gjon Lulit, mbi atë ngjarje që zgjon krenarinë tonë kombëtare.

Gëzuar!

Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve

error: Të drejtat e rezervuara !!