Ndryshojnë proceduarat për marrjen e shtetësisë shqiptare – “Fitimi i shtetësisë me origjinë”

0

Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, më 31 korrik, është miratuar projektligji i ri “Për Shtetësinë”. Në projektligjin që do i dorëzohet Parlamentit ka disa ndryshime thelbësore, siç është Neni 6 ku parashikohet “Fitimi i shtetësisë me origjinë”.

Aty parashikohet:

1.Shtetësia shqiptare fitohet nga i huaji, të paralindurit e të cilit kanë origjinën shqiptare, me kusht që të provohet lidhja familjare në vijë të drejtë, deri në tri shkallë, e kërkuesit me të paralindurin.

2.Në këtë rast shtetasi paraqet kërkesë për fitimin e shtetësisë shqiptare në bazë të origjinës dhe plotëson kriteret e përcaktuara në shkronjat “dh” dhe “ë”, të pikës 1, të nenit 8, të këtij ligji.

3.Dokumentacioni i nevojshëm që provon origjinën shqiptare të kërkuesit përcaktohet me udhëzim të ministrit.

Ky nen u krijon mundësinë të gjithë shqiptarëve që kanë lindur në shtete të tjera, por që arrijnë të provojnë origjinën shqiptare, të marrin shtetësinë e Shqipërisë.

“Të gjithë ata shtetas të huaj që jetojnë jashtë territorit të Shqipërisë dhe arrijnë të provojnë që kanë origjinë, por gjithmonë me të paralindurit deri në shkallë të tretë me shtetësi shqiptare, do të mund të fitojnë shtetësinë shqiptare. Ne kemi raste, ka shtetas nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, po ka shqiptarë edhe nga Siria”-tha zv.ministrja e Brendshme e Shqipërisë.

Tashmë, fëmijët që lindin jashtë Shqipërisë, por që të dy prindërit i kanë me shtetësi shqiptare, e fitojnë automatikisht këtë të fundit.

Voda bëri të ditur se fëmijët do e kenë më të lehtë të fitojnë shtetësinë, nëse të dy prindërit i kanë me shtetësi shqiptare.

“Çdo fëmijë i lindur nga prindër shqiptarë, duke ruajtur standardin kushtetues, fiton automatikisht shtetësinë shqiptare, konsiderohet  shtetas shqiptar, dhe kjo e drejtë nuk i parashkruhet edhe nëse ka mbushur moshën 18 vjeç”-tha zv.ministrja .

Risia në këtë projektligj është që vendi ynë do të jap shtetësi shqiptare edhe për investitorët e huaj, të cilët kundrejt një shumë që pritet të jetë e lartë, por që ende nuk është përcaktuar, do mund të marrin pasaportë shqiptare.

error: Të drejtat e rezervuara !!