Meta në Prishtinë ul palët për dialog ndërmjetëson kapërcimin e krizës (Video)

0

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta duket se ka marrë rolin e ndërmjetësuesit mes koalicionit qeverisës në Kosovë dhe opozitës pas krizës politike në vend dhe bllokimit të punës së Kuvendit.

Një natë më parë Meta ka zhvilluar një takim me kreun e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ndërkohë që sot ka zhvilluar një takim edhe me përfaqësuesit opozitar.

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta vlerëson se ka arritur t’i bindë liderët e partive opozitare që të ulen në tryezë dhe të dialogojnë me përfaqësuesit e Kuvendit dhe të Qeverisë për gjetjen e një zgjidhje për dalje nga kriza politike.

Gjatë qëndrimit të tij prej 24 orëve në Prishtinë, kryeparlamentari shqiptar i shoqëruar nga ambasadori Qemajl Minxhozi takoi kreun e Kuvendit Kadri Veseliu, tre liderët e subjekteve politike opozitare si dhe presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga.

Pas përfundimit të takimeve, Meta tha në një intervistë për Top Channel se është i kënaqur që palët janë pajtuar që të rivendosin dialogun, të cilin sipas Metës është vendosur ta ndërmjetësoj presidentja Atifete Jahjaga.“Përmes presidentes Jahjaga ky proces do të lehtësohet në mënyrën më të mirë të mundshme. Do të prodhojë rezultate të qëndrueshme dhe të pranueshme nga të gjithë”, tha Meta për Top Channel.Meta tha se dialogu mes palëve do të nisë shumë shpejt, dhe ai pret marrëveshje parimore në kuadër të Kushtetutës së Kosovës.

Kurse nga Vetëvendosje, kanë thënë se nuk mund të ketë dialog pa tërheqjen e marrëveshjeve e lirimin e të burgosurve politikë dhe se kërkesa e Mustafës nuk është e sinqertë.

Ndërkaq, kreu i Nismës, Fatmir Limaj, ka thënë për KTV-në se është e natyrshme që Meta ka dashur të marrë informacione direkt nga opozita për krizën politike dhe se ai ka preferuar dialogun si mjet zgjidhjeje.

error: Të drejtat e rezervuara !!