Nimanbegu: Shqiptarët nuk janë të përfaqësuar në Parlament, mbi ne rëndon ligji i diskriminimit

0

Nënkryetari i Parlamentit të Malit të Zi, Genci Nimanbegu, flet në një intervistë ekskluzive për gazetën “Shekulli”. Z. Nimanbegu thekson se mbi partitë politike shqiptare rëndon ligjim i diskriminimit, pasi me anë të këtij ligji, vetëm një deputet shqiptar ka dalë.

Erjon Dervishi

Në Malin e Zi, jetojnë dhe punojnë në trojet e tyre një pjesë e rëndësishme e shqiptarëve. Tashmë pakica shqiptare ka avancuar në disa drejtime, duke përfshirë krijimin e partive politike, përfaqësimin në rang komunash, si dhe suksesi i tyre më i fundit, që ka të bëjë me drejtimin e Komunës së Tuzit, ku në zgjedhjet e marsit 2019, partitë politike shqiptare arritën të bashkoheshin dhe të fitonin bindshëm. Por akoma Parlamenti i Malit të Zi, nuk dëgjon shumë zëra të përfaqësuesve shqiptarë. Sot në Parlamentin e Malit të Zi, ndodhet vetëm një deputet shqiptar. Ai është Genci Nimangebu, i cili është njëkohësisht edhe nënkryetar i këtij institucioni. Ai është zgjedhur si pjesë e këtij Parlamentin, në zgjedhjet e vitit, 2009, 2012 dhe 2016. Vetëm pak kohë më parë, parlamenti i Malit të Zi, miratoi ligjin për liritë fetare. Por ky ligj ka kundërshtarë të fortë, të cilat n’a i shpjegon gjatë intervistës dhe gazetën “Shekulli”, Z. Genci Nimanbegu.

Si e komentoni ligjin më të ri për liritë fetare në Malin e Zi? A mund të ketë të pakënaqur në ketë mes apo hapësire për konflikt?

Ligji në fjalë ka shkaktuar reagime të shumta, veçanërisht nga Kisha ortodokse serbe (KOS) në Mal të Zi (por edhe në Serbi, madje edhe nga përfaqësuesit më të lartë shtetëror), si dhe subjektet politike opozitare pro-serbe disa nga ato kanë shkaktuar edhe incident në Kuvend, gjatë shqyrtimit dhe votimit të ligjit. Bashkësitë e tjera fetare nuk kanë qenë kritike ndaj tij. Ky ligj ka për qëllim të krijojë një rend juridik për veprimin e të gjitha bashkësive fetare në Mal të Zi, si shtet laik. Kisha ortodokse serbe ka funksionuar si “shtet në shtet”, dhe janë të njohur edhe si mohues së identitetit kombëtar malazez. Ka përvetësuar jo vetëm objekte sakrale por edhe rrënoja të objekteve që nuk i takonin asaj, ose i takonin epokës së para skizmës, pra vitin 1054. Të përkujtojmë vetëm qëndrimin e saj ndaj kishave apo rrënjave në trevat shqiptare, si rrënojave të kishave të Shasit, por edhe rrënojave në Kalanë e Ulqinit. Kisha ortodokse serbe, për dallim nga bashkësitë e tjera fetare e sheh shtetësinë apo më saktë kombësinë malaziase si pjesë kombëtare serbe, me gjithë pasojat e këtij mohimi. Instalimi i saj në Mal të Zi u bë më 1918, kur edhe u okupua shteti malazias nga ushtria serbe. Me këtë ligj përcaktohet definitivisht prona e të gjitha bashkësive fetare në Mal të Zi. Nëse dikush i ka dokumentet të cilat tregojnë se një pronë i takon asaj bashkësie, atëherë prona do të vërtetohet, përndryshe, objektet e ndërtuara para vitit 1918 dhe ato për të cilat shfrytëzuesi i deritanishëm nuk ka prova juridike për pronën, do të kalojnë në pronën e shtetit, por mundësia e shfrytëzimit do të mbetet e pa cenuar. Sipas meje, këtu  kemi të bëjmë më shumë me aspektet ekonomike dhe fetare. Të pakënaqur me ligjin ka, por nuk mendoj se kjo pakënaqësi mund të eskalojë në konflikt të hapur.

Ligjet për simbolet kombëtare janë shumë të rëndësishme, çfarë përmbajnë ligjet e miratuara në Parlamentin e Malit të ZI?

Çështja e përdorimit të simboleve kombëtare për ne si shqiptarë, mund të themi se ka qenë edhe përpara e definuar, si me Kushtetutë, ashtu edhe me ligje tjera, siç është ligji për liritë dhe të drejtat e pakicave. Ka ekzistuar një pikë e posaçme e një neni në ligjin për rendin e qetësinë publike, që sipas meje është dashtë të fshihet (Një ligj të tillë e kam propozuar para një viti – kur nuk e fitoi shumicën e duhur vetëm për një votë – dhe e kam aktualizuar përsëri). Dy ditë pas reagimit tim të ashpër, që e mbështeti edhe koalicioni “Shqiptarët të vendosur”, lidhur me dënimin e shtetasit shqiptar, mikut tim Irfan Domnorit, lidhur me përdorimin e “flamurit të shtetit të huaj” siç e definonte ligji i përmendur, qeveria ia dërgoi Parlamentit për shqyrtim ligjin mbi përdorimin e simboleve kombëtare, ligj ky që kishte marrë dritën e gjelbër nga qeveria dy vjet më parë, si dhe ligjin për rend dhe qetësi publike. Parlamenti i miratoi me shumicën e votave të dy ligjet. Për ne si shqiptarë kjo është një nga detyrat e përfunduara që i kishim vënë para vetes. Ligji i ri për simbolet definon më në detaje përdorimin e simboleve kombëtare, ndërsa ligji për rendin publik nuk është më në kundërshtim me të.

Ju jeni nënkryetar i Parlamentit të Malit te Zi, a mendoni se shqiptarët janë të përfaqësuar sa duhet në atë parlament?

Jo, assesi. Madje nëse krahasojmë mandatin e deputetëve shqiptarë në zgjedhjet e fundit, del se për t’a fituar një vend në Parlamentin e Malit të Zi, është dashur numër më i madh i votave se për secilin deputetët tjetër veç e veç. Deri në vitin 2011, ne ishim të përfshirë me një “diskriminim pozitiv” me të ashtuquajturën zonë e posaçme zgjedhore, që përfshinte zonat me votues shqiptarë që jepte 4-5 deputetë. Me ndryshimin e këtij ligji (Mali i Zi u bë një zonë e vetme zgjedhore!), pa mbështetjen dhe pa votën tonë (atëherë ishim 4 deputetë në Parlament), u miratua një ligj për ne diskriminues, që siç po e shihni në votat e fundit ka prodhuar vetëm një deputet. Unë kam propozuar amendament në ligjin për zgjedhjen e deputetëve, që do të ishte plotësisht me dispozitën kushtetuese për “përfaqësimin proporcional dhe autentik” të shqiptarëve në parlament dhe organet tjera shtetërore. Amendamenti nuk u shqyrtua, pasi nuk ishte siguruar shumica e duhur (3/4) e të gjithë deputetëve në parlament. Në situatë kur një pjesë e madhe e opozitës e bojkoton punën e parlamentit, fati i ligjeve të tilla (që kërkojnë ¾) e votave është gjithmonë problematik. E ky nuk është ligji i vetëm i tillë.

Po në lidhje me situatën e përgjithshme të shqiptarëve në Malin e Zi?

Në mandatin e fundit parlamentar, shqiptarët kanë arritur disa suksese, që kishin të bënin me realizimin e kërkesave tona të kamotshme ndaj shtetit. Njëri prej sukseseve të rëndësishme është krijimi i komunës së Tuzit. Komuna, për lexuesit tuaj, në organizimin territorial të Malit të Zi, mund të krahasohet me Bashkinë. Sukses tjetër është ruajtja e kripores së Ulqinit nga devastimi dhe ndërtimi pa plan dhe shpallja e saj si park i natyrës. Vazhdimisht jemi të angazhuar për kthimin e pronave ish pronarëve të ullishtës Valdanos në Ulqin, por edhe pronave tjera, që janë nacionalizuar, apo konfiskua për, gjoja, “interesa madhore” të zhvillimit. Pra, pozita e shqiptarëve në Mal të Zi, krahasuar me pozitën përpara, është më e mirë, por ne assesi nuk jemi të kënaqur dhe nuk mund të themi se e ka arrirë optimalen. Përfaqësuesit shqiptarë duhet të jemi vigjilent dhe të punojmë sa më shumë për një pozitë më të pëlqyeshme të shqiptarëve në Mal të Zi. Sfida kemi mjaft! Shembulli i unifikimit të përfaqësuesve shqiptarë në Tuz në zgjedhjet e fundit na japin një shembull të mirë. Unë gjatë vitit të kaluar kam iniciuar tri takime të përbashkëta të subjekteve politike shqiptare, për t’i definuar qëndrimet e përbashkëta për çështjet jetike për ne. Përgjigja ishte e lakmueshme, ndonëse ende njëri nga subjektet nuk është bindur se e ka vendin me ne të tjerët. Unë do të vazhdoj me takime të tilla dhe prapë do t’i ftoj të gjitha subjektet në marrëveshje.

error: Të drejtat e rezervuara !!