Ambasadori Ridi Kurtezi: Gëzuar 7 Marsin, Ditën e Mësuesit

0

7 marsi është një ditë e shënuar për mësuesinë kombëtare, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Sepse, mësonjëtorja e parë shqipe, ndonëse u hap në vitin e largët 1887 në qytetin e Korçës, ajo shërbeu si dallëndyshja e parë udhërrëfyese e rrugës së gjatë të arsimit shqip, shtruar me sakrifica të mëdha të jetës dhe punës, me gjak e djersë, që nga rilindësit e deri te fisnikëria e arsimdashësve të ditëve tona. Sakrifica të atyre mësuesve që i rrinë besnik profesionit të tyre të shtrenjtë dhe të adhuruar për mijëra e mijëra vogëlushë, të rinj e të reja. 

7 marsi, nuk njeh kufij gjeografikë për botën shqiptare, është festë unike për gjithë dijet e nxëna në gjuhën shqipe, me të cilën mësojnë e marrin dituri nga rajoni jonë, nëpër skajet më të largëta të Evropës e deri në kontinentin amerikan.

Përshëndes me këtë rast, në cilësinë e Ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Podgoricë, gjithë mësuesit të shkollave të shqiptarëve në Mal të Zi. Shpreh mirënjohje për misionin e tyre fisnik dhe të paharrueshëm në edukimin dhe arsimimin e brezave të tërë, për ruajtjen e identitetit kombëtar, kultivimin e gjuhës së bukur shqipe dhe për përgatitjen e atdhedashësve dhe qytetarëve të denjë për komunitetin e tyre, vendin dhe botën shqiptare në tërësi.

Gëzuar Ditën e Mësuesit!

AMBASADORI 
Ridi KURTEZI

error: Të drejtat e rezervuara !!