Katër shqiptarë të Kosovës, zv.ministra në qeverinë “Rama 2”

0

Kryeministri Edi Rama ka emëruar katër zv.ministra nga Kosova në kabinetin e tij. Besa Shahini, zv.ministre e Arsimit, Hajrullah Çeku zv.ministër i Mjedisit dhe Turizmit, Ilirjana Bajraktari zv.ministre e Shëndetësisë dhe Valbona Shujaku zv.ministre e Kulturës.

Besa Shahini ka reaguar në lidhje me vendimin e Ramës përmes një komenti në rrjetet sociale.

“Kryeministri Rama sot më emëroi zëvendësministre të Arsimit në qeverinë shqiptare. Ndihem e nderuar që puna ime e deritanishme në fushën e arsimit vlerësohet si aset në qeverinë e Republikës së Shqipërisë. Shpresoj që kontributi im të çojë tek përmirësimi i mëtejshëm i shkollave dhe arsimit në Shqipëri. Marrë parasysh që standardet e arsimit shqip vendosen në Tiranë, arritjet atje domosdoshmërisht do të ndikojnë në përmirësimin e arsimit në Kosovë dhe vendet e tjera shqipfolëse në rajon. Punën time në Shqipëri e shoh si thellim të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe tejkalim të kufijve në interes të përfitimit të përbashkët të shqiptarëve”, ka shkruar Shahini.

Kujtojmë se para krijimit të qeverisë, u përfol në media edhe emri i Veton Surroit si kandidat i mundshëm për postin e ministrit të jashtëm. Kjo iniciativë u vlerësua si një hap i drejtpërdrejtë për bashkëpunim konkret mes Shqipërisë dhe Kosovës. Mbetët të shihet në ditët në vijim se a do të ketë ndonjë shqiptar të Kosovës në kabinetin e kryeministrit Rama.