Mbyllet zyrtarisht numërimi i votave në Kosovë, Albin Kurti kryeministri i ri

0

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë ka bërë të ditur mëngjesin e sotëm se ka përfunduar numërimi i fletëvotimeve, duke e shpallur zyrtarisht fitues kreun e Levizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Numërimi i fletëvotimeve në vendvotime është mbyllur që mbrëmë, megjithatë procesimi i të dhënave nuk është bërë akoma në 4% të qendrave të votimeve. Kështu është shprehur për “KosovaPress”, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka shtuar se këto janë rezultate preliminare, por do të bëjnë përpjekje që sa më shpejt t’i shfaqin të dhënat nga të gjitha vendvotimet.

Në bazë të dhënave të publikuara në faqen e KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 197,966 vota ose 25,79%. E dyta është LDK 192.300 ose përkthyer në përqindje 25,05%. Partia Demokratike e Kosovës është e treta dhe ka marrë 162.342 apo 21.15% të votave. Rezultatet preliminare nuk përfshijnë votat me kusht, votat me postë dhe votat e personave me nevoja të veçanta, prandaj pritet të bëhen zytare dhe këto të fundit.

Image result for Vetëvendosja fiton zgjedhjet festimi

Ndërkohë kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka shpallur fitoren e partisë së tij mbrëmjen e djeshme. Ai tha se nga nesër(sot) do të nisë punën për formimin e qeverisë, ndërsa premtoi para mediave se do të punojë fort për vendosjen e shtetit të Kosovës në binarët e drejtësisë.

Rama uron Albin Kurtin për fitoren

Kryeministri uron Kosovën për zgjedhjet e suksesshme parlamentare të mbajtura këtë të diel, me anë të një postimi nëpërmjet rrjetit social “twitter”.

Në postimin e tij, kryeministri Rama uron Albin Kurtin, për rezultatin më të mirë, si dhe nuk lë pa përmendur as partitë e tjera, duke uruar LDK për rezultatin e dytë më të mirë dhe PDK për pranimin shembullor të rezultatit.

Postimi i kryeministrit:

“Urime Kosovës për zgjedhjet e suksesshme parlamentare. Urime Vetëvendosjes e Albin Kurtit për rezultatin më të mirë. Urime LDK e Vjosa Osmanit për rezultatin e dytë më të mirë. Urime PDK e Kadri Veselit për pranimin shembullor të rezultatit. Sa më e mbarë dita e re për Kosovën”.


error: Të drejtat e rezervuara !!