Gjeloshaj: Në 2016 të reflektoj politika e vjetër, ti jepet përparësi të rinjëve

0

Të nderuar miq,

Unë me opinionin e parë për vitin 2016, nuk do të ndalem shumë në çeshtje që nuk janë realizuar në vitin e kaluar apo shumë e shumë vite tjera, asesi për tu ikur përgjegjësive, por për të vazhduar përpara pa ndalur në realizimin e tyre. Edhe më pak do tu kushtoj vëmendje “politikanëve memec” që njëzet e më shumë vite flasin të njëjtat gjëra pa asnjë rezultat konkret.

Vitin që lamë pas e karakterizojnë disa ngjarje, të cilat edhe pa vullnetin tonë u realizuan! Veçanarisht do të potencoj ndryshimin e statusit të Komunës Urbane në Komunë në kuadër të kryeqytetit të Podgoricës. Ne fillimisht jemi angazhuar me amandamente të përmirësojmë këto ligje, por ato u cilësuan si të papranushme për shumicën dhe siç e dinë të gjithë, unë votova kundër. Ne do të vazhdojmë betejën tonë për Komunë si të gjitha tjerat në Mal të Zi.

Po ashtu një tjetër ngjarje që sipas mendimit tim nuk mund të cilësohet si pozitve është mosnënshkrimi i Platformës që diaspora jonë e nderuar kishte përgatitur për unifikim e subjekteve nacionale nga treva e Malësisë. Po kjo është e njëjta diasporë që pa ndihmën e të cilëve nuk u realizua asnjë projekt i rëndësishëm në trevën e Malësisë, e veçanarisht do veçoja Funeralin e Malësisë, si një ngjarje pozitive e vitit 2015. Tjetër çështje që sipas mendimit tim nuk u realizuan për vitin e kaluar dhe disa vite që lam pas është mungesa e investimeve të shumta të premtuara vite me radhë nga pushteti lokal e ai qendror, siç janë: infrastruktura rrugore, investimet në zhvillimin e sportit, hapja e vendeve të reja të punës etj.,etj., të cilat janë premtime shumë vjeçare me rëndësi të veçant për Malësinë.

Po afrohen dy vite në pozitën e deputetit në Parlamentin e Malit te Zi, gjatë kësaj periudhe jam munduar të jem shumë afër me qytetarët për çdo lëvizje të vogël që është bërë për Malësinë dhe shqiptarët në përgjithësi, duke mos manipuluar me ndjenjat e tyre! Në qoftë se më pyet dikush, a është bërë mjaft? Natyrisht se JO, por që lëvizje pozitive kishte.

Është tepër tendencioze dhe po aq ironike kur pohohet që nuk është bërë asnjë gjë! Nënë Tereza thoshte: “Ne jeni krijuar të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe”. Ndoshta ata që nuk ndajnë të nëjtin mendim, do t’i realizojnë të gjitha menjëherë, ose ndoshta do të vazhojnë me ritmin e njëjtë të manipulimeve siç kanë bërë deri më tani! Ndoshta atyre nuk ju pelqen që nxënësit tonë për herë të parë, sikur bashkëkombasit e tyre në Prishtinë, Tiranë e Shkup mësojnë me Abetarën Kombëtare. Nuk ju pëlqen që shkollat tona po avancojnë në çdo aspekt çdo ditë e më shumë. Nuk ju pëlqen që vet ata 20 vitet e fundit nuk arritën t’i realizojnë kushtet bazë për të jetuar,sikur është ujësjellësi në disa treva malore të Malësisë etj. Ndoshta nuk ju pëlqen që qytetarët tonë po u ofrohen mundësitë për shërbime me të lehta institucionale për nevojat e tyre në Tuz.

Të gjitha këto duhet të shihen si aspekte pozitive , nuk janë të mjaftueshme, natyrisht janë gjëra të vogla, por që janë bërë me vullnet, pasion e dashuri të madhe!
Të nderuar qytetar, unë nuk do ta teproj me optimizëm, por që premtoj se do të jem shumë afër jush për çdo gjë, do të përpiqem maksimalisht me tërë kapacitetin tim për të punuar në avancimin e çështjes shqiptare në Mal të Zi e më gjërë.

Ndër tjera, fokusin tim për vitin 2016 do ta kem në: Unifikim e faktorit shqiptar në Mal të Zi për zgjedhjet e ardhshme dhe për komunën e Malësisë. Përfundimin e ujësjellësit për zonën e Hotit dhe angazhim maksimal për pjesën tjetër rurale të Malësisë. Fillimin e punimeve për rrugën e Trieshit.
Do të angazhohem këtë vit që hapësira në politikë të ju jepet të rinjëve, atyre që kanë vullnet, dëshirë dhe energji për të arritur suksese, që duan dhe munden të punojnë gjëra konkrete për vendin tonë. Do të përkrahi dhe do të jap kontributin tim që politika e vjetër të reflektojë dhe të marrin përgjegjësit për atë që qytetarët u besuan por nuk e realizuan. Nuk mund të kërkosh besimin për një projekt dhe të mos bësh asnjë hap për ta realizuar dhe gjithmonë faji ti kaloj dikuj tjetër. Kjo dukuri një herë e mirë duhet të marrë fund, është koha që kjo politikë të shkoj në pension, duhet të mësohemi se faji nuk është jetim. Në politikë faji nuk qendron gjithmonë te tjetri, fjalet boshe dhe manipulimet me opinionin janë të pandershme, është koha për të bërë një ndryshim të madh.

Sinqerisht, Nik Gjeloshaj

error: Të drejtat e rezervuara !!