Camaj: Vetëm të bashkuar mund të kemi sukses

0

Situata e shqiptarëve në Mal të Zi nuk është askund afër asaj që pritet, e aq më pak asaj që dëshirojmë, tha kryetari i Lidhjes Demokratike Shqiptare (LDSH), Nikollë Camaj.

I pyetur nëse pozicioni i shqiptarëve në Mal të Zi është më mirë sot sesa ishte një dekadë më parë, ai theksoi se “gjërat kanë lëvizur për më mirë, prandaj krijohet përshtypje se është më mirë se ç’ishte, por as afër asaj që pritet, e aq më pak asaj që dëshirojmë. “Dënimet për valëvitjen e flamurit kombëtar, paraqesin vetëm majen e ajsbergut, çka flet për qëndrimin e vërtetë të kësaj qeverie ndaj shqiptarëve. Edhe tutje, jemi larg me përqindjen në punësim. Për këtë mjaftueshëm flet edhe numri i zyrtarëve të policisë ose doganierëve në vendkalimet kufitare me Shqipëri, e mos të përmendim gjyqtarët, prokurorët, drejtorët e institucioneve publike, etj”, tha Camaj.

Camaj potencoi se modeli i Tuzit e ka vërtëtuar se vetëm si të bashkuar, por edhe të sinqertë në bashkëpunim, mund të ketë sukses, kështu që duhet të bëhen përpjekje që modeli i Tuzit të funksionojë edhe për zgjedhjet e ardhshme Parlamentare.

“Sigurisht, për të ardhur deri te kjo, duhet të ketë edhe të atillë që janë të gatshëm të sakrifikojnë ambiciet personale, siç ishte në shembullin e Tuzit, LDSH. Ne sigurisht që do të vazhdojmë të kontribuojmë në kauzën e përgjithshme”, deklaroi Camaj.

error: Të drejtat e rezervuara !!