Meta shtyn zgjedhjet vendore të 30 qershorit – Rama: Presidenti gaboi, zgjedhjet do mbahen

0

Presidenti Ilir Meta ka vendosur që të shtyjë zgjedhjet vendore të 30 qershorit.

Në një deklaratë të shpërndarë për mediat, Meta duke u ndalur tek situata politike e krijuar dhe mos-reflektimi I asnjërës palë shprehet se ka vendosur që të shfuqizojë dekretin e zgjedhjeve.

Sipas kreut të shtetit, ky veprim është kryer “me vetëdije të plotë se kushtet aktuale nuk mundësojnë zhvillimin e zgjedhjeve të vërteta, demokratike, përfaqësuese dhe gjithëpërfshirëse”.

Rama: Presidenti gaboi, zgjedhjet do mbahen më 30 qershor

Kryeministri Edi Rama iu pergjigj vendimit të Presidentit Meta për të shtyrë datën e zgjedhjeve. Nga Berati, Rama tha se Presidenti e ka gabim me anulimin e datës së zgjedhjeve.

Kryeministri theksoi se mazhoranca më 30 qershor do bëj zgjedhjet, pasi ato nuk janë të partive, as të Presidentit, por janë të popullit.

“Përsëri gabim, zgjedhjet do behën në 30 qershor. Duan të pengojnë reformën në drejtësi. Në 30 qershor do të bëjmë zgjedhje, nuk janë as të partive, presidentit, por zgjedhjet janë të popullit shqiptar. E kuptoni se çfarë çorapi duan ta bëjnë Shqipërinë, gjetëm shesh dhe do bëjmë për shesh.

Kjo është një përpjekje e dëshpëruar, e disa njerëzve të dëshpëruar që janë të destinuar të humbin në mënyrë të dëshpëruar”, tha Rama.

Deklarata e plotë e Presidentit të Republikës

1.Me shqetësimin e thellë për situatën kritike të krijuar në vend si pasojë e mos-reflektimit të asnjërës palë;

2.Duke patur parasysh domosdoshmërinë e çtensionimit urgjent të situatës dhe të rrezikut të përshkallëzimit të paparashikueshëm të konfliktit në vend;

3.Duke marrë përgjegjësinë e lartë kushtetuese e institucionale, dhe i bindur se mbrojtja e parimeve kushtetuese është më e rëndësishme se çdo afat ligjor, si Kreu i Shtetit dhe duke iu përmbajtur betimit për t’i shërbyer ruajtjes me çdo kusht të stabilitetit, paqes sociale dhe unitetit kombëtar;

4.Me vetëdije të plotë se kushtet aktuale nuk mundësojnë zhvillimin e zgjedhjeve të vërteta, demokratike, përfaqësuese dhe gjithëpërfshirëse. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë kriter kryesor i Kopenhagës dhe në kushtet aktuale, për mungesë përgjegjësie të të dy palëve, po shkojmë drejt votimeve një partiake. Në këtë mënyrë minohet çdo mundësi për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian, dëmtohet imazhi si vend anëtar i NATO-s dhe cenohet kryesimi i OSBE-në për vitin 2020;

5.Duke ftuar të gjithë aktorët e përgjegjshëm vendas dhe ndërkombëtarë të bashkojnë kontributet konstruktive për rivendosjen urgjent të dialogut të pazëvendësueshëm politik dhe për gjetjen e një zgjidhjeje të shpejtë dhe që i shërben të ardhmes evropiane të Shqipërisë;

Kam vendosur të shfuqizoj Dekretin nr.10928, datë 05.11.2018 për zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore më datë 30 qershor 2019.

          Në komunikimin e parë ditën e hënë, datë 10 qershor, në mëngjes, Institucioni i Presidentit të Republikës do të bëjë publikisht me dije të gjithë argumentat shteruese kushtetues, ligjorë dhe logjikë që çuan në marrjen e këtij vendimi.

          U bëj thirrje udhëheqësve të opozitës që protesta e sotme të zhvillohet në mënyrë tërësisht paqësore, larg çdo akti dhune.

          Njëkohësisht u tërheq vëmendjen të gjitha palëve që të shmangin çdo provokim që mund të shfaqet gjatë protestës.

          Shqipëria e para!

          Shqipëria si gjithë Evropa!


error: Të drejtat e rezervuara !!