Rama, kritikon BE-në: Po i bën padrejtësi Shqipërisë dhe Kosovës.

0

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kritikoi Bashkimin Evropian për kushtëzimin e liberalizimit të vizave për Kosovën me demarkacionin me Malin e Zi.

Sipas shefit të qeverisë shqiptare, Brukseli në të njëjtën kohë po negocion me Serbinë, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Rama, në një intervistë për gazetën “DerStandard” të Vjenës, nënvizoi se Bashkimi Evropian po i bën padrejtësi Shqipërisë dhe Kosovës.

“Shqipëria ishte anëtare e NATO-s para Malit të Zi. Veç kësaj ne jemi duke bërë disa vendime për reforma gjyqësore gjithashtu para Malit të Zi. Është fantastike që Serbia e Mali i Zi po negociojnë me BE-në, por është e padrejtë që ne nuk po e bëjmë atë”, tha Rama.

Ai ka thënë po ashtu se ndonëse kosovarët kanë shtetin e tyre, nuk gëzojnë lëvizjen e lirë dhe janë të vetmit njerëz në të gjithë Evropën që nuk mund të dalin nga vendi i tyre dhe “krejt kjo për shkak të disa kritereve të pakuptimta”.

reklamo

“Atyre u janë vënë kushte për të fituar regjimin pa viza. BE-ja thotë: së pari duhet të ketë një marrëveshje për demarkacionin me Malin e Zi, ndërkohë që negocion me Serbinë, një vend që madje nuk e ka njohur Kosovën, e lëre më kufijtë e Kosovës”, ka deklaruar kreu i ekzekutivit shqiptar.

Rama tha po ashtu se, pavarësisht se çfarë thonë të tjerët, ai gjithmonë do të interesohet për shqiptarët që jetojnë në vende të tjera, sepse për këtë e obligon Kushtetuta e Shqipërisë.

Tutje, ai foli edhe për çështjen e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë, duke thënë se dëshirojnë një kufi siç e ka Austria me Zvicrën.

“Dëshirojmë menaxhim të lehtë kufitar, jo pa kontrolle”, theksoi ai.