Trazira të dhunshme në protestën e opozitës në Tiranë (Video)

0

Për gati 4 orë, mijëra mbështetës të opozitës në Shqipëri protestuan sot (11:00- 15:00) para kryeministrisë por dhe pranë ministrisë së Brendshme duke kërkuar largimin e qeverisë, krijimin e një qeverie teknike dhe zgjedhje të parakohshme.

Të ardhur edhe nga qytete të ndryshme, protestuesit fillimisht u mblodhën në sheshin “Skënderbej” dhe në selinë PD. Më pas ata marshuan përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” deri tek kryeministria ku dhe u mbajtën fjalimet e rastit nga eksponentë kryesorë të PD-së, kryetari Lulzim Basha por dhe qytetarë të thjeshtë.

Nuk munguan incidentet . Protestuesit qëlluan me vezë, bojë të zezë, shkopinj të cilëve më parë u ishin hequr panakartat, shishe plastike, dhe tymuese ngjyrë blu selinë e Qeverisë, ndërsa disa persona tentuan të thyenin kordonin policor për të hipur në shkallët e kryeministrisë.
“Mosbindja civile ka nisur. Ka nisur stina e protestave deri në largimin e qeverisë Rama- Meta, krijimin e një qeverie teknike dhe zgjedhje të reja” tha kryetari i PD-se Lulzim Basha.

Rreth orës 13:00 turma u zhvendos drejt ministrisë së Brendshme ku ndodhej instalacioni i bunkerit.Një grup të rinjsh që kishin qenë më parë aty hodhën poshtë gardhin rrethues dhe i vunë flakën bunkerit.

Protestuesit goditën me gurë dhe dritaret e ministrisë, por me ndërhyrjen e organizatorëve ndaluan.Policia ka qenë aty por nuk ka ndërhyrë për të mos përshkallëzuar situatën.

Kryeministri Edi Rama e quajti shëmti e trishtueshme e një PD e mbytur në pellgun e nje vandalizmi mizerabel.

error: Të drejtat e rezervuara !!