Genci Nimanbegu: Shqiptarët po pakësohen në Malin e Zi, ishim 7%, jemi 4.9%

0

Kushtet ekonomike në Mal të Zi janë në disfavor të shqiptarëve. Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, nënkryetari i Parlamentit të Malit të Zi, Genci Nimanbegu, flet për bashkimin e partive shqiptare në zgjedhjet e Komunës së Tuzit në 3 mars 2019, centralizimin e pushtetit dhe privatizimet

Erjon Dervishi

Në Malin e Zi, jetojnë dhe punojnë në trojet e tyre një pjesë e rëndësishme e shqiptarëve. Tashmë pakica shqiptare ka avancuar në disa drejtime, duke përfshirë krijimin e partive politike, përfaqësimin në rang komunash. Por akoma Parlamenti i Malit të Zi, nuk dëgjon shumë zëra të përfaqësuesve shqiptarë. Sot në Parlamentin e Malit të Zi, ndodhet vetëm një deputet shqiptar. Ai është Genci Nimangebu, i cili është njëkohësisht edhe nënkryetar i këtij institucioni. Ai është zgjedhur si pjesë e këtij Parlamentin, në zgjedhjet e vitit, 2009, 2012 dhe 2016. Në datën 3 mars 2019, komuna e Tuzit ka zgjedhje. Pritet që atje të ketë një pjesëmarrje të lartë. Për të bërë një pasqyrim më të detajuar të situatës së shqiptarëve atje, gazeta “Shekulli”, ka intervistuar Nënkryetarin e Parlamentit, Z. Genci Nimanbegu.

Nimanbegu, si paraqitet në përgjithësi situata e shqiptarëve në Malin e Zi?

Situata e shqiptarëve në Mal të Zi është bashkudhëtare e situatës politike në këtë shtet, por ajo ende lë mjaft për të dëshiruar. Përkundër deklarimeve (të faktorëve të tjerë) dhe vete deklarimit (të faktorit malazias) se jemi shtet lider në rajon, veçanërisht në integrimet evropiane, gjë të cilën unë i kuptoj si pranim i kritereve dhe rregullave shoqërore të një shteti me demokraci të mirëfilltë, me pozitën tonë nuk jemi të kënaqur. Në aspektin legjislativ çështjet duken të avancuara, por ngecjet shihen në zbatimin e po të njëjtave ligje. Vetëm një shikim i përciptë në lëvizjen e popullsisë shqiptare në Mal të Zi na tregon shumë. Sot kemi mbetur në 4,9% të popullsisë në Mal të Zi, e para tri dekadash ishim rreth 7%. Gjatë kësaj periudhe kushtet shoqërore dhe ekonomike për bashkësinë shqiptare dhe shumicën malaziase nuk kanë ndryshuar (megjithëse kanë qenë në disfavor për shqiptarët). Për këtë arsye, mbesin rrethanat politike, që tregojnë se diçka nuk është në rregull. Të jesh pakicë, do të thotë të luftosh pandërprerë për avancimin e të drejtave të tua si kolektive, ashtu edhe individuale. Ndërsa, të jesh pakicë në shtetet ballkanike është të luftosh me vetëdijen e shumicës, që shpesh vetëm deklarativisht e pranon barazinë. E mbështesim plotësisht politikën e jashtme të Malit të Zi, posaçërisht politikën e fqinjësisë së mirë, integrimet në EU dhe NATO, por njëkohësisht jemi thellësisht të pakënaqur me politikat e brendshme në fushën e ekonomisë, centralizimit të pushtetit, privatizimeve dhe investimeve, veçanërisht në trevat ku jetojnë pakicat.

Mendoni se partitë politike shqiptare në Malin e ZI, kanë një qëndrim të përbashkët për sa i përket çështjes shqiptare?

Të gjitha partitë politike shqiptare në Mal të Zi kanë pothuajse një program të njëjtë në thelbin e të cilit janë të drejtat e shqiptarëve në këtë shtet. Vetëdija politike e shqiptarëve të dalë nga sistemi i përparshëm, e të tillë ishin ata që krijuan partitë politike, nuk ishte në nivelin e duhur. Shpesh ishte paaftësia e liderëve tanë ajo që e definonte në masë të madhe luftën për të drejtat tona (më mirë të thuhet për poste të tyre). Shpesh ndarjet ndërmjet nesh ishin të iniciuara edhe nga pushteti, janë ato që na vështirësojnë arritjen e politikave më të mira për popullsinë. Shpresoj se sot po vjen një strukturë e re politike, që krahas kërkesave për të drejtat e shqiptarëve në aspektin e ruajtjes së identitetit, duhet të merret edhe me çështjet ekonomike, sociale… që nuk ishin temë e interesimit për të parët. Vet sjellja dhe veprimi shpërfillës malazias i partisë në pushtet në këto dekadat e fundit lidhur me kërkesat tona, na kanë marrë shumë energji dhe kohë që do të mund t’i shfrytëzonim në mënyrë më efikase. Kjo ka prodhuar një mendësi që shpesh ka për rezultat në njërën anë servilizmin e liderëve politikë, e në anën tjetër indiferencën e votuesit shqiptar, e si pasojë edhe me humbjen e mbështetjes për këto subjekte. Aty edhe qëndrojnë dallimet kyçe ndërmjet subjekteve politike shqiptare. Unë do t’i ndaja në dy grupe: ato që shprehin luajalitet të pakusht ndaj hyrjes në pushtet dhe ato që kanë një qëndrim konsekuent politik, e që, ndonëse janë në koalicion qeverisës, e kanë krijuar një vizurë të njohur të vetën, e këtu pa modesti mund ta fus subjektin tim politik – Forcën, në skenën politike në Mal të Zi.

Duke qenë se në 3 mars do të zhvillohen zgjedhje në komunën e Tuzit, madje këto zgjedhje konsiderohen të parat që pas ndryshimit të statusit të saj, ku ju keni qene edhe nismëtar. Si i parashikoni zgjedhjet, dhe mundësitë për të fituar të partive shqiptare?

Isha njëri nga nismëtarët, gjegjësisht ai që tërë kohën e “përkujtoja” pushtetin malazias se Tuzi duhet të fitojë mundësinë e vetëqeverisjes, e që për fatin tim isha edhe hartues i marrëveshjes së koalicionit qeverisës, që më në fund rezultoi me prodhimin e saj. Në sistemin tonë të organizimit territorial, termi komunë është identik me termin bashki në Shqipëri. Tuzi, si qendër e Malësisë, ka qenë shumë i rëndësishëm për ruajtjen e indit kombëtar shqiptar, jo vetëm sot, por edhe gjatë historisë. Në anën tjetër, Ulqinit, si komunë, deri tash e vetme me shumicë shqiptare në Mal të Zi, iu shtua edhe një komunë tjetër shqiptare, që së bashku do ta ngritin zërin dhe do të jenë në mbrojtje të elementit tonë. E kam thënë edhe përpara, është hap shumë pozitiv fakti që të tri subjektet shqiptare më në fund u bashkuan në një listë të vetme. Është ky fillim i mbarë, por thjeshtë vetëm fillim. Mundësitë e fitimit të zgjedhjeve lokale në Tuz janë rritur dukshëm. Ajo shihet në secilin hap, diaspora jonë është më se e kënaqur me një vendim të tillë. Por nuk duhet harruar, se pasojat e organizimit të mëparshëm fillimisht si komunë urbane, e më vonë si komunë në kuadër të kryeqytetit mund të jenë edhe problematike. Struktura e të punësuarve sipas parimit partiak, duke e anashkaluar aspektin profesional, që është krijuar deri më tani, mund të jetë ndërkëmbës për probleme jo të vogla, veçanërisht në fillim.

Veprimtaria e Genci Nimabegut

Genci Nimanbegu (1971) i lindur dhe rritur ne Ulqin. Studimet i filloi në Dubrovnik Kroaci, e për shkaqe të luftës ne ish-Jugosllavi i vazhdoi dhe u diplomua në Podgoricë (Fakulteti ekonomik). Gjatë luftës në Kosovë (mars-qershor 1999) formon dhe udhëheq organizatën bamirëse “Drita” në Ulqin, për strehimin e refugjatëve. Prej 1999 deri në 2004 punon në misionin e KB (UN/WFP) në Mal të Zi. Nga viti 2004 drejton “Ulqin Business Association”-in. Ne vitin 2005, bashkë me intelektualë dhe atdhedashës themelon partinë politike shqiptare “Forca e Re Demokratike”, ku është nënkryetar i saj. Kryetar i Këshillit Kombëtar te Shqiptarëve në Malin e Zi nga 2013 -2018. Në zgjedhjet parlamentare të 2009, 2012 dhe 2016 zgjidhet deputet i këtij subjekti në Parlamentin e Malit të Zi. Aktualisht është nënkryetar i Kuvendit të MZ dhe deputet i vetëm shqiptar në Kuvendin e MZ. Gjithashtu është anëtar i komisionit për Ekonominë, Financat dhe Buxhetin si dhe Komitetit për Turizëm, Bujqësi dhe Planifikim Hapësinor. Anëtar i Asamblesë Parlamentare të NATO-s para Kuvendit të Malit të Zi nga 2017. Flet disa gjuhë të huaja. Shquhet për decentralizimin e pushtetit dhe mbrojtjen e të drejtave te shqiptareve në MZ. Është i martuar me piktoren akademike, Vahidën me të cilën ka dy fëmijë Lisën dhe Jonin. Jeton në Kala të Ulqinit.

Në lidhje me përdorimin e gjuhës shqipe, ka reagime se ajo përdoret pak, edhe pse njihet me kushtetutë. Pse ndodh kjo?

Në Mal të Zi kemi një përcaktim pak si problematik juridik mbi gjuhën. Atë zyrtare dhe gjuhën në përdorim zyrtar. Përcaktimi i dytë i takon gjuhës shqipe. Ndërsa i pari gjuhës me katër emra (malazezisht, serbisht, boshnjakisht dhe kroatisht). Shqiptarët në Mal të Zi jemi kombi i vetëm në këtë shtet që ka gjuhë dalluese nga të tjerët, pra jemi edhe pakicë gjuhësore. Në arsimim kemi shkollimin nëntëvjeçar, të mesëm dhe një program të vetëm studimor (për mësues) në pesë klasat fillestare. Mungon arsimimi në gjuhën shqipe për profilet tjera arsimore, por edhe profilet që do të ishin interesante për trevat tona, si për shembull turizmi… Aty kemi arrirë më së shumti. Shpesh dëgjohet se është i lirë edhe përdorimi i shqipes në organet gjyqësore. Por, unë nuk e marr si të tillë. Atë lloj të drejte për përdorimin e gjuhës së vet në gjyq (përmes përkthyesit) e ka çdo njeri në botë, përndryshe procesi gjyqësor nuk do të mund të mbahej. Por procesi gjyqësor nuk mbahet në gjuhën shqipe as nëse janë të tri palët: gjykatësi, i akuzuari dhe prokurori shqiptar. Dygjuhësia në vendet me shumicë shqiptare është definuar me ligj, por edhe aty kemi mangësi. Ajo nuk është e obligueshme, gjegjësisht nuk ka sanksione për ata që nuk e përdorin shqipen. Ndonëse në një masë shumë më të vogël se përpara, ende i kemi mbiemrat shqiptarë me prapashtesën sllave –iq ose –viq. Këtu kemi mungesën e vetëdijes së atyre shqiptarëve që e mbajnë ende këtë, ngase ligji e mundëson përdorimin e lirë. Por të jetosh më se një shekull në shtet të huaj (dhe para së gjithash jodemokratik), medoemos i ka konsekuencat e veta.

Për sa i përket pronave private të shtetëzuara në Malin e Zi. Ajo përben një shqetësim, si mendoni se do te zgjidhet kjo çështje?

Çështja e restitucionit dhe kthimit të pronave të shtetëzuara është një temë tjetër që është në fokusin e interesit tonë. Disa treva janë të humbura përgjithmonë. Shembull i tillë është vendbanimi Dheu i zi (që sot e quajnë Karabushko pole) afër Tuzit. Ato ishin dikur prona të malësorëve, e sot aty janë vendosur disa qindra familje, kryesisht “boshnjake” nga veriu i Malit të Zi, që ndryshojnë strukturën demografike të Malësisë. Edhe përkundër të së drejtës ndërkombëtare se nuk guxohet të ndryshohet kjo strukturë, veçanërisht te pakicat autoktone, këtu është luajtur një lojë perfide e shtetit dhe sot e kemi një situatë krejt tjetër. Në Ulqin kemi shumë prona që nuk u janë kthyer shqiptarëve, që nga Valdanosi, kjo perlë e bregdetit e mbuluar me ullishta, e deri në Kriporen e Ulqinit. Madje, kemi pasur një luftë të vazhdueshme për ruajtjen e tyre, gjë që më në fund po i shihet zgjidhja. Me malverzime të ndryshme Kriporja pati përjetuar një “privatizim”, me qëllim që aty të bëhen ndërtime, por e ruajtëm me angazhim e vetëdijes ekologjike të ulqinakëve, por edhe të faktorit ndërkombëtar dhe tani është përmendore e natyrës. Sot jemi në pritje të vendimit që ullishtat e Valdanosit më në fund do t’u kthehen pronarëve të vërtetë. Përndryshe, kjo mund të jetë vijë e kuqe jona ndaj politikës së Malit të Zi, sepse jemi ngopur me premtime, por kërkojmë rezultate.

error: Të drejtat e rezervuara !!