Është koha për zgjerimin dhe modernizimin e pikës kufitare Muriqan – Sukubinë!

0

Nga Xheladin Zeneli

Para 15 viteve, pra në vitin 2002 u hap pika kufitare midis Shqipërisë dhe Malit të Zi në vendin Sukubinë-Muriqan, i cili gjindet në aksin rrugor Ulqin-Shkodër. Në një atmosferë të atëhershme solemne dhe në presencën e mijëra banorëve nga Ulqini, Ana e Malit, Tivari, Kraja, dhe Shkodra me rrethinë, të cilët shprehën gëzimin dhe kënaqësinë e tyre që pas 50 viteve, banorët e të dy anëve të kufirit mund të lëviznin lirshëm dhe mund të ripërtrijnë marrëdhëniet e tyre vëllazërore në çdo aspekt të jetës shoqërore.

Po veçojmë disa fjali të zyrtarëve të atëhershëm të Shqipërisë dhe të Malit të Zi, të cilët me pompozitet të madh u shprehën me rastin e hapjes së këtij vendkalimi kufitar, ku në mes tjerash ata thanë :”…Kjo pikë kufitare afron Shkodrën dhe Ulqinin duke bërë bashkimin shpirtëror, i cili për vite ishte i ndaluar…”.” …Pika kufitare në Sukubinë- Muriqan do të shkurtojë dukshëm distancën midis dy qyteteve të lashta, Shkodrës dhe Ulqinit”.
Me keqardhje mund konstatojmë por ky vendkalim kufitar sot, gjatë muajvë të verës , me pritjet e mëdha dhe kolonat e gjata, nuk po shkurton por po e zgjat dukshëm distancën në mes këtyre dy qyteteve dhe më shumë po largon se sa po afron, posaçërisht banorët vendas të dy anëve të kufirit shqiptaro – shiptar.

Nga Ulqini deri në Shkodër ka 42 kilometra dhe kjo distancë, në kushte normale kalohet për 40-50 minuta, por gjatë verës mund shpenzohen edhe 3-4 orë udhëtim me automjet !
Vitëve të fundit, më ka qëlluar shpesh që gjatë pushimit tim veror në vendlindje ( Anë të Malit), bashkë me të afërmit, miqët apo shokët të mendojmë për të shkuar dhe për të kaluar ndonji pasdite apo mbrëmje të bukur në Shkodër, por kjo dëshirë, gjithëmonë pengohej që të realizohej nga vet fakti i kolonave të gjata të automjeteve,nganjëherë me disa kilometra, që presin të kalojnë nga të dyja anët e kufirit !. Jam i bindur se po e njëjta arsye i diskurajon edhe shumë të tjerë që dëshirojnë të marrin drejtimin përtej kufirit.
Që nga dita e hapjes së pikës kufitare në fjalë e deri më sot, gjendja ka ardhur duke u përkeqësuar, edhe përkundër angazhimeve të dy palëve në përmirësimin apo përshpejtimin e procedurës doganore. Në vitin 2009 filloj nga puna ndërtesa e përbashkët doganore Shqipëri/Mali i Zi ku atëherë të dy policitë kufitare i kontrollonin dokumentet veçmas, proces ky i cili ngadalësonte procedurën doganore. Kurse në vitin 2011 për shtetasit shqiptarë dhe malazezë filloj procesi i kalimit të kufirit vetëm përmes letërnjoftimit i cili kontrollohet vetëm një herë nga punonjësit e dy vendeve.

Problemi paraqitet gjatë muajve veror ku ka një fluks të jashtëzakonshëm të turistëve dhe një ngarkesë tepër të madhe në aksin rrugor Ulqin-Shkodër i cili njëherit shfrytëzohet si udhë lidhëse me autostradat e disa shteteve të rajonit dhe në këtë mënyrë

krijon trysni kumunikacioni në vendkalimin Muriqan-Sukubinë.

Pra, në rastin e turistëve tranzitor , në pikën kufitare duhet të realizohet dhe implementohet programi i integruar kompjuterik , diçka që aplikohet në vendet e Europës Përendimore, me anë të së cilit bëhet regjistrimi i dokumenteve një herë të vetme .Pra, e gjithë esenca e egzistimit të një ndërtese të përbashkët doganore është që të gjithë kalimtarët, bashkë me automjetet e tyre, të identifikohen vetëm një herë.

Problemi tjetër ka të bëjë me infrastukturën rrugore e cila duhet t’i përshtatet kapacitetit të tanishëm të automjeteve. Siç dihet ndërtimi i pjesës së aksit rrugor Ulqin – Krythë po zvarritet me vite të tëra dhe kjo po e vështirëson gjendjen edhe aq të vështirë. Derisa në fillim të hapjes dhe funksionimit të kësaj pike kufitare, numëri i kalimtarëve ishte i vogël, me kalimin e kohës ky numër ka arritur me qindra mijëra në vit dhe dogana egzistuese nuk e përmban dot ngarkesën e tanishme.

Gjithashtu, ndoshta është koha që dy shtetet përkatëse të investojnë në zgjerimin dhe modernizimin e ndërtesës së përbashkët doganore, ndërtimi i së cilës ishte financuar nga BE në vitin 2009.
Pa marr parasysh planeve të ardhshme, një gjë është e sigurtë, se diçka medeomos duhet të ndryshojë pozitivisht, me qëllim që të minimizohet pritja e automjeteve dhe të lehtësohet procedura e kalimit të kufirit. Në rend të parë, për banorët vendas në të dy anët e kufirit të cilët në asnjë mënyrë nuk do të duheshin që të presin 2-3 orë në muajt e nxehtë të verës, brenda veturave të tyre, për të shkuar për të hëngër një darkë apo për të pirë një kafe në qytetet e tyre respektive, në Shkodër apo në Ulqin.Kurse për turistët dhe pushuesit transitor do të duhet t’ju mundësohet që mos të të humbin gjysmën e ditës së tyre të pushimit duke pritur në kolonat e gjata në doganë.

error: Të drejtat e rezervuara !!