Përgjegjësia politike e shumicës ndaj pakicës

0

Ne botën e qytetëruar në rrethana të reja shoqërore në pluralizëm duhet eliminuar qasjen hegjemoniste e trashëguar nga koha e monizmit, sepse çdo popull  apo pjesë të ndara të tij, duhet të prezantohet me identitetin e vet politik, arsimor e kulturor, pa imponime duke respektuar standardët nderkombëtare, që janë në favor të barazisë qytetare e nacionale në nivel lokal dhe qendror,  që është përgjegjësi politike e shumicës ndaj pakicës për qendrueshmëri dhe respekt shoqëror si kudo në vendet me demokraci të konsoliduar

Dr.Nail  Draga

Mjediset multinacionale dhe multikulturore përkatësisht marrëdhëniet në mes popujve përkatës të shoqërive të tilla vazhdimisht kanë qenë intriguese, sepse raportet shoqërore nuk janë vetëm çështje sistemore, por parimore të respektimit të ndërsjellë. Nga përvoja e vendeve të ish kampit socialist ka se çka të trajtohet në këtë aspekt ku përjashtim nuk bën as Mali i Zi. Duke marrë parasysh se Mali i Zi  është mjedisi me multinacional në Europën Juglindore si i tillë mbetet për të realizuar në praktikë  aktet ligjore vendore dhe standardët ndërkombëtare që janë në favor të barazisë nacionale e qytetare, duke eliminuar qasjen unitare dhe paragjykimet nga e kaluara moniste.

Standardët europiane obligim shtetëror

Ndonëse ne lidhje mbi mbrotjën e qytetarëve të cilët këtu cilësohen si popuj pakicë apo pakica kombëtare ekzistojnë obligime ligjore dhe kushtetuese, pozita dhe statusi i tyre varët nga vet pushteti, përkatësisht shumica e cila prezentohet përmes institucioneve qeveritare. Duke marrë parasysh se pozita dhe statusi i popujve të tillë në monizëm nuk ishte në nivelin e dëshiruar, madje në shumë elemente edhe diskriminuese ku shqiptarët e kanë përjetuar në mënyrë praktike, vazhdimisht ka mundësi të diskutohet dhe të merren masa për përmirësimin e një statusi të tillë, sidomos tash në pluralizëm. Në rrethana të reja në pluralizëm duhët angazhim konkret për të eliminuar pabarazinë praktike e trashëguar që  nuk është  në favor të barazisë qytetare dhe nacionale në Mal të Zi, si mjedis multinacional dhe multikulturor. Ndonëse  një sintagmë e tillë paraqet obligim shtesë të institucioneve qeveritare për barazi në nivel shtetëror duke respektuar standardët demokratike europiane, shumica parlamentare nuk ka treguar ndonjë interesim të veçantë që do të ishte në favor të avancimit  të pozitës dhe statusit të tyre shoqëror.

Në lidhje me çështjet e tilla kohë pas kohe kemi informacione në lidhje me përfaqësimin e pjesëtarëve të popujve pakicë në institucionet shtetërore në nivel lokal dhe ate qendror, nga del se pjesëmarrja e tyre është nën nivelin e pjesëmarrjës në kuadrin e popullsisë së përgjithshme. Ndërsa në këtë kategori  sipas të dhënave zyrtare përjashtim bëjnë vetëm malazezët të cilët kudo janë të përfshirë më shumë se sa marrin pjesë në strukturën e përgjithshme të popullsisë, nga del pabarazia praktike në fushën e  punësimit në aspektin nacional.

Mohohen të drejtat e arritura

Nuk ka dilemë se mosrealizimi i të drejtave nacionale e qytetare nga ana e pjesëtarëve të tyre popujve qe trajtohen si të tillë mbetët  përgjegjësi politike e shumicës ndaj pakicës. Ndërsa, janë te kota angazhimet për hartimin dhe miratimin  e ligjeve te ndryshme  qe janë ne favor të barazisë nacionale dhe qytetare nëse nuk funksionon shteti juridik, sepse kudo ne botën e qytetëruar niveli demokratik i një shoqërie llogaritet në sajë të respektimit te pakicës nga ana e shumicës, permes integrimit të tyre shoqëror duke ruajtur identitetin e tyre nacional dhe kulturor.

Por, edhe pse jemi  ne pluralizëm, në Mal të Zi, kemi vazhdimësi te diskursit politik ndaj pjesëtarëve te popujve pakicë, pra një injorim i shumicës ndaj pakicës, ku rast tipik për ne shqiptarët paraqet ligji zgjedhor i cili u ndryshu me votat e shumicës ortodokse(pozitë e opozitë)në vitin 2011, duke iu mohuar shqiptarëve të drejtat e arritura. Një veprim i tillë ishte i motivuar politikisht, sepse prania e  katër deputetëve autentik  shqiptar në atë mandat paraqiste   rrezik për pushtetin në të ardhmën.

Një veprim i tillë i shumicës ndaj pakicës duke iu imponuar ligjin zgjedhor,  dëshmon se ndaj shqiptarëve vazhdon sindromi i mëhershëm kur është në pyetje përfaqësimi i tyre autentik, sepse qellimi i shumicës është që numri i deputetëve shqiptarë të jetë në minimum, pa peshë politike e  mundësisht sipas shijës dhe me kostumin e pushtetit të shumicës parlamentare. Një veprim i tillë politik dëshmon qartë se këtu nuk respektohen parimet demokratike por interesat e pushtetit, sepse qellimi arsyeton mjetët. 

Me këtë rast duhet cekur reagimet e ndryshme në lidhje me përdorimin e   flamurit kombëtar të shqiptarëve nga vet shqiptarët  qoftë në përdorim privat apo me rastin e fushatave zgjedhore, apo shënimit të festës shtetërore të Malit të Zi(Ulqin,Tuz), siç ishte rasti ditë më parë, çështje kjo e cila  u politizu nga qarqet e caktuara në Mal të Zi, ku mediat e portalet e ndryshme malazeze ishin pjesë e këtij diskursi  antishqiptar. Në vend që mediat e tilla të trajtojnë në mënyrë kritike mos harmonizimin e ligjeve me kushtetutën dhe standardët ndërkombëtare, ata krijojnë huti të opinioni me mentalitet hegjemonsit që nuk është në favor të barazisë nacionale e qytetare në këtë mjedis multinacional.

Unitarizmi arsimor kundër barazisë nacionale           

Arsimi në gjuhën shqipe paraqet çështjen themelore të identitetit të shqiptarëve në këtë mjedis, dukuri  e cila nuk është e kohës së re, por vazhdon nga koha e monizmit. Ndonëse në pluralizëm me të drejtë është pritur që të bëhën ndryshime pozitive jemi të zhgënjyer sepse nuk janë marrë parasysh kërkesat e shqiptarëve. Fjala është për ndryshimet  e nevojshme në planprogramët mësimore të lëndët e identitetit kombëtar, për shkollën fillore dhe ate të mesme.

Pasi për shkollat më mësim ne gjuhën shqipe hartohen programe mësimore unitare  te cilat nuk marrin parasysh specifikat e veçanta të shqiptarëve  është e nevojshme qe të bëhën ndryshime strukturore lëndore qe do te jenë te pranueshme edhe për ne shqiptarët. Këto ndryshime duhet të bëhën duke angazhuar ekspertët e ndryshëm shqiptarë, por edhe të tjerë.

Këtu kryesisht mendoj ne lëndët e identitetit kombëtarë siç janë: historia, kultura muzikore dhe kultura figurative. Nga ky grup i lëndëve përjashtim bën   gjuha shqipe dhe letërsia  e cila është sipas standardëve pedagogjike dhe e pranueshme në çdo aspekt.

Po ashtu çështje në vete paraqesin edhe tekstet shkollore të cilat për nxënësit shqiptar janë të imponuara dhe të dëmshme, sepse janë të përkthyera nga autorët sllavë, që nuk ka të bëjë me  trashëgiminë historike, kulturore e arsimore të shqiptarëve, nga janë të detyruar të mësojnë çdo gjë për të tjerët e aspak për vetën duke rrezikuar identitetin kombëtar të nxënësëve shqiptarë.

Ligj i veçantë arsimor për popujt pakicë

Për të tejkaluar gjendjen ekzituese  e cila është diskriminuese për shqiptarët në  Mal të Zi, duhet të miratohet një ligj i veçantë qe ka të bëj enkas me çështjet e arsimit të popujvepakicëidentik si e ka momentalisht Kroacia, por me specifikat e këtij mjedisi, duke marrë parasysh se shqiptarët janë të vetmit me përkatësi etnike josllave në këtë mjedis.  Një ligj i tillë  i hartuar nga ekpsertët vendor(shqiptarë dhe malazez) dhe ndërkombëtar do te zgjidhte shumë dilema nga fusha e arsimit ne gjuhën shqipe, duke eliminuar konceptin unitar arsimor sikurse  në monizëm edhe tash në pluralizëm(!?).

Në vendet demokratike multinacionale çështjet e tilla trajtohen me seriozitet nga ana e pushtetit ku merren parasysh kërkesat e pjesëtarëve të popujve pakicë duke themeluar  subjekte të veçanta arsimore. Në rastin tonë do të duhej të themelohet  Qendra Arsimore në Gjuhën Shqipe, që do të ishte në kuadër të Ministrisë së arsimit.

Një subjekt i tillë arsimor do te kishte ingerenca të plota për hartimin e programëve mësimore, teksteve shkollore, administratës pedagogjike etj., qe do ishte ne favor te barazisë arsimore   dhe  identitetit kombëtar të shqiptarëve   në Mal të Zi.

Këshillat kombëtare  pa ingerenca

Ndonëse nga viti 2008 kemi një risi sa iu përkët popujve pakicë sepse janë në funksion janë  Këshillat kombëtare të popujve pakicë në Mal të Zi, por fatkeqësisht  nga ana përmbajtësore ata janë pa ingerenca vendosëse sepse  janë vetëm këshilldhënëse. Dhe nga një qasje e tillë jovendimmarrëse ata nuk e kanë arsyetuar vetën. Pikërisht duke marrë parasysh këtë çështje  duhet inicuar procedurën  për ndryshimin ligjor, sepse si të tilla janë vetëm dekor qeveritar e asgjë më shumë. Raste për të dëshmuar  ka mjaft, ku më e veçantë është  dhënia e mendimit për drejtorat e shkollave më mësim në gjuhën shqipe, që  nuk përfillet nga ministri i arsimit, sepse ai vendosë sipas shijes personale dhe përkatësisë partiake e jo vlerave profesionale e shoqërore.

Qasje jo serioze e pushtetit

Ndonëse po bëhën tri dekada nga miratimi i pluralizmit në Mal të Zi, të  përfaqësuesit qeveritar  ekziston  një retorikë e vazhdueshme e cila është utilitare  sa i përkët çështjëve të cilat kanë të bëjnë me pozitën e  popujve  pakicë. Dhe çështjet e tilla janë të pranishme sidomos gjatë fushatave zgjedhore, duke dhënë premtime të rastit, të cilat më vonë pothuaj harrohen tërësisht. Nuk ka dilemë së një qasje e tillë  është  bërë monotone sepse mungojnë veprimet konkrete, sepse, për ndryshime cilësore duhet të ekzistojë vullneti politik i pushtetit, i cili  mungon në praktikë nga del se kemi qasje joserioze që nuk është në favor të  demokratizimit sipas standardëve europiane të mjediseve multinacionale e multikulturore.

Përgjegjësia e subjektëve politike nacionale

Po ashtu në lidhje me këto çështje nuk mund të amnistohen as subjektet politike nacionale të popujve pakicë të cilët duhet të jenë këmbëngulës në realizimin e objektivave të avancimit të pozitës dhe statusit të popujve pakicë të cilët i përfaqësojnë. Pikërisht, pjesëmarrja e shqiptarëve  në koalicionin qeveritar në nivel qendror ofron mundësi dhe përgjegjësi për realizimin e programeve partiake. Dhe fillimisht përgjegjësia fillon më përfaqësimin kadrovik në resoret përkatës, duke marrë parasysh përgatitjen profesionale, meritokracinë partiake dhe autoritetin shoqëror, duke marrë parasysh se ata funksionin   duhet ta trajtojnë si mision politik e jo interesi personal apo të klanëve të ndryshme. Sepse çështja nacionale nuk është çështje personale apo partiake por e të gjithëve, andaj angazhimi në këtë aspekt  duhet të jetë mision i vazhdueshëm, sa politik, personal dhe profesional.

(Qershor 2019)

error: Të drejtat e rezervuara !!