Isa Mustafa del pozitiv me Covid-19

0

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka njoftuar se ka dalë pozitiv në COVID-19.

Mustafa, përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se “përveç një plogështie”, nuk ka ndonjë shqetësim tjetër shëndetësor.

“Sot, pas analizave te kryera, kam rezultuar pozitiv me Covid-19. Përveç një plogështie, nuk vërej ndonjë shqetësim tjetër shëndetësor. Anëtarët e tjerë të familjes nuk janë të prekur. Ditët në vijim to të jem i izoluar. Apeloj te të gjithë për kujdes maksimal!”, shkruan ai.

Dy javë më parë, zyrtarët e LDK-së i kishin deklaruar KOHËS se kryetari Mustafa ishte mirë dhe se s’kishte nevojë të testohej për COVID-19.

Përveç Mustafës, pozitiv me koronavirus kanë rezultuar edhe disa zyrtarë e deputetë të LDK-së. Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka qenë ndër deputetët e pare që ishin diagnostifikuar me Covid-19. Pas tij, pozitiv me koronavirus janë konfirmuar edhe nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Kujtim Shala, deputeti Haxhi Avdyli, kurse së fundi është konfirmuar edhe ish ministri i Infrastrukturës e Ambientit, Lumir Abdixhiku.

Sipas informacioneve jozyrtare, pozitivë me koronavirus kanë rezultuar edhe disa deputetë të grupeve parlamentare, si edhe disa pjesëtar të stafit të Kuvendit të Kosovës.

error: Të drejtat e rezervuara !!