“Ora qytetare” e Ministrisë së mbrojtjes dhe Ushtrisë së MZ në Tuz

0

Në Tuz, në sallën e Kuvendit, sot u mbajt “Ora qytetare”, projekt ky të cilin Ministria e Mbrojtjes e Malit të Zi, e filloi në muajin e kaluar me qëllim të promovimit të thirrjes ushtarake dhe që  po realizohet në bashkëpunim me qeverisjet lokale, përmes kontaktit të drejtpërdrejtë dhe komunikimit me të rinjtë, të moshës nga 18 deri në 21 vjeç, e që pikërisht, ata janë  grupi i qëllimit për këtë projekt të Ushtrisë së Malit të Zi.

Të pranishmëve, në fillim, ju drejtua Kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, i cili i falënderoi të pranishmit dhe mysafirët nga Ministria e Mbrojtjes dhe Ushtria e Malit të Zi, për prezantimin e programit të kësaj Ministrie dhe të Ushtrisë për banorët e kësaj Komune dhe shprehu gatishmërinë për bashkëpunimin e mëtejshëm.

Prezantimin e projektit dhe programit në Tuz  e bëri drejtori i Drejtorisë për resurset njerëzore pranë Ministrisë së Mbrojtjes të Malit të Zi, Mihajllo Vollkov, i cili tha se ky projekt u kushtohet kryesisht të rinjve, por edhe atyre të cilët janë të interesuar të punojnë me dhe për Ushtrinë e Malit të Zi, duke shtuar se  kjo u siguron atyre punësim të garantuar dhe një të ardhme më të sigurt.

“Këtu bëhet fjalë për kushtet për paraqitje për studime në Akademitë ushtarake ndërkombëtare, për shërbim vullnetarë ushtarak, ushtarë me kontratë, kampe verore ushtarake e tjera”, tha Vollkov.  Ai tha se përveç shërbimit ushtarak dhe regjistrimit në Akademitë më prestigjioze ushtarake në botë, nga ato në SHBA dhe Evropë, ekziston edhe mundësia e angazhimit civil edhe për profesionet tjera si: juristë, ekonomistë e degë tjera, por edhe shërbimet tjera civile, e që për të interesuarit e paraqitur do të organizohen kurse 6 dhe 12 mujore.

error: Të drejtat e rezervuara !!