Meritokracia mbi demokracinë

0

Meritokracia mbi demokracinë
Mr. Kristjan Dukaj

“Çdo gjeneratë ka nga një revolucionar, gjenerata ime më kishte mua, po gjenerata Juaj?” kështu fliste Napoleon Bonaparte shumë kohë më parë. Këtyre ditëve, Tirana, kryeqyteti i Republikës së Shqipërisë, më ngjason me Francën, me atë Francë të njohur për revolucione, më ngjason me shkrimet që kam lexuar për lëvizjet studentore të vitit 1968, ku çdo cep rruge duket i revoltuar. Duke ecur rrugëve të Tiranës dhe duke parë gjithë këtë eufori nga të rinjtë, më kujton filmat e shumtë që shihja për revolucione, për ngjarje të larmishme të studentëve, më kthen mbrapa në shkrimet që lexoja dhe mundohesha ta imagjinoja sa bukur dukej, por tani, në fund të vitit 2018, duke ecur këtyre rrugëve, po shohë një realitet të bukur, një lëvizje që të ngjall emocion të jesh pjesë e sajë. Kështu duke lëvizur nëpër qytet si një kalimtarë i rasti, shoh studentë të revoltuar, shohë të rinj të etur për ndryshime, po dëgjoj ide të ndryshme, dëshirë për një të ardhme sa më të mirë. Edhe pse studimet e fundit tregojnë që 80% e të rinjve kanë dëshirë të largohen nga Shqipëria, duket se kjo lëvizje po ngjall një vullnet për të qëndruar.
Duke parë këtë eufori për të cilën po flet e tërë Evropa, fillova të mendoj, mos vallë është kjo një valë e madhe lëvizjesh e cila filloi nga Parisi i Francës dhe po kalon nëpër shtete të ndryshme? Është interesante ta mendosh që një gjë e tillë po ndodh, sepse diçka të mirë duhet të sjelli. Duke parë të gjithë ata të rinj, gjeneratën time, më të moshuar dhe më të rinj, njeriu fillon të ndjehet krenarë që i takon këtij shekulli, i cili nuk është aq revolucionar sa ai i shkrimeve që lexoja për shekullin e kaluar, ose shume shekuj mbrapa, por prapë se prapë të jep ndjesi të mirë dhe dëshirë për ndryshim. Kështu duke ecur rrugëve të Tiranës, mes turmës së madhe, takova disa miq që i njoh shumë kohë më parë dhe fillova të bisedoj me ta. Në sytë e tyre shihej dëshira e madhe për ndryshim, shihej qëllimi i mirë dhe i pastër. Duke biseduar me ta, njëri prej tyre më pyeti: të kujtohet ai shkrimi që bërë kohë më parë për Lëvizjet studentore të vitit 1968?- eh, tani shijoje pak atë që shkrove. Unë buzëqesha, por në fakt, u ndjeva mirë, si një i ri, si një ish studentë dhe si një njeri që flet për ngjarje të tilla që shumë kohë më parë.
U përshëndeta me ta dhe vazhdova rrugën, mes turmës, zhurmë e madhe, thirrje, duartrokitje, fjalime, buzëqeshje, hidhërim e shumë gjëra të tjera mund të shihje në mes të asaj turme. Gjithashtu ato që janë shumë interesante, janë edhe mesazhet e shumta të shkruara në copa flete nga studentët, të cilët në këtë mënyrë tentojnë të shprehin mendimin e vet, pa folur as edhe një fjalë. Këto mesazhe të tyre shumë shpejt u bënë hit nëpër rrjete sociale, duke e bërë këtë protestë më të bukur dhe më interesante.
Ishte shumë e vështirë të dilja nga turma e madhe, rrugët ishin të bllokuara gjithandej, por duke ecur dhe duke vëzhguar këtë ngjarje interesante, u largova paksa dhe vendosa të ulëm në një kafene, të shohë këtë ngjarje dhe të shkruaj këtë shkrim. Edhe pse ditë e ftohtë dimri, së paku dielli doli herët në mëngjes për tu treguar që është në anën e tyre, për të mbajtur gjallë shpresën. Kështu këtë shkrim do e përmbyll me thënie e bukur të një ndër atyre që është simbol i revolucioneve, Ernesto Che Guevara, dhe që i përshtatet secilit që është pjesë e kësaj lëvizje në Tiranë dhe në mbarë Shqipërinë, “Revolucionari i vërtetë udhëhiqet nga ndjenja të mëdha dashurie.”

error: Të drejtat e rezervuara !!