Intervistë me Mark Gjonaj – Amrika na ka dhënë shumë, ia kemi borxh të veprojmë

0

Intervistoi: Dijana Gj. Dukaj

Mark Gjonaj- këshilltar bashkiak në qytetin e Nju Jorkut

K.Javore: Jeni shqiptari i parë që ka arritur nivelin më të lartë në jetën politike në SHBA, respektivisht në qytetin më të madh të botës. Cili ishte motivi kryesor  t’i përkushtoheni veprimtarisë politike?

M.Gjonaj: Është një fazë në jetën e personit kur i jepet mundësia me u marrë me politik që vërtet njeriu bën sakrificë. Mirëpo ky vend, Amerika, ka krijuar kushtet  që, jo vetëm për familjen time, por për shumë shqiptarë e kombe tjera, u ka dhënë mundësi të punojnë dhe të krijojnë për një jetë më të mirë. Kështu, kur mu dha mundësia  të merrem me politik, iu përkushtova me qëllimin që t’i ndihmoj, sado pak, këtij  vendi që na ka dhënë shumë.

K.Javore: Ju, për një kohë relativisht të shkurtër të angazhimit politik si kuadër i Partisë Demokratike, kini arritur një sukses të jashtëzakonshëm duke fituar përkrahjen e votuesve për të fituar mandatin si këshilltar bashkiak  në qytetin e Nju Jorkut. Sipas mendimit tuaj, çfarë ishte vendimtare në rrugëtimin tuaj politik të deritashëm?

M.Gjonaj:   Secili shqiptar e ka një dhunti që të punoj shumë e kjo është, besoj, një gjë që njihet shumë jo vetëm këtu,në SHBA, që si pjesëtar të komunitetit shqiptar nuk i ikim punës. Sepse,  përveç dëshirës qe mund të kemi duhet pasur edhe  vullnetin  që këtu e shohin dhe e vlerësojnë shumë. Në këtë vend e përkrahin njeriun që punon shumë sepse vetëm kështu, ai krijon kushtet për një jetë më të mirë, jo vetëm për veten dhe familjen, por edhe për vendin dhe shoqërinë nëpërgjithësi.

K.Javore: Ju, jeni një shqiptaro-amerikan, me prejardhje nga fshati Reç, komuna e Ulqinit, i lindur në SHBA. Prindërit tuaj, emigruan në SHBA dhe tashmë, kini arritur të jeni emër i njohur i politikës amerikane. Cilat ishin vështirësitë kryesore me të cilat u përballët drejtë suksesit në jetën politike?

M.Gjonaj: Asnjëherë nuk mund ti kënaqësh të gjithë. Në jetë çfarëdo pozite që të marrësh dikush nuk kënaqet. Mirëpo njeriu duhet ti shoh gjërat më mirë, të njoh historinë e njerëzve dhe mendoj se kjo është gjëja më e vështirë pasi njeriu duhet të jetë shumë i përgatitur dhe i vetëdijshëm që sado që të punosh, dikush nuk do të jetë i kënaqur dhe nuk do të mund të plotësosh dëshirat e të gjithëve. Por, ajo që e theksoj gjithnjë është fakti se çdo individ e ka obligim të japi atë më të mirën në angazhimin e vet në të mirë të shoqërisë. Pavarësisht sakrificave dhe vështirësive të shumta në rrugën drejtë qëllimeve të caktuara. Sidomos, në një vend siç janë SHBA, kur shoqëria të ofron mundësitë maksimale për tu dëshmuar në të gjitha fushat e jetës.   

K.Javore: Komuniteti shqiptar në SHBA, ka një traditë të gjatë më tepër se një shekull por  nuk arritën ndonjëherë më parë një angazhim të ngjashëm politik në atë vend. Sipas mendimit tuaj, ku qëndron shkaku i mosarritjeve të tilla?  

M.Gjonaj:Fillimisht, njerëzit kanë ardhur  në këtë vend me qëllim për të punuar  dhe të krijojnë një bazë të mirë për veten dhe, shumica prej tyre, kanë  menduar të kthehen nga kanë ardhur pasi të fitojnë dhe krijojnë një pasuri të caktuar. Ndërkohë, po ashtu,  të vetëdijshëm për nevojat e familjeve në vendlindje e për detyrimet që i kemi për vendlindjen tonë, është dashur punë dhe përkushtim i madh, ashtu që  nuk na është dhënë shansi që të merremi me politik. Ne, kemi pasur vështirësi që të krijojmë kushtet  e jetës, pra të sigurojmë ekzistencën  dhe është dashtë të punojmë e veprojmë me ata që merren me politik për të mirën tonë e për ato probleme që i kemi pas. Po të mos ishte kjo, që komuniteti ynë të jetë aq i përkushtuar ndaj  çështjeve të shumta me miqtë tonë, Kosova,vështirë se dot ë arrinte pavarësinë. Prandaj, unë sot, e kam të lehtë hyrjen në politik pasi është krijuar një bazë e mirë për këtë veprimtari. Pra, duhet vlerësuar se ataqë kanë filluar të parët angazhimet e tilla, e kishin shumë të vështirë dhe kanë vuajtur shumë, por ata e kanë shtruardhe ndërtuar rrugën e sotme që unë të mund të përparoj në rrugëtimin politik. Shpresoj se gjeneratat e ardhshme do të jenë edhe më të angazhuar  në jetën politike sepse është  koha për ne. Është vërtetë një histori që është ndërtua me entuziazëm. E ardhmja do të jetë shumë më e mirë për komunitetin e shqiptarëve në Amerikë. Mirëpo, edhe ata do të kenë vështirësitë e veta e duhet mos ta humbasim veten, mos të harrojmë gjuhën, traditën dhe të gjitha ato që na bëjnë si një komb që edhe, pse me vështirësi, të përparojmë gjithnjë.

K.Javore: Fushata juaj parazgjedhore, vlerësohet nga analistët e mirëorganizuar dhe Ju, personalisht, shumë të afërt me elektoratin, me njerëzitnë nevojë dhe afaristët me mundësi mesatare. A ishte kjo ndoshta vendimtare për të dalë fitues në një qytet të madh siç është Nju Jorku, me një konkurrencë aq të madhe në çdo fushë?

M.Gjonaj: Ky është vullneti im që të punoj shumë, me të gjitha forcat e mia, pasi ne jemi komunitet që  punojmë shumë dhe dëshirojmë që djersën e derdhur ta japim për të mirën e përgjithshme e jo për interesa personale. Në anën tjetër, ne jetojmë  në një vend siç është Nju Jorku, ku jetojnë kombe të ndryshme nga të katër anët e botës, por që na bashkon një gjë shumë e rëndësishme pasi ky është një vend që të mundëson të përparosh dhe  ky është sekreti i Amerikës, për secilin popull që vijnë nga vende të ndryshme të botës, me kultura të ndryshme, me gjuhë dhe tradita të ndryshme e që këtu i bashkon vetëm një gjuhë. Kështu, të gjithë ata  kanë traditat e veta dhe historinë  e vet, por  kjo nuk pengon asnjërin  në vullnetin e vet për të punuar dhe krijuar në frytin e demokracisë Amerikane.

K.Javore: Ju quajnë “Zëri i shqiptarëve”, jo vetëm në Nju Jork, por në mbarë SHBA. Kjo me siguri ju motivon në angazhime maksimale në jetën politike amerikane. Cila është domethënia për komunitetin shqiptar atje të kenë përfaqësues shqiptar në nivelet vendimmarrëse në vendin ku jetojnë dhe punojnë?

M.Gjonaj: Unë jam krenar për popullin tim, për komunitetin tim që  më kanë përkrahur në të gjitha mënyrat dhe të gjitha  fazat e angazhimit tim. Është nder për mua që e flas gjuhën e shqiptarëvedhe që sot, nëpër korridoret e Qeverisë, nuk më thërrasin me emër por më thonë ky shqiptari! Kjo është krenari për mua dhe për popullin tonë të cilin e njohin për nga vendi që vjen por që na njohin si popull edhe në vendin e tyre. Kjo është kënaqësia më e madhe për mua dhe popullin tonë, i bindur se në të ardhmen do të vazhdojmë të punojmë edhe më shumë dhe kështu të kontribuojmë edhe më tepër, jo vetëm për vete, por edhe për Amerikën, për të ardhmen  e sajë.

K.Javore: Ju, disa herë kini pohuar se me angazhimin tuaj politik, dëshironi që të ia ktheni borxhin SHBA-ve, për të gjitha mirësitë që ia ka mundësuar familjes tuaj dhe mbarë komunitetit shqiptar duke u dhënë mundësi drejtë synimeve në punë, shkollë dhe të gjitha veprimtaritë jetësore. Sa ju ndihmon angazhimi politik në këtë drejtim?

M.Gjonaj:  Borxhi mund të kthehet në mënyra të shumta, duke qenë i suksesshëm në veprimtari dhe angazhime të ndryshme, në biznesetë ndryshme që kontribuon në ekonominë e vendit. Politika e përgjithshme në këtë vend jep mundësi të shumta për të gjithë ashtu që shqiptarë të shumtë sot janë duke u shkolluar në profile të ndryshme duke u dëshmuar kështu gjithnjë  e më shumë me aftësitë e veta, pastaj në shërbimet e policisë, në ushtri e kështu me radhë.  Po ashtu, shumë nga ata janë të angazhuar  në degëtë shumta të Qeverisë dhe, me punën e vet, japin një kontribut të mrekullueshëm si profesionist të dalluar në sfera të ndryshme. Politika, është vetëm njëra prej mënyrave për të kontribuar, për të ia kthyer borxhin vendit për  të gjitha të mirat që të ka mundësuar. Por, në anën tjetër, kemi shumë mjek të njohur që bëjnë punë të jashtëzakonshme, pastaj profesione dhe zanate të shumta të vlerësuara lartë në këtë vend. Shpesh herë e kam thënë që nuk është e gjitha ajo sa pallate kemi ndërtuar, sa tokë apo pasuri do të trashëgojnë fëmijët tonë. Besoj se njëra ndër pyetjet kryesore në fazën e  fundit të jetës për secilin është “ a jam duke lënë vendin më mirë se e kam gjetur, ose çfarë kam bërë si individ për ta lënë më mirë”?

K.Javore: Ju, edhe pse i lindur në SHBA, i keni mbetur besnik traditës kulturo –shpirtërore, respektivisht virtyteve kombëtare. Sa ju ka ndihmuar komunikimi në shqip me komunitetin shqiptar për të fituar mbështetjen e elektoratit dhe, njëkohësisht, sa e ndihmon kjo komunitetin shqiptar  për të qenë maksimalisht të kyçur në rrjedhat politike ku jetojnë?

M.Gjonaj: Unë, kisha pas shumë dëshirë që ta flas  gjuhën shqipe më pastër dhe më mirë. Por këto janë meritat e prindërve të mi të vazhdojmë traditë, pastaj gjyshërve të mi që na kanë ruajtur gjuhën sepse atë e kam folur para se kam filluar të flasë gjuhën angleze. Kur kam  filluar shkollën,e kisha të vështirë të flasanglisht sepse deri atëherë isha mësuar të flas vetëm shqip që ishte gjuha jonë në shtëpi. Kjo më ka ndihmuar në ruajtjen e gjuhës për ç’gjë  ndihem shumë mirë  dhe më duhet të falënderoj prindërit e  mijë  që na kanë mësuar të ruajmë gjuhën tonë të bukur. Andaj, shfrytëzoj këtë rast të veçoj si shumë të rëndësishme për mua, ruajtjen e gjuhës për gjeneratat e ardhshme  për ç’ gjë kemi hapur një shkollë të financuar nga Qeveria, për nxënësit dhe mësuesit dhe që gjysma e lëndëve mësohen në gjuhën shqipe kurse gjysma tjetër në anglisht. Kështu, ky vend na krijon mundësitë që mos të harrojmë gjuhën tonë,  traditën dhe kulturën tonë edhe pse jetojmë larg vendlindjes.

K.Javore: Jeni në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha nivelet e politikës mbarëshqiptare, e cila përballet me sfida të shumta në jetësimin e synimeve nga më të ndryshmet për një jetë më të mirë kudo që jetojnë shqiptarët. Mjaft shpesh ndodhë që mungesa e bashkëpunimit mes elitave politike shqiptare reflekton pasoja  të ndryshme. Çfarë është opinioni juaj nga këndvështrimi i një veprimtari politik nga vendi më demokratik i botës?    

M.Gjonaj:Kisha pas dëshirë që liderët tonë, të gjithë ata që janë në pozitë politike dhe partiake, të punojnë bashkërisht për çështje të shumta me interesin më të gjerë kombëtar, që të dalin me një zësai përket të ardhmes tonë dhe nevojave tona si një komb. Le të shërbehen me përvojën nga  e kaluara historike  duke parë se gjithherë kur shqiptarët janë bashkuar,  kanë arritur shumë. Kështu u arrit pavarësia e Kosovës, pastaj siç ndodhi para disa muajsh me bashkimin shqiptarëve në komunën e Tuzit, ku falë punës së përbashkët fituan një rezultat të dëshiruar në zgjedhjet lokale atje. Kemi nevojë të lemë anash politikën e interesave personale të individëve, interesat partiake,  të fushatave dhe të veprohet në të mirë dhe interes të qytetarëve dhe të kombit nëpërgjithësi.

K.Javore: Komuniteti shqiptaro – amerikan, është i organizuar në shoqata dhe fondacione të shumta, me qëllim të ruajtjes dhe afirmimit të traditës kombëtare në vendet ku jetojnë. Sa është e vështirë veprimtaria e këtillë e organizuar nga mërgimtarët tonë në SHBA?

M.Gjonaj:Unë i përkrahi shumë dhe  jam i kënaqur me ekzistimin e shoqatave dhe organizatave të ndryshme dhe dëshiroj të shtohet numri i tyre pasi secila prej tyre ka një vlerë të veçantë pasi ato përfaqësojnë  një vend, një katund, një lagje, një veprim apo  një nevojë. Organizatat e tilla punojnë me shumë përkushtim dhe sakrifikojnë shumë në angazhime dhe projekte të përbashkëta, në vështirësi dhe nevoja të ndryshme, gjithherë të vetëdijshëm për obligimet ndaj vendlindjes. Kjo e dëshmon më së miri se me arritjen e bashkëkombësve tonë fillimisht në SHBA, gjithherë sadopak që kanë fituar e kanë ndarë me familjet dhe të afërmit e tyre. Kuptohet, se ata asnjëherë nuk kanë harruar  vendlindjen duke mos kursyer djersën e vet për të ndihmuar në çdo nevojë atje sepse ne që jetojmë larg, kurrë s’mund ti kthejmë shpinën tokës së të parëve tonë. Ne, nuk guxojmë të harrojmë vuajtjet e të parëve tonë për të na lënë në trashëgimi traditën e  pasur për të cilën jemi krenar kudo që jetojmë.

K.Javore: Ju, e kini vizituar shumë herë vendlindjen dhe pothuajse të gjitha trevat shqiptare shumë prej të cilave , sidomos fshatrat tona janë, pothuajse, të boshatisura nga pasojat e emigrimit të banorëve. Cili do të ishte mesazhi juaj për brezat e rinj nga këto treva?

M.Gjonaj: E di se është e zorshme ta them, sidomos, të rinjve tonë atje që është një fazë jo  mjaft e qartë për të parë të ardhmen tonë. Të rinjtë, që jetojnë në atë vend dëshirojnë të përparojnë duke krijuar kushte më të mira për veten, për familjen, njëjtë sikur edhe prindërit e tyre që dëshirojnë për fëmijët e vet në atë vend, duke u përballur me vështirësi të natyrave të ndryshme. Në ato troje të vuajtura nga armiq të ndryshëm nëpër shekuj  por që i mbijetuan të gjitha. E kam thënë shpesh kur e mendoj se çfarë vuajtjet kam edhe unë për vendlindje, për tokën e të parëve dhe mendoj që është fat  që, unë,  jam sot në Amerikë ku i kam të gjitha mundësitë për të punuar dhe për të vazhduar përpara. Mjaft shpesh e mendoj sikur të jetoja  në vendlindjen tonë, çka kisha pritur dhe kërkuar unë nga  shqiptarët  që jetojnë në Amerikë. Prandaj, këtë borxh e kemi dhe i cili nuk mund të kthehet  me një vepër apo me një detyrë por gjatë gjithë jetës duhet me veprua në përkrahje të popullit tonë në vendlindje. Mesazhi do të ishte;  mos u mërzitni dhe  mos të humbet shpresa për të ardhmen sepse do të vijnë ditë edhe më të mira sepse askurrë më mirë nuk e kemi pas se sot në të gjitha mënyrat .

K.Javore: Përveç angazhimit profesional dhe atij politik, Ju, mes tjerash, jeni një Filantrop i përkushtuar i angazhuar në shoqata dhe fondacione të njohura. Nuk ju mungon vullneti por as energjia të kontribuoni edhe në këtë drejtim. Si ia arrini fushëveprimin në drejtime të shumta dhe mjaft sfiduese, që kërkojnë mjete të konsiderueshme por, mbi të gjitha, sakrifica të shumta dhe kohë të mjaftueshme?

M.Gjonaj: Kjo është karakteristikë e shqiptarëve që  me të vërtetë punojmë fort e të vazhdojmë, nuk i ikim punës kurrë edhe puna është e lezetshme, sidomos kur ajo jep frytin e dëshiruar dhe më mirë është të lodhesh se sa të mërzitesh. Falënderoj Zotin, familjen e komunitetin,që më kanë dhanë mundësinë me punua shumë  për këtë vend e për popullin tim. Unë,jam i kënaqur dhe nuk guxoj me ankua, andaj më mirë të lodhëm se të mërzitem.

K.Javore: Demokracia amerikane është e njohur në mbështetje të projekteve të suksesshme, njëri prej të cilëve jeni edhe Ju. Kjo është inkurajuese për të vazhduar me plane të reja drejtë synimeve të caktuara. A mund të na flisni cilat janë planet tuaja në të ardhmen?

M.Gjonaj: Ky komunitet ka nevojë për të formuar një bazë për gjeneratat e ardhshme dhe kemi nevojë të fokusohemi në ruajtjen dhe kultivimin e traditës, në ruajtjen e gjuhës  dhe kulturës tonë. Është shembull i mirë hapja e shkollës e cila do të ndihmoj në ruajtjen e gjuhës. Diçka e ngjashme do të ndodhin me qendrën e komunitetit e cila do të tubojë organizatatë ndryshme ku  secila do të ketë  degën dhe detyrën e vetë, por  sëbashku, do të krijojnë mundësinë për një qendër të përbashkët, ku mes tjerash, do të krijojmë kushtet që të plotësojmë nevojat edhe për të moshuarit, pra për moshën e tretë. Po ashtu, në këtë qendër të rinjtë do të kenë mundësi të marrin pjesë në aktivitete të ndryshme dhe të njihen me njëri- tjetrin. Kështu, do të investojmë  në gjeneratat e ardhshme sepse, kur e shikojmë sa e thjesht është jeta në një kopsht që itubon  fëmijët  shqiptarë prej moshës më të vogël dhe ata ,kurrë  s’do ta harrojnë që kanë ndej dhe janë rritë me shqiptar. Në këtë mënyrë do të ruajnë vlerat e trashëguara, kulturën, traditën,  do të ruajnë gjuhën dhe kështu do të jenë krenar se kush jemi. Duke vepruar në këtë mënyrë, do të jemi më të fortë për veten dhe do të kemi më shumë influencë për të ndihmuar trojet tona në vendlindjen tonë.

error: Të drejtat e rezervuara !!