Saviqeviq bën homazhe te varri i Fadil Vokrrit

0

Delegacioni i Federatës Malazeze të Futbollit dhe krerët e Federatës së Futbollit të Kosovës, sot bënë homazhe te varri i Fadil Vokrrit, për të cilin u tha se do të ishte shumë i lumtur po t’i shihte rezultatet kulmore të Kosovës.

Kryetari i Federatës së Malit të Zi, Dejan Saviqeviq është përkulur para varrit të Vokrit, të cilin e kishin shok dhe bashkëpunëtor shumë të mirë.

Ndërsa, pas homazheve, kryetari i FFK-së, Agim Ademi tha se arsyeja e ardhjes së kryetarit të federatës së Malit të Zi, Dejan Saviqeviq është ndeshja e sotme që Kosova ka me Malin e Zi dhe me këtë rast vizitoi edhe varrin e Fadil Vokrrit.

“Në kuadër të ndeshjes ndërkombëtare që kemi me Malin e Zi, e kemi kryetarin e federatës Saviqeviq, legjenda e  këtyre trojeve të ish-Jugosllavisë dhe Evropës. Ka qen mik i mirë me ish presidentin tonë Fadil Vokrri dhe me rastin e ndeshjes erdhi me gjithë dëshirë ta vizitoj varrin e Fadil Vokrrit për ta kujtuar”, tha ai.

Kryetari i federatës të Malit të Zi, Dejan Saviqeviq tha se me Fadil Vokrrin kanë qenë shok dhe bashkëpunëtor të mirë dhe se përulet para varrit të tij.

“Nuk kam pasur mundësi për fat të keq të jem në ditën e varrimit të Fadil Vokrrit, por sot e kam shfrytëzuar rastin, pasi që kemi edhe ndeshjen në Kosovë, që të vijë dhe të përkulem para varrit të Fadilit. Unë dhe Fadili kemi qenë shokë shumë të mirë dhe kemi pas bashkëpunim shumë të mirë. Ka qenë shumë vështirë kur kam dëgjuar për vdekjen e Fadilit dhe sigurisht që ai do të ishte shumë i lumtur po t’i shihte rezultatet kulmore të Kosovës por kjo është jeta”, tha ai.

error: Të drejtat e rezervuara !!