Masakra e Reçakut dhe Gjykata e Hagës

0

Skruan: Anton Vukpalaj

Masakra e Reçakut, e kryer më 15 janar 1999, shënoi kthesë vendimtare përsa i përket konfliktit të armatosur në Kosovë. Kjo masakër të cilën regjimi i Millosheviqit e ka cilësuar dhe paraqitur si pasojë të “luftës kundër terroristëve shqiptarë të UÇK-së”, prodhoi efekt të kundërt me atë që ai synonte, e që ishte – mbajtja e situatës në Kosovë nën kontroll të plotë, por edhe të shkatërrimit të formacioneve ushtarake të UÇK-së dhe rezistencës së tyre të armatosur.

Efekti i Reçakut do të jetë edhe preteksti më i fortë i internacionalizimit të konfliktit në Kosovës, kësaj radhe nëpërmjet imazheve të civilëve të masakruar dhe mobilizimit të diplomacisë perëndimore. E tërë kjo çoi në negociatat e Rambouillesë, duke e fuqizuar dhe ngritur palën kosovare në nivelin e palës së barabartë negocuese. Pasojnë ndërhyrja dhe bombardimet e NATO-s, aktakuzat kundër Millosheviqit dhe zyrtarëve më të lartë të regjimit etj.

Duke pasur parasysh, impaktin ndërkombëtar të imazheve të civilëve të vrarë në Reçak, regjimi i Milloseviqit kishte ndërmarrë masa që sulmin e Reçakut ta paraqesë si sulm kundër formacioneve të armatosura të UÇK-së, ndërsa civilët e vrarë t’i prezantonte si luftëtarë.

Në një bisedë telefonike ndërmjet zëvendëskryeministrit të RFJ-së së atëhershme, Nikolla Shainoviqit (njëri ndër njerëzit kyç të Millosheviqit në Kosovë) dhe shefit të Shtabit të Policisë së Serbisë, Sreten Llukiqit, të interceptuar nga ndërkombëtarët, bisedë kjo e publikuar në gazetën e mirënjohur – The Washington Post, të datës 28 janar 1999, thuhet se masakra e Reçakut ishte monitoruar nga afër, në nivelin më të lartë të Qeverisë së RFJ-së, që ishte sinonim i vetë Millosheviqit.

Në këtë bisedë, Shainoviqi i kërkonte Llukiqit që të bëjë krejt çka është e mundur që masakra e kryer në Reçak të dukej si “rezultat i konfrontimit ndërmjet trupave qeveritare dhe UÇK-së. [Jeffrey Smith, “Serbs Tried To Cover Up Massacre; Kosovo Reprisal Plot Bared by Phone Taps”, The Washington Post, 28 janar 1999]. Përveç kësaj, Shainoviqi kërkonte nga Llukiqi edhe dy veprime të koordinuara mirë: së pari, kufiri me Maqedoninë duhej të mbyllej për të mos lejuar hyrjen e kryeprokurores së Tribunait të Hagës, Louise Arbour (e cila kishte shprehur interesim për ta hetuar krimin), dhe e dyta, që forcat e MPB-së të ktheheshin në Reçak për t’i larguar gazetarët nga fshati. Njëkohësisht, ato duhej t’i merrnin kufomat e Reçakut nga xhamia e katundit, ku i kishin vendosur fshatarët, dhe t’i dërgojnë në Prishtine për t’i hetuar.

Krimi i Reçakut do të figurojë më vonë, në aktakuzat e Tribunalit të Hagës kundër Millosheviqit dhe 8 zyrtarëve të tjerë më të lartë të regjimit (dy aktakuzat e shpallura më 24 maj 1999 dhe me 29 tetor 2003). Pika 98 (paragrafi a) i aktakuzës së 24 majit 1999, pas analizës së kontekstit të sulmit, ndërmjet tjerash thoshte se “pas granatimeve, forcat e RFJ-së dhe të Serbisë hynë në fshat në fund të paraditës dhe filluan të kërkojnë shtëpi për shtëpi. Fshatarët, të cilët u përpoqën të iknin nga forcat e RFJ-së dhe të Serbisë, u qëlluan nëpër gjithë fshatin.

Një grup prej afro 25 burrash u përpoqën të fshiheshin në një ndërtesë, por u zbuluan nga forcat e RFJ-së dhe të Serbisë. Ata u rrahën dhe më pas u dërguan në një kodër aty pranë, ku u qëlluan dhe u vranë. Gjithsej, forcat e RFJ-së dhe të Serbisë vranë përafërsisht 45 shqiptarë të Kosovës në Reçak dhe rreth tij. I njëjti paragraf figuron edhe në aktakuzën e dytë të shpallur në tetor 2003.

Këto akuza do të shqyrtohen hollësisht në proceset gjyqësore të lidershipit serb në Hagë. Mirëpo, analiza më e detajuar është dhënë në aktgjykimin e Vllastimir Gjorgjeviqit, i cili në atë kohë ushtronte pozitën e zëvendësministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë. (Prosecutor v VlastimirDordevic, ICTY Trials Chamber Judgment, 23 shkurt 2011). Ai kishte qenë edhe zyrtari më i lartë qeveritar prezent në terren ditën e kryerjes së sulmit kundër civilëve në Reçak. Më 15 janar, së bashku me shefin e policisë së Ferizajit, ai kishte qëndruar në stacionin policor të Shtimes, nga i cili po komandoheshin forcat serbe në terren.

Në aktgjykimin e 23 shkurtit 2001 kundër Gjorgjeviqit, thuhet se gjatë kohës që kishte qëndruar aty, ai kishte biseduar në dy raste me telefon me Nikolla Shainoviqin. Kjo e bënte lidhjen e drejtpërdrejtë me Millosheviqin. Në bazë të stenogramit të Mbledhjes së Kolegjiumit të UJ-së, më 21 janar të vitit 1999, të shqyrtuar në Hagë, shefi i Shtabit të Përgjithshëm i UJ-së, Dragolub Ojdaniq, u kishte thënë kolegeve të tij se operacioni i Reçakut ishte urdhëruar nga Komanda e Përbashkët, të cilën e kontrollonte Nikolla Shainoviq dhe vetë presidenti Millosheviq [paragrafi.236 dhe 2134]. Në këtë operacion kishin marrë pjesë Ushtria e Jugosllavisë dhe pojesëtarët e disa njësive të policisë.

Zyrtarët serbë e kishin mohuar pjesëmarrjen e ushtrisë për shkak se implikimi i saj binte ndesh me marrëveshjet të cilat Serbia i kishte nënshkruar më herët. Observatorët e KVM-së, të cilët e kishin observuar operacionin nga kodrinat përreth, do të raportojnë më vonë se UJ-ja kishte qëndruar në prapavijë të policisë dhe e kishte përkrahur policinë nga pas, duke e bombarduar fshatin me tanke 55 mm dhe me ‘praga’ [paragrafi. 401].

Në raportin e tyre do të figurojë se “armatimi i rëndë i përdorur gjatë këtij operacioni nuk kishte qenë armatim i zakonshëm që përdoret në operacione të tilla antikryengritëse, por më tepër në angazhime luftarake[…] gjuajtja me armë kundërajrore në fshat ku kishte gra dhe fëmijë, nuk mund të arsyetohet as pranohet si operacion policor [para.403 dhe 412].

Regjimi serb do të tentojë që nëpërmjet hetimit të krimit të arsyetohet se vrasjet kishin rezultuar nga këmbimi me armë, nga i cili mund të deduktohej se të vrarit kishin qenë luftëtarë të UÇK-së. Personat që duhej ta konstatonin këtë kishin qenë gjykatësja Danica Marinkoviq, dhe drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore të Prishtinës, Sllavisha Dobriçanin, të cilët me 18 janar ishin eskortuar në fshat nga policia. Ata fillimisht kishin shkuar në xhaminë e fshatit, ku gjendeshin 40 kufomat për t’i ekzaminuar. Gjykatësja Marinkoviq në raportin e saj kishte konstatuar se “…kufomat kishin pasur këpucë të cilat dukeshin si çizme ushtarake, disa kishin pasur pantallona ushtarake të hirta dhe të tjerët blu të mbyllura dhe kishin rripa ushtarakë (par. 412). Sllavisha Dobriçanin, e kishte inspektuar secilën kufomë vizualisht dhe kishte thënë se – nuk kishte indikacione se kufomat ishin të masakruara (para. 412). Marinkoviq dhe Dobriçanin kishin kërkuar edhe prova të tjera, të cilat do të tregonin se aty kishte qenë selia e UÇK-së dhe se operacioni kishte qenë sulm kundër “terroristëve”.

Po ashtu, ata kishin shkuar në një vend ku kishin zbuluar “armë, uniforma dhe furnizime të tjera ushtarake” (par. 412). Më pas, kufomat ishin ngarkuar në një kamion-frigorifer dhe ishin dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë” (paragrafi 412). Atje, ato kufoma ishin ekzaminuar të nesërmen nga mjekët ligjorë serbë dhe bjellorusë, të cilët konstatuan se 37 nga 40 viktimat kishin pasur “gjurmë baruti” në duar dhe se “shkaku i vdekjes në të 40 rastet ishte plagosja nga predha (para. 413)”. Këto gjetje ishin konform pritjeve të regjimit serb.

Dhoma e Tribunalit të Hagës do t’i vendosë konkluzionet e ekipit qeveritar serb përballë provave të cilat i kishin grumbulluar observatorët e KVM-së, të cilët kishin shkuar në Reçak më 15 dhe më 16 janar (pas përfundimit të operacioneve të forcave serbe). Dhoma e Tribunalit, po ashtu thotë se – raportet e ekipit të Gjykatëses Marinkoviq bien ndesh me incizimit e misionit të KVM-së. Në paragrafin 415 të aktgjykimit thuhet se – ajo që iu tregua gjykatëses Marinkoviq më 18 janar 1999 në Reçak, nuk përputhet me atë që u pa nga vëzhguesit ndërkombëtarë më 15 dhe 16 janar të vitit 1999, në fshat. Gjykatëses Marinkoviq nuk iu tregua kufoma e një fëmije, e as një kufomë me kokë te prerë.

Përshkrimi i saj i veshjes së kufomave nuk përputhet me veshjen e kufomave që shihet në video ose që përshkruhet në provat gojore. Asaj nuk i ishin treguar kufomat të cilat ishin qëlluar në kokë. Asaj nuk i ishte treguar gryka e përshkruar në film, për më shumë, asaj i ishte treguar një seli e supozuar e UÇK-së, të cilën KVM nuk e kishte parë. Ashtu siç e konfirmoi gjykatësja në provat e saj, të diskutuara në paragrafët e mësipërm, ajo çfarë i ishte treguar asaj kishte qenë një pamje krejt tjetër nga ajo që ishte observuar nga vëzhguesit e KVM-së më 15 dhe 16 janar.

Për më tepër, Dhoma e Tribunalit konstaton se: më 18 janar gjykatëses iu prezantua një situatë e inskenuar, e bërë nga vetë policia, që kishte për qëllim të jepte një pasqyrë dhe një përshtypje të rreme të ngjarjeve të vërteta. Dhoma është e kënaqur që të paktën disa nga kufomat e vëzhguara nga gjyqtarja Marinkoviq, më 18 janar, nuk ishin kufomat e vëzhguara nga përfaqësuesit e KVM-së më 16 janar, ashtu siç përshkruhen në videon e projektuar (par. 415). Dhoma do të konsiderojë se Vllastimir Gjorgjeviq kishte vepruar konform “përpjekjeve të MPB-së për të paraqitur operacionin në Reçak si një operacion i ligjshëm antiterrorist”.

Në paragrafin 416 të aktgjykimit thuhet se “Në gjetjet e Dhomës, jo më pak se 45 shqiptarë të Kosovës ishin vrarë në Reçak, më 15 janar, duke përfshi këtu edhe një grua dhe një fëmijë. Së paku një viktimë ishte me kokë të prerë. Shumica e të vrarëve ishin mbi moshën 50 vjeçare. Shumë nga ata ishin qëlluar në kokë nga afërsia. “Rreth 20 deri në 24 nga kufomat kishin plagë me armë zjarri në kokë dhe duket se ishin qëlluar nga një distancë e afërt. Të paktën një prej kufomave ishte pa kokë. Në mesin e viktimave ishte një grua dhe një fëmijë (paragrafi 1920)”.

Në fund, aktgjykimi jep një pasqyrë të përgjithshme të operacionit: Në bazë të gjetjeve të Dhomës, operacioni në Reçak u krye në koordinim të ngushtë midis UJ-së dhe MPB-së. Ndërsa ekzistojnë sugjerime në evidenca se qëllimi i këtij operacioni mund të ketë qenë arrestimi i personave përgjegjës për vrasjen e oficerëve të policisë serbe, disa ditë më parë.

Sipas mendimit të Dhomës, numri i madh i forcave serbe të përfshira, madhësia dhe fuqia e armëve të përdorura, numri dhe pajisjet e forcave të përfshira dhe viktimat e shkaktuara, e veçanërisht numri shumë i lartë i shqiptarëve të vrarë të Kosovës, vërtetojnë se qëllimi i vërtetë i këtij operacioni nuk ishte kryerja e arrestimeve, por hakmarrja ndaj vrasjes së mëparshme të zyrtarëve të policisë nga UÇK-ja, për të ndëshkuar autorët e mundshëm dhe përkrahësit e perceptuar për vrasjen e oficerëve të policisë serbe dhe për të terrorizuar dhe ndëshkuar popullsinë në një fshat, që konsiderohej si një bastion i UÇK-së.

Edhe nëse do të pranohej se operacioni në Reçak kishte një qëllimi legjitim ushtarak ose antiterrorist, marrë parasysh llojin e armëve të përdorura nga UJ-ja dhe MPB-ja gjatë këtij operacioni, mungesa e ndonjë sugjerimi në prova për ndonjë zjarr që po vinte nga Reçaku, numri i lartë i viktimave shqiptare të Kosovës dhe mungesa e vërtetë e viktimave në anën e UJ-së dhe MPB-së, sugjerojnë se përdorimi i forcës në Reçak ishte disproporcional për çdo objektiv të tillë ushtarak ose antiterrorist (paragrafi 1922)..

Këto konstatime do të konfirmohen edhe në aktgjykimin e Dhomës së Apelit në vitin 2013.

Mohimi i masakrës së Reçakut nga presidenti i tashëm i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe debati i zhvilluar këtyre javëve të fundit përreth krimeve të kryera ne Reçak, duhet analizuar në kontekstin e zgjedhjeve që do të mbahen në Serbi në muajt në vijim, por edhe në perspektivën e aktivitetit të paraparë të Gjykatës Speciale. Përmes relativizmit të krimeve të Reçakut, qëllimi është të relativizohen të gjitha krimet e kryera në Kosovë në vitet 1998-1999. Vuçiq, në intervistën e tij dhënë Euronews Shqipëria, gjatë vizitës në Shqipëri kishte thënë se nuk e mohonte faktin se kishte pasur krime, por jo edhe aq shume sa thuhet dhe se krime kishin kryer të gjithë.

Një strategji e ngjashme me ish-presidentin e Republika Serpska, Millorad Dodik, i cili në vitin 2018 i ishte kthyer Rezolutës së votuar në vitin 2004 nga Parlamenti i Republika Serpska nëpërmjet së cilës ishte pranuar gjenocidi i Srebrenicës. Ai kishte thënë se – në Srebrenicë kishte pasur krime, por jo gjenocid dhe se numri i personave të vrarë që figuronte në dokumente të Komisionit të lartpërmendur, ishte i “ekzagjeruar”. Në ndryshimet e propozuara kërkohej që të tregohet për vrasjet e kryera kundër serbëve.

Për këtë arsye, aktgjykimet e Tribunalit të Hagës paraqesin argumente të fuqishme dhe të pakontestueshme kundër tendencave mohuese. Këto aktgjykime do të duhej të potencoheshin edhe nga zyrtarët e shtetit të Kosovës për shkak se kredibiliteti i verdikteve të Tribunalit të Hagës është vështirë i kontestueshëm edhe për Serbinë.

Tribunali i Hagës ka qenë organ i OKB-së dhe ishte krijuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-se në vitin 1993, me përkrahjen e Rusisë dhe të Kinës. Këto aktgjykime duhet të jenë argumente të fuqishme kundër përpjekjeve mohuese të lartpërmendura. Lidhur me këtë, David Weizmann thotë se “mohimi nuk e përjashton domosdoshmërisht kujtesën; mohimi është një tjetër kujtesë; një kujtesë e shpikur e krijuar nga e para. Mohimi është një kujtesë që nuk ekziston (David Weizmann 2005).”

(Autori është profesor në Departamentin e Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës)

error: Të drejtat e rezervuara !!