Marsi fitimtar në Malësi

0

Fitorja në zgjedhjet lokale në Tuz, erdhi pikërisht në mars, që për shqiptarët është muaj i veçantë e kuptimplotë. Rëndësia dhe pesha e këtij muaji për shqiptarët rritet edhe më shumë për këto ngjarje historike të cilat sollën erën (aromën) e lirisë së tyre kombëtare dhe shtetërore

Gjekë Gjonaj

Tre marsi i vitit 2019  do të mbetet i shënuar si një ditë feste jo vetëm për Malësinë, por  edhe për të gjithë shqiptarët.  Pse?  Për faktin se atë ditë zgjedhësit e kësaj trevë shqiptare, e njohur për historinë e saj të lavdishme të larë me gjakun e bijave dhe bijëve të saj, me burrërinë e saj,  me  atdhedashurinë  e saj, me nderin e saj, me dinjitetin e saj, me vizionin e saj  dhe me shumë vlera të tjera njerëzore të saj  votuan shqip  në zgjedhjet lokale për fitoren  në Komunën e Tuzit.  Votuan për  njerëzit e vet të zemrës, për përfaqësuesit e tyre politik  të bashkuar për herë të parë në jetën parlamentare politke në Mal të Zi    rreth “ Forumit Shqiptar”  në përbërje të të cilit lidhën “ Besën e Malësorit- Shqiptarit) për fitore  Alternativa Shqiptare,  Lidhja Demokratike Shqiptare dhe Unioni Demokratik i Shqiptarëve.

Pas numërimit dhe rinumërimit të votave Komisioni Komunal Zgjedhor  konfirmoi  fitoren e Forumit Shqiptar me sloganin “ Malësia na Bashkon”,   i cili në përbërjen e re të pushtetit vendor të Tuzit do të ketë 16 këshilltarë, pa të cilët nuk mund të formohet pushteti i ardhshëm në këtë komunë. 

Fitorja  në zgjedhjet lokale në Tuz, erdhi  pikërisht  në mars, që   për shqiptarët  është muaj  i veçantë e kuptimplotë. Rëndësia dhe pesha e këtij muaji   për shqiptarët rritet edhe më shumë   për  këto  ngjarje historike  të cilat sollën erën (aromën)  e lirisë  së tyre  kombëtare dhe shtetërore:

1. Më 5 mars 1998, në sulmin tri ditësh  të Ushtrisë Jugosllave dhe forcave policore,   u vra komandanti legjendar, Adem Jashari,  familja e tij dhe Jasharajt   e tjerë në Prekaz të Drenicës ( Kosovë). Sakrifica e tij heroike u bë  simbol i pavarësisë së Kosovës.

2.Më 24 mars  1911 filloi Kryengritja e Malësisë së Madhe, e cila rezultoi me ngritjen e Falmurit  Shqiptar në  Deçiq, duke u bërë kështu  krahina e parë  shqiptare, e  cila  mbolli rrënjët e lirisë   dhe Pavarësisë  Kombëtare.

3.  NATO-ja,  më 24 mars 1999,  nisi “Operacionin e Forcave Aleate”  ndaj Jugosllavisë për t’i dhënë fund presionit dhe masakrave ndaj popullit shqiptar, me synimin “serbët jashtë, ndërmjetësuesit brenda, refugjatët të kthehen”.

Atmosfera  e festimit të fitores  filloi  në Tuz   dy-tri orë pas mbylljes së kutive të votimit.  Shqiptarët e veshur kuqezi  gëzimin e tyre e shprehën  në formën e vet. Përmes  këngës dhe valvitjes së Flamurit Kombëtar  – simbolit të shenjtë të tyre. Njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se fitorja në Tuz, i ka prekur emocionet e të gjithë shqiptarëve kudo që janë. Jehona e saj   u përjetua pothuaj në të gjitha qytetet shqiptare jashtë shtetit, duke përfshirë këtu edhe  diasporën ( mërgatën )  shqiptare nëpër vende të ndryshme të Evropës dhe Botës.

Kjo fitore e shqiptarëve në Mal të Zi dëshmoi se bashkëpunimi dhe bashkimi sjellë sukses. Si e tillë   tërhoqi vëmendjen   edhe të Tiranës edhe të  Prishtinës zyrtare.  Gjithashtu edhe  të shumë  intelektualëve shqiptarë  të nivelit më të lartë shkencor. Ata  në deklarimet e tyre publike  u shprehën me krenari  për” një fitore të madhe” të shqiptarëve  në këto zgjedhje. 

Akademik Rexhep Qosja, duke komentuar zgjedhjet në Tuz, është shprehur se ky vend duhet të jetë një mësim për politikanët në Shqipëri dhe Kosovë.  “Malësia e Madhe u tregua e madhe me virtytet dhe vlerat e saj edhe kësaj here: u tregua e madhe me bashkimin e forcave politike të shqiptarëve në Malin e Zi. Bashkimi e siguroi fitoren. Por me këtë Bashkim ajo u dha mësim edhe qytetarëve shqiptarë në Shqipëri e në Kosovë. I ftoj pushtetarët në Shqipëri e në Kosovë të mësojnë çka duhet mësuar, prej shqiptarëve të Komunës së Tuzit, prej shqiptarëve të Malësisë së Madhe”, shkroi  Qosja  ndër të tjera përmes një statusi në llogarinë e tij në Facebook.

Edhe anëtari i Këshillit Bashkiak  në qytetin e Nju-Jorkut, Mark Gjonaj, me prejardhje  nga fshati Reç i Ulqinit i cili ditën e zgjedhjeve deri vonë pasmesnate     ishte i pranishëm në Tuz u shpreh shumë entuziast se  pas shumë dekadave kjo komunë do të udhëhiqet nga shqiptarët.

 “Kurrë më i gëzueshëm dhe kurrë zemrën më të plotë se kam pasur se sot. Është një energji. Është një entuziazëm që me të vërtetë populli shqiptar  është  bashkuar në Malësi, për të mirën e kombit tone, dhe jo vetëm për një komunë. Sot nuk është në pyetje vetëm një komunë, por kombi jonë  dhe detyrimi e borxhi që kemi ”, i tha  Gjonaj “  Zërit të Amerikës”.

Së fundmi , por jo për nga rëndësia,  fitorja e  zgjedhjeve lokale në Malësi  përcolli mesazhin e  qartë të  bashkimit të shqiptarëve dhe u vlerësua shpresëdhënëse   për shqiptarët në rajon.  

error: Të drejtat e rezervuara !!