Fondi i Pakicave refuzon projekte me vlera shkencore

0

Dilemat tona

 Pas shpalljes së projekteve të mbeshtetura nga Fondi i Pakicave, në sajë të konkursit nga dhjetori i vitit që shkoi, me keqardhje konstatojmë se vazhdon diskriminim praktik ndaj projektëve të shqiptarëve me vlera shkencore, sepse ata nuk mund të vlerësohen nga individë të Komisionit përkatës që nuk e dijnë gjuhën shqipe  dhe nuk janë profesionist të fushave përkatëse për të dhënë vlerësimin e merituar, andaj e vetmja mundësi mbetet që për shqiptarët të jetë një komision i veçantë me individë profesionist  në kuadër të Fondit të Pakicave apo të një modeli tjetër të pranueshëm për shqiptarët në këtë mjedis.

Dr.Nail  Draga

Fondi për mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave të pakicave në Mal të Zi  (me tutje Fondi) në fund të vitit që shkoj (4-14 dhjetor 2018) shpalli konkursin për financim dhe bashkëfinancim të projekteve për vitin 2018. Dhe duke marrë parasysh kohën e kufizuar në bazë të propozimit nga Komisioni për vlerësimin e projekteve (më tutje Komisioni) nr.898/18 nga data 19.12.2018, u.d. së drejtorit të Fondit, ka sjell Vendim për shpërndarjen e mjeteve për financimin e 98  projekteve. Nga informata e publikuar në sajtin e Fondit del se në konkurim ishin gjithsej 235 projekte të ndryshme, nga individë, subjekte dhe OJQ të ndryshme. Në sajë të informimit del se 98 projekte kanë fituar pikët e mjaftueshme për ndarje të mjeteve financiare,  46 projekte nuk kanë pasur pikët e mjaftueshme ndërsa  89 të tjerë nuk i kanë plotësuar kushtet formale.

Dështimi i Komisionit vlerësues

Nëse analizojmë projektet e arritura në adresë të Fondit, që janë 235     dëshmon se ka ekzistuar një interesim i madh nga fakti se ishte konkursi i vetëm ne këtë vit. Po ashtu duhet cekur se Fondi ofron një  mundësi optimale për të realizuar projekte fushave të ndryshme, që kryesisht ka të bëjë me qytetarët qe iu përkasin popujve pakicë në Mal të Zi. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe sepse mundësitë tjera konkurese janë minimale apo shpërfillëse nga subjektet përkatëse qeveritare. Një konstatim i tillë vlen  sidomos për ne shqiptarët sepse projektet tona janë të veçanta për nga gjuha, përmbajtja dhe tematika e trajtuar.

Por, risia e këtij konkursi ka të bëjë me të dhënën se për të parën herë është formuar Komisioni vlerësues, ku me kureshtje është pritur se si do të jetë qëndrimi i tyre në vlerësimin e projekteve konkurruese, duke marrë parasysh se në të kaluarën një obligim i tillë ishte për Këshillin drejtues të Fondit, i cili shumë herë ka qenë subjektiv në vlerësime, andaj ka pasur edhe pakënaqësi  të pjesëmarrësve  në  konkurs.

Madje formimin e një Komisioni të tillë autori i këtij shkrimi ia rekomanduar më kohë ish drejtorit të Fondit të Pakicave (S.K.), sepse ai do të eliminonte dilemat dhe përgjegjësinë e antarëve të Këshillit drejtues të cilët aty  janë zgjedhur  jo  në sajë të referencave profesionale por të mbeshtetjes dhe përkatësisë politike.

Por, shpallja publike e regjistrit të projekteve që janë mbështetur financiarisht (98) dhe eliminimi i të tjerëve me arsyetimin se nuk kanë pasur pikë të mjaftueshme (46), hap dilema të mëdha pikërisht në parimet dhe profesionalizmin e anëtarëve të Komisionit vlerësues. Madje duke analizuar pikët e projekteve kaluese dhe të atyre jokaluese, del qartë se Komisioni vlerësues ka dështuar në misionin e tij, sepse nuk ka ekzistuar qasja profesionale por ajo subjektive e kjo ka të bëjë sidomos me projektet e autorëve shqiptar.

Refuzohen projekte me vlera shkencore

Në rastin konkret  dua të theksoj  projektin e H.Hajdarit Pozita politike dhe kushtetuese-juridike e shqipëtarëve në Mal të Zi në sistemin komunist të Jugosllavisë(1945-1990) i cili nga komisioni përkatës është vlerësuar me 46 pikë(!?), që kanë qenë të pamjaftueshme për tu renditur në regjistrin e projekteve kaluese! Fjala është për një projekt hulumtues shkencor me një tematikë ekskluzive  për shqiptarët në Mal të Zi, që autori ka punuar vite me radhë. Madje projekti në fjalë paraqet vazhdimësi logjike e botimit të mëparshëm të autorit Shqiptarët në Mal të Zi nga Kongresi i Berlinit deri më 1941”, Botoi:Art Club, Ulqin, 2016.  Po ashtu cekim edhe botimin ”Ulqini në dokumentat malazeze 1880-1915” Art Club, Ulqin, 2017, që është dëshmi transparente se H.Hajdari është hulumtues i devotshëm i arkivave dhe  literaturës shkencore  nga fusha e historisë duke qenë  referencë e obligueshme për të gjithë ata që do të merren në të ardhmën  me studime për  shqiptarët në Mal të Zi.

Por edhe pse projekti i H.Hajdarit“Pozita politike dhe kushtetuese-juridike e shqipetarëve në Mal të Zi në sistemin komunist të Jugosllavisë(1945-1990)“  jo vetëm për nga titulli por edhe përmbajtja e tij ishte nder projektet më të rëndësishëm në këtë konkurs, qe e kemi cekur edhe ne rekomandimin e shkruar enkas për këtë konkurim, ai, nga komisioni “profesional” u vlerësua me 46 pikë, duke dëshmuar se ata  nuk kanë kapacitet profesional të vlerësojnë projekte hulumtuese që ka të bëjë në lidhje me pozitën dhe statusin  e shqiptarëve në Mal të Zi gjatë kohës së monizmit(1945-1990). Kur kanë vepruar në këtë mënyrë ndaj një projekti kapital të nivelit të disertacionit të doktoranturës nuk kemi se si të mos dyshojmë në qasjen e qëllimshme subjektive të anëtarëve të Komisionit për të dhënë pikët e nevojshme për mbështetje financiare.

Por, nëse vazhdon e njëjta qasje nga ana e Fondit si më parë edhe tash, atëherë do të ishte korrekte nga ana e tyre në shpalljen publike në konkurs të cekët se nuk është e dëshirueshme të konkurrohet me tema të tilla, madje duke cekur edhe autorët përkatës. Sepse kush mund të garantojë se ne konkursin vijues një projekt i tillë apo të tjerë të ngjashëm mund të fitojnë pikët e mjaftueshme për të marrë notën kaluese(!?) nga këta “profesionist” të Komisionit.

Edhe pse kemi menduar se forma e deritashme e vlerësimit do të ndryshojë dhe do të kemi një avancim në këtë aspekt, si duket jemi mashtruar sepse çdo gjë vazhdon si më parë, por me një kozmetikë tjetër, nga del se vazhdon animoziteti ndaj individëve të dëshmuar në aspektin profesional për mbështetje  të projekteve të tyre. Një veprim i tillë skandaloz do mbesë njollë e pashlyer për  anëtarët e Komisionit në veçanti dhe Fondin në përgjithësi.

Sepse nuk kemi si të gjykojmë ndryshe kur projekte me peshë të “vogël”  të paktën sipas titujve, vlerësohen maksimalisht me pikë ndërsa ata me vlera shkencore në sajë të pikëve të pamjaftueshme eliminohen. Pasi jetojmë në një shoqëri të politizuar nuk përjashtohet edhe ndikimi politik ndaj anëtarëve të Komisionit vlerësues atëherë  del qartë se jemi larg mbështetjes së vlerave profesionale dhe  shkencore.

Komision i veçantë për projekte të shqiptarëve

Përfundimisht, nëse do të vazhdohet me këtë qëndrim nga ana e Fondit  edhe në të ardhmen, del qartë se kemi një diskriminim praktik për projektet e shqiptarëve sepse ata nuk mund të vlerësohen nga individë të Komisionit  që nuk e dinë gjuhën shqipe  dhe nuk janë profesionist të fushave përkatëse për të dhënë vlerësimin e merituar, andaj e vetmja mundësi mbetet që për shqiptarët duhet  të formohet një Komision i veçantë me individë profesionist në kuadër të Fondit të Pakicave  apo të një modeli tjetër të pranueshëm për shqiptarët në këtë mjedis.

error: Të drejtat e rezervuara !!