Kosova feston sot 12-vjetorin e pavarësisë

0

Sot shënohen plot 12 vjet që kur Kosova, shteti më i ri në Evropë, shpalli pavarësinë nga Serbia duke u bërë shtet sovran, me institucione të pavarura dhe me simbole unike shtetërore në Ballkanin Perëndimor.

Megjithëse Kosova deri më tani është njohur nga 116 vende të ndryshme të botës, njohja ndërkombëtare e pavarësisë dhe e sovranitetit të saj mbetet ende prioritet i diplomacisë kosovare.

Përvjetori i dymbëdhjetë i shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, do të shënohet me shumë aktivitete të organizuara nga institucionet qendrore dhe lokale.

Rama uron pavarësinë e Kosovës me një mesazh për dëshmorët

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, në orët e para të mëngjesit ka uruar për 12-vjetorin e pavarësisë së Kosovës.

“Urime ditën e bekuar të pavarësisë së Kosovës të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen dhe i përjetshëm qoftë kujtimi i atyre që dhanë jetën për këtë ditë”, shkroi Rama.

Në urimin e tij postuar në rrjete sociale, ai ka shtuar edhe një video me himnin e Kosovës.

Meta i shkruan letër Thaçit: Uroj të mbizotërojë uniteti për integrimin evropian

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka uruar homologun e tij në Kosovë, Hashim Thaçin për nderë të 12 vjetorit të pavarësisë.

Në urimin e tij, presidenti Meta ka shkruar se Kosova ka hyrë tashmë në dekadën e dytë të saj si shtet i pavarur dhe sovran, me një demokraci edhe më të gjallë e dinamike.

Kjo etapë e re e konsolidimit të shtetit të Kosovës jam i sigurt se do të shoqërohet me një hov të ri edhe në marrëdhëniet vëllazërore dhe bashkëpunimin ndërmjet nesh, në përçim të vlerave më të mira kombëtare dhe evropiane.

“Uroj që përpara sfidave të tjera aspak të lehta, në Kosovë të mbizotërojë uniteti përreth objektivit strategjik për integrimin evropian dhe euro-atlantik si dhe njohjen e mëtejshme në arenën ndërkombëtare”, ka shkruar Meta

error: Të drejtat e rezervuara !!