Beqiraj për gazetën ”Zëri”: Nuk festoi nëse i shënoj Kosovës

0

Fatos Beqiraj është njëri ndër futbollistët i cili ka arritur që nga futbolli i Kosovës të bëjë karrierë të bujshme.

Ish-futbollisti i Shqiponjës dhe Besës së Pejës në vitin 2008 u bë pjesë e Buduqnostit të Malit të Zi, ku më pas arriti të bëhet pjesë edhe e Përfaqësueses malazeze.

Futbollisti i cili aktivizohet si sulmues në qershor të këtij viti do ta ketë një sfidë shumë emocionuese.

Sulmuesi, i cili aktualisht luan në Izrael me Maccabi Netanyan, me Malin e Zi, më 7 qershor në Podgoricë do ta sfidojë Kosovën, Përfaqësuesen më të re në Evropë.

Gazeta “Zëri” e ka zhvilluar një intervistë me futbollistin nga Peja, i cili i ka rrëfyer emocionet e këtij takimi.

“Normalisht kjo ndeshje do të jetë jo sikur të gjitha ndeshjet tjera. Është kundër vendit tim, aty ku jam lindur dhe aty ku kam familjen. Nuk do të jetë ndeshje e lehtë as në aspektin emocional, por do ta shikoj në aspektin sportiv. Unë do të mundohem që ta jap më të mirën”, ka thënë Fatos Beqiraj për gazetën “Zëri”

Në raste të tilla shumë futbollistë bëjnë kërkesë që të mos luajnë kundër përfaqësueses së origjinës, por Beqiraj nuk e ka bërë një kërkesë të tillë për një arsye të fortë. “Jo, nuk kam bërë kërkesë pasi dua të jem korrekt edhe ndaj njerëzve që më kanë dhënë mundësinë nga fillimi. Nuk kam pasur ndonjë kontakt me Federatën malazeze. Nëse luaj, do ta jap maksimumin”, shtoi Fatos Beqiraj.

Në pyetjen se a pret që të aktivizohet ndaj Kosovës, Beqiraj deklaroi: “Nuk varet kjo prej meje. Varet prej trajnerit i cili do të vendosë nëse do të luajë me mua ose jo. Nëse më jepet mundësia do të luaj, jam pjesë e Kombëtares së Malit të Zi qe 11 vjet dhe shpresoj se do të luaj ndaj Kosovës”.

Nuk feston në rast se i shënon Kosovës

Fatos Beqiraj ndër të tjera zbulon se nëse do të shënojë gol nuk do të festojë. “Nuk do të festoj, nuk është e lehtë të luash ndaj vendit që je lindur dhe rritur. Do ta jap më të mirën e mundshme për ta fituar ndeshjen edhe pse nuk do të jetë e lehtë. Kosova ka treguar së fundmi që ka një skuadër të mirë dhe të talentuar, me një dëshirë të madhe. Kosova e ka merituar të jetë në eliminatore edhe më herët”, vlerësoi Fatos Beqiraj.

Me pranimin e Kosovës në UEFA dhe FIFA Beqiraj ka mundur që të luajë për Kosovën, por sipas tij ai nuk është kontaktuar nga zyrtarët e Federatës së Futbollit të Kosovës. “E kam sqaruar shumë herë. Mendoj që nuk ia vlen të diskutojmë për këtë. Nuk kam pasur kontakte me njerëzit e Federatës së Futbollit të Kosovës”, potencoi Beqiraj.

error: Të drejtat e rezervuara !!