Ngjarje e shënuar në historinë e re të Trieshit

0

Shkruan,  Gjokë  DUKAJ

Dita e sotme, 15 tetori, do të kujtohet, si njëra nga datat më të shënuara në historinë e re të Trieshit, të kësaj treve të lashtë dhe të lavdishme nëpër shekuj. Ishte kjo një ditë e cila, do të kujtohet, do të ruhet dhe përshkruhet nga gjeneratat e kohës për brezat që vijnë të cilëve busti i heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, do tu kujtoj jo vetëm dashamirësinë e njerëzve tonë për tokën e të parëve por edhe lashtësinë dhe lavdinë e kësaj treve e cila, me aq besnikëri, ka ruajtur traditën kombëtare duke e kultivuar atë në gjeneratat e ardhshme.

Oborri i shkollës nëntëvjeçare në Triesh, prej sot, shndritë përjetësisht nga busti i lirisë, lavdisë dhe krenarisë sonë kombëtare. Ishte kjo një ditë plotë kujtime nga e kaluara për nxënësit e shumtë, breza e gjenerata të ndryshme, të cilët brenda dyerve të kësaj shkolle mësuan shkrim-leximin, mësuan vargje dhe këngë për heronjtë dhe të kaluarën tonë. Dhe, pikërisht këtë ditë të bukur, takuam mësimdhënës dhe nxënës të gjeneratës së vet, të ndarë dekada më parë rrugëve të jetës dhe të fatit. Por, para së gjithash, ishte kjo dita për të përkujtuar ata që para diçka më tepër se 50 viteve të plota, të vetëdijshëm për figurën madhështore të Gjergj Kastriot Skënderbeut, insistuan që shkolla e këtushme të mbaj emrin e tij.

Ata, duhet kujtuar dhe shënuar në historikun e këtij truallit për dashamirësinë dhe largpamësinë e tyre, të trashëguar nga të parët dhe që në këtë mënyrë e kultivuan në brezat e ardhshëm. Në ato kohëra të egra të sistemit monist, bijtë e këtij trualli, të brumosur me ndjenjën e atdhedashurisë të trashëguar nga brezi në brez, patën guximin të këmbëngulin në kërkesën për vlerën e shenjtë kombëtare, të njohur anembanë globit, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Respektin më të thellë për ata të cilët vendosën gur-themelin e kësaj dite në vitin 1968, të shekullit të kaluar, emrat e të cilëve janë gdhendur në historinë e të ardhmes së kësaj treve. Ata të cilët, asokohe, kanë gëzuar duke na lënë në trashëgimi këtë vatër të dijes me emrin më të bukur të krenarisë sonë kombëtare.

error: Të drejtat e rezervuara !!