N. Nikprelaj: “Oj lulja e Malësisë” dhe ”Jem ilira, jem teuta”, ishin letërjoftimi im si këngëtar

0

Koha Javore interviste me këngëtarët Nikollë dhe Albin Nikprelaj

Nikollë Nikprelaj është një këngëtar me një karrierë të gjatë dhe të ndritur në fushën e artit muzikor. Ndër vite ka qenë dhe vazhdon të jetë këngëtar i admiruar nga të gjithë shqiptarët anekënd globit. Falë zërit të tij unik dhe interpretimit me mjeshtri dhe profesionalizëm po qëndron në skenë për më shumë se katër dekada me të njëjtin dinamizëm dhe përkushtim ndaj këngës. Ndër vite nëpërmjet këngës trajtoi tematika të larmishme të shoqërisë, duke u shpërblyer me çmime të larta. Ka qenë pjesëmarrës i qindra aktiviteteve kulturore, festivaleve dhe koncerteve të nivelit kombëtar brenda dhe jashtë vendit kudo jetojnë shqiptarët. Së fundi përkrah Nikollës, skenës së muzikës shqiptare iu bashkëngjit edhe djali i tij Albini të cilin e pret një karrierë premtuese. 

Koha Javore: Z. Nikprelaj, prej më shumë se 40- vjetësh zëri juaj jehon fuqishëm anekënd trojeve shqiptare por dhe në diasporë kudo që jetojnë shqiptarët, një zë unik që kurdoherë u mirëprit nëpër evenimente të ndryshme kulturore. Si e përshkruani këtë rrugëtim të suksesit tuaj gjatë këtyre dekadave dhe sfidat që keni hasur?

N. Nikprelaj: Ka qenë një rrugëtim i gjatë dhe i vështirë! Sado që e dua muzikën dhe sado që është pjesë e jetës sime, nuk e di a do të pranoja që përsëeri ta bëja të njëjtin udhëtim! Në përgjithësi kam patur më shumë pengesa sesa përkrahje. Siç e dimë të gjithë, kohët që lamë pas ishin shumë të vështira,  jo veç për artin! Mirëpo,  falë vullnetit, entuziazmit, por dhe talentit, asgjë nuk më ndaloi drejt realizimit të ëndrrës sime. Pohimi juaj që më duan shqiptarët gjithandej nuk është meritë vetëm e imja por edhe e melosit të paster si uji i Cemit që më fali Malësia ku unë u linda.

Koha Javore: Të qëndrosh gjithë këto vite në skenë me të njëjtin dinamizëm dhe admirim nga publiku, është diçka jo e lehtë, por sfiduese. Si arritët që kënga juaj të dëgjohet me shumë ëndje nga të gjithë shqipfolësit?

N. Nikprelaj: Që të ngjitesh në skenë nuk është edhe aq e vështirë, mirëpo e vështirë është të qëndrosh gjatë në të. Edhe muzika kërkon shumë punë, angazhim dhe sakrificë. Shprehia e punës nuk më ka munguar asnjëherë. Nuk është kryesorja talenti. Talenti duhet të zhvillohet me punë të madhe.

Koha Javore: Ndër vite me interpretimin tuaj trajtuat tematika të ndryshme të jetës. Cilat janë këngët që ju lartësuan më shumë dhe ju bënë ky qe jeni sot?

N. Nikprelaj: Janë dy këngë që unë i konsideroj si letërnjoftimin tim si këngëtar: “Oj lulja e Malësisë” dhe ,”Jem ilira, jem teuta”. I thashë të dyja bashkë sepse asnjëherë nuk mund ta përcaktoj se cila është më e rëndesishja për mua. .Janë edhe disa këngë të tjera ndër vite që kanë pasur mjaft sukses.

Koha Javore: Keni realizuar edhe disa bashkëpunime me këngëtarë të spikatur të estradës sonë. Cilat do t’i veçonit si bashkëpunimet më të suksesshme?

N. Nikprelaj: Edhe pse nuk shquhem për bashkëpunime, megjithatë kam disa bashkëpunime. Do t’i veçoja bashkëpunimet me: Ilir Shaqirin, Shkurte Fejzën, Shaqir Cervadikun, Remzije Osmanin, Afërdita Demakun, Paulin Trieshin etj.

Koha Javore: Për veprimtarinë Tuaj artistike me një repertor të pasur jeni shpërblyer me çmime të larta? Cilat janë çmimet që vlerësoni më shumë?

N. Nikprelaj: Kam disa çmime të larta por do të veçoja vetëm njërin nga ato. Dekoratën nga institucioni i Presidentit të Republikës së Kosovës z. Hashim Thaçi “Artist i Merituar”.  Siç e potencova edhe më lart, ky vlerësim vjen pas një sakrifice dhe pune shumëvjeçare.

Koha Javore: Z. Nikollë, përvec muzikës, jeni profesionist i kualifikuar në fushën e arteve pamore. Mendoni t’i kushtoni vëmendje kësaj veprimtarie apo muzika është ajo me të cilën do të merreni edhe në vazhdim?

N. Nikprelaj: Po. Jam i diplomuar në Akademinë e Arteve Figurative në Prishtinë në drejtimin Pikturë. Menjëherë pas përfundimit të studimeve kam punuar si mësimdhënës në shkollën e mesme në Tuz për katër vite rresht. Në shtepinë time kam një atelie pune ku herë pas here i kthehem pikturës, ndonëse me ndërprerje, pasi që muzika ma merr pothuajse gjithë hapësirën kohore.

Koha Javore: Z. Nikollë, përkrah jush, skenës së muzikës shqiptare i është bashkëngjitur edhe djali juaj, Albini, një i ri i cili premton shumë. Si e filloi Albini rrugën e muzikës?

N. Nikprelaj: Albini ka shumë talent për kengën. Unë atij i ofroj gjithë mundësinë time për mbështetje. Muziken nuk e ka të imponuar nga unë por ai vetë ka interesim për këte lloj arti.

Koha Javore: Albin, çfarë të motivoi që t’i hysh muzikës, ku e gjen inspirimin që të këndosh?

  1. Nikprelaj: Qëkur isha  fëmi, shikoja artistë të mrekullueshëm duke kënduar nëpër koncerte dhe festivale, të rrethuar nga fansa të përkushtuar. Kjo më motivoni të punoj që një ditë t’i arrij ose ndoshta t’i tejkaloj dhe që muzika ime të dëgjohet anembanë.

Koha Javore: Albin, babai juaj Nikolla padyshim që përveç një mësues i mirë për ty, duhet të jetë edhe një zë kritik. Cili është raporti Juaj në këtë aspekt?

  1. Nikprelaj: Babi im si pjesë e industrisë muzikore  ka shumë përvojë, duke qënë se ai e ka kaluar këtë rrugë që po përpiqem të bëj edhe unë. Më pëlqen kur më kritikon, sepse gjatë kritikës ai nuk ka filtër por të tregon punën siç duhet të bëhet dhe kjo për mendimin tim është një tipar shumë i rëndësishëm i një prindi ose mësuesi.

Koha Javore: Albin, bashkëpunimi me babin me këngën “Linda” është pritur jashtëzakonisht mirë nga publiku. Keni menduar që të realizoni ndonjë projekt tjetër të përbashkët apo do të vazhdosh të krijosh dhe të interpretosh vetëm?

  1. Nikprelaj: Tani për tani nuk kam plan që të bëj ndonjë bashkëpunim me babin, por dëshiroj që herës tjetër të krijoj këngë më afër stilit tim.
error: Të drejtat e rezervuara !!