Shtrëngim duarsh në të mirë të vendit

0

 Shkruan: Kristjan Gj. DUKAJ

Forcat politike kryesore tashmë kanë deklaruar marrëveshjen e arritur në prag të zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri. Kreu i Qeverisë, Edi Rama dhe lideri i opozitës, Lulzim Basha, më në fund, shtrënguan duart duke dëshmuar kështu arritjen e marrëveshjes, kurse detajet tjera do të publikohen më vonë.

Parësore ishte kjo që u arrit, pasi qytetarët shqiptar tashmë nuk janë në ankth se çfarë mund të ndodhë ditën e zgjedhjeve, më parë ose më vonë, për shkak të bojkotit opozitar të zgjedhjeve parlamentare. Pas, pothuajse, tre muaj proteste, negociata, shkresa e takime të shumta mes zyrtarëve vendas dhe atyre ndërkombëtar, u dëshmua edhe kësaj radhe fryti i partneritetit Shqiptaro- Amerikan, pasi zyrtari i lartë i Departamentit Amerikan të shtetit, Hoyt Brian Yee, vizitoi Tiranën, me qëllimin më të mirë për tejkalimin e krizës.

Ai, kërkoi nga ata që shkaktuan krizën politike që në afatin sa më të shkurtër të arrijnë marrëveshjen në të mirë të qytetarëve shqiptar dhe të vendit në përgjithësi. Pikërisht, ata janë fituesit më të mëdhenj nga marrëveshja e arritur, sidomos në kohën kurë vendi përballet me sfida të shumta, në rrugën e integrimit të shoqërisë shqiptare drejtë familjes së gjerë Evropiane, në kohën kurë shoqëria shqiptare, është duke përvetësuar standardet demokratike, me ndihmën e miqve të dëshmuar të kombit tonë, siç u vërtetua edhe kësaj radhe.

Nuk është momenti për detaje të gjithë asaj që i ka paraprirë marrëveshjes së arritur se ato tashmë janë të njohura, por të shpresojmë se marrëveshja e arritur do të jetë afatgjatë në të mirë të vendit, në periudhën pas zgjedhjeve parlamentare nga të cilat fitues duhet të dalin qytetarët shqiptar. Le të jetë kjo marrëveshje shembull edhe për subjektet politike shqiptare kudo që veprojnë, në hapësirën gjithë shqiptare, se vetëm përmes bashkëveprimit dhe marrëveshjeve të ngjashme mund të arrihen pikësynimet e dëshiruara.

error: Të drejtat e rezervuara !!