Hapet programi i dhënies së shtetësisë në këmbim të investimeve

0

Programi i Malit të Zi për dhënien e shtetësisë, në këmbim të investimeve në vend, është hapur për bizneset, duke u ofruar investitorëve mundësi të konsiderueshme në një treg rajonal që është duke lulëzuar, një pasaportë të fuqishme dhe mundësinë për të lëvizur pa viza në të gjithë zonën e Schengen-it.

Kompania e konsulencës Henley & Partners është një nga tre agjentët e marketingut të përzgjedhur nga qeveria për vënien në zbatim të këtij programi.
Sipas Juley Steffen, CEO i Henley & Partners, Programi i Malit të Zi për dhënien e shtetësisë në këmbim të investimeve në vend, paraqet një mundësi të jashtëzakonshme, si për popullin malazez, ashtu edhe për investitorët e ndryshëm në të gjithë botën. Mali i Zi është një nga perlat e Europës, një prej vendeve më mirë të ruajtura dhe që ofron bukuri përrallore të pakrahasueshme, me një industri të zhvilluar të turizmit dhe mbi të gjitha, është një vend që përmendet për mirëpritjen e ofruar nga banorët vendas.

Përvoja jonë në fushën e këshillimit, pasurive të patundshme dhe marketingut, na bën të jemi të sigurt se ky program do t’i tejkalojë të gjitha pritshmëritë. Nëse zbatohen dhe menaxhohen ashtu siç duhet, programe të tilla u ofrojnë vendeve që i zbatojnë ato, si në rastin e Malit të Zi, gjenerimin e sasive të mëdha të të ardhurave, gjë që ndikon në sigurimin e qëndrueshmërisë dhe rritjes ekonomike të mëtejshme të vendit.
Duke qenë edhe shtet anëtar i NATO-s, Mali i Zi është një prej kandidatëve më të mundshëm për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian dhe aktualisht është duke i përafruar politikat e tij me ato të BE-së, si pjesë e procesit standard të pranimit në këtë bllok. I renditur aktualisht në vendin e 46-të në Indeksin e Pasaportave të Henley, ky shtet ka të dhëna të admirueshme në drejtim të sigurisë në vend dhe një angazhim të fortë në drejtim të sundimit
të ligjit.

Banka Botërore e klasifikon Malin e Zi si një nga ekonomitë me zhvillim më të shpejtë të Ballkanit, ndërkohë që vendi po e rendit fuqishëm veten si një prej destinacioneve kryesore strategjike për disa prej industrive më të rëndësishme në botë. Programi i dhënies së shtetësisë në këmbim të investimeve në vend është i limituar në vetëm 2,000 aplikantë dhe u ofron individëve mundësi të ndryshme në drejtim të investimeve, duke përfshirë edhe një investim prej 450,000 eurosh, në projekte në zona të zhvilluara ose një investim prej 250,000 eurosh, në projekte në zona më pak të zhvilluara. Aplikantëve u kërkohet edhe të paguajnë një kontribut prej 100,000 eurosh për një aplikim, i cili shkon për një fond të veçantë për zhvillimin e zonave të pazhvilluara.

Për t’u kualifikuar në këtë program, aplikanti kryesor duhet të jetë mbi 18 vjeç, të përmbushë kushtet e vendosura të këtij aplikimi dhe të bëjë një investim cilësor në një projekt të miratuar nga qeveria. Për më tepër, aplikantëve u kërkohet të paguajnë një tarifë prej 15,000 eurosh për aplikant, nga 10,000 euro për secilin anëtar të familjes (deri në tre anëtarë) dhe nëse ky numër prej tre anëtarësh tejkalohet, atëherë ata do të paguajnë edhe 50,000 euro për secilin anëtar shtesë.

Pasi aplikimi fillon të verifikohet nga qeveria dhe nëse të gjitha kushtet e vendosura janë plotësuar me përpikëri, atëherë jepet edhe shtetësia.
Pasi fitohet, shtetësia malazeze u jepet edhe anëtarëve të familjes (fëmijët e marrin kur mbushin moshën 18 vjeç) dhe mund t’u trashëgohet edhe brezave të ardhshëm të po së njëjtës familje. Rade Ljumović, drejtor në Henley & Partners në Mal të Zi, u shpreh më tej se programi ka tërhequr vëmendjen e një numri të madh investitorësh dhe ne presim që kërkesa të jetë e lartë.

Henley & Partners e vlerësojnë shumë kujdesin me të cilin qeveria e Malit të Zi ka bërë përzgjedhjen e aplikantëve, duke i kushtuar rëndësi shumë të madhe së ardhmes së Malit të Zi, në mënyrë që ky vend të përftojë sa më shumë nga programe të tilla. Përvoja jonë e gjerë na ka treguar se, përveç përfitimeve ekonomike, aplikantët e suksesshëm u sjellin vendeve pritëse edhe përfitime jomateriale, si profesionalizmin e tyre dhe rrjetet e pasura globale. Ata krijojnë diversitet dhe mbi të gjitha, rrisin numrin e shërbimeve inovative në vendet ku shkojnë, gjë që shoqërohet edhe me krijimin e mundësive të reja për punësim dhe për sipërmarrje.

error: Të drejtat e rezervuara !!