U mbajtë mbledhja e radhës e dy Qeverive, pa Kryeministrat Rama-Haradinaj

0

Pas takimit në Pejë në nëntor të vitit të shkuar, mbledhja e dy qeverive Shqipëri-Kosovë ishte parashikuar të mbahej gjatë muajit maj në Shkodër.

Por ndryshe nga parashikimi, takimi koordinues mes dy qeverive u mbajt në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, ndërsa u vu re mungesa e dy kryeministrave Edi Rama dhe Ramush Haradinaj.

Zëvendëskryeministrat Fatmir Limaj dhe Erjon Braçe drejtuan mbledhjen koordinuese për të bërë bilancin e realizimit të marrëveshjeve të kaluara.

Gjatë këtij takimi Braçe theksoi se dy shtetet po punojnë për një treg të përbashkët, ndërsa e quajti sfidë të madhe menaxhimin e kufijve.

Erjon Braçe: Ne po punojmë fort drejt krijimit të zone të përbashkët ekonomike në rajon. Pika doganore e Republikës së Kosovës në portin e Durrësit ka qenë një ambicie e hershme e dy qeverive tona. Menaxhimi i kufijve është një çështje komplekse, gati-gati një sfidë më vete, por nëse bashkëpunojmë dhe bashkërendojmë punën nëpërmjet strukturave tona, sfida bëhet shumë herë më e menaxhueshme.

Homologu kosovar, Fatmir Limaj, u ka lënë ministrave përgjegjës edhe një muaj kohë për të përfunduar punimet dhe të nisin zbatimin e objektivave të përbashkëta.

Fatmir Limaj: Nga katër marrëveshje që kemi arritur në mbledhjen e dy qeverive në Pejë ka pasur një progres. Qershori duhet të jetë afati i fundit në implementimin dhe fillimin e zbatimit të marrëveshjeve të arriturra në Pejë.

Pas komunikimit me mediat, Limaj dhe Braçe kanë vijuar diskutimet me grupet e punës me dyer të mbyllura.

Në mbledhjen e Pejës janë nënshkruar 9 marrëveshje, por më kryesoret janë heqja e çmimeve roaming që nis nga 1 korriku, pika e përbashkët doganore, zonë e përbashkët ekonomike si dhe njohja e ndërsjelltë e patentave.

MARRËVESHJET

1. Nënshkrimi i marrëveshjeve për heqjen e çmimeve për shërbimin roaming.

2. Nënshkrimi i protokollit për kryerjen e veprimeve të përbashkëta të kontrollit doganor në pikën kufitare Morinë-Vernicë.

3. Nënshkrimi i marrëveshjes për bashkëpunim në fushën e borxhit publik, financimeve të huaja dhe marrëdhënieve me institucionet financiare ndërkombëtare.

error: Të drejtat e rezervuara !!