Gove: 88 mln ballkanas do vërshojnë nëse nuk dalim nga BE (Video)

0

“Miliona vetë mund të vërshojnë në Britani përgjatë 15 viteve të ardhshme nëse nuk dalim tani nga BE-ja”.

Ministri i Drejtësisë, Michael Gove, një nga figurat më të zëshme kundër qëndrimit të Anglisë në bllokun europian, e përmend sërish vendin tonë në argumentet e tij, duke iu referuar këtë radhë si aspirant për anëtarësim.

“Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe Turqia po kërkojnë që të gjitha të bëhen pjesë e Bashkimit Europian”, kujtoi Gove, e nëse kjo ndodh, vijoi ai, “88 milionë personave shtesë do t’iu jepet e drejta të jetojnë e punojnë në Britani”.

Trysnia mbi popullatën dhe shërbimet publike të vendit ka për të qenë gjigande, shtoi ai. Nëse votohet per qëndrim, nuk do të thotë se gjërat do të mbeten kështu siç janë tani, përkundrazi.“Një votë e tillë do të thotë më shumë Europë, më shumë pushtet në duart e Brukselit, më shumë emigracion dhe më shumë para të taksapaguesve britanikë që financojnë ekspansionin e Europës”, vazhdoi ministri.

Presidenti i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker ka përjashtuar çdo mundësi zgjerimi përpara 2019-s, çka lë të kuptohet se 5 vendet kandidate do të mund të aderohen duke nisur nga 2020-a.Brukseli së fundmi përshpejtoi dhe bisedimet e anëtarësimit me Turqinë në këmbim të ndihmës së Ankarasë për menaxhimin e krizës së papreçedentë të emigrantëve.

/ Top Channel /

error: Të drejtat e rezervuara !!