Anton Gojçaj: Botim kapital me elemente enciklopedike

0

BOTIM KAPITAL ME ELEMENTE ENCIKLOPEDIKE

(Monografia e Argjipeshkvisë së Tivarit, grup autorësh, botoi: Argjipeshkvia e Tivarit, Tivar 2017)

Libri bën prezantimin e dekanatëve dhe famullive të dioqezës dhe është rezultat i punës ekipore të famullitarëve të Argjipeshkvisë, ku secili prej tyre e ka hartuar shkrimin mbi famullinë e vet, që si e tillë provokon ta quajmë “auto-monografi”. 

Anton Gojçaj

Argjipeshkvia e Tivarit është institucioni më i vjetër ende funksional në territorin e shtetit të sotëm të Malit të Zi. Monografia në fjalë nuk është e para që i kushtohet kësaj argjipeshkvie, por është gjithsesi më autentikja dhe – institucionale.

Libri bën prezantimin e dekanatëve dhe famullive të dioqezës dhe është rezultat i punës ekipore të famullitarëve të Argjipeshkvisë, ku secili prej tyre e ka hartuar shkrimin mbi famullinë e vet, që si e tillë provokon ta quajmë “auto-monografi”.  

Libri hapet me artikullin e Imzot Zef Gashi, një sintezë historike e thuktë e Argjipeshkvisë së Tivarit, për të vazhduar me regjistrin  e argjipeshkvinjve, e më pastaj me portretet (me tekst dhe figurë) të argjipeshkvinjve nga viti 1855 e deri më sot.

Autorët nuk janë shkencëtarë me vokacion dhe vërehen aty-këtu inkonsekuenca metodologjike, sidomos në diskursin (disa të paktë respektojnë kriteret shkencore, japin referencat, shënimet për  burimet dhe për literaturën – dallohen sidomos artikujt e don Nosh Gjolajt, pastaj të dom Fran Markiqit,  Ivan S. Vukçeviqit, fra Mirash Marinajt, m. Estera Radiçeviqit, Pater Pashko Gojçajt tj., kurse autorët/famullitarët e tjerë kanë hartuar artikuj të karakterit kryesisht informativ mbi gjendjen aktuale dhe historikun e famullive veç e veç, si dhe për objektet kishtare që gjenden aty, duke sjellë të dhëna statistikore dhe të kronotaksës, si njëfarë skematizimi i kishës katolike në këtë trevë), si psh.  dom Simon Filipaj II, P. Fran Dushaj, dom Simo Lulaj.

Në  aspektin e gjuhës disa artikuj janë hartuar gegnisht, e disa të tjerë në gjuhën standarde..

Vlerë e veçantë e këtij libri është kujdesi që tegojnë autorët në raport me atë që thonë, të bazuarit në fakte të thata dhe të verifikueshme – e jo për të kënaqur, pa argumente shkencore, pritjet e dëshirueshme të cilësdo ideologji.

Botimi në radhë të parë ka rëndësi për historinë e kishës, mirëpo, megjithëse ka ndonjë përpjekje për të trajtuar edhe fillimet e krishterimit në këtë trevë, dominojnë informacione për dy-tre shekujt e fundit. Fokusimi në shtresën pastorale e kishtare, megjithatë, nuk e shlyen tërësisht rëndësinë e shtresave të tjera : kulturore-botuese, historike, demografike, linguistike, sociale, politike etj. Monografia ka elemente  të një enciklopedie sui generis.

Përshtypjen e leximit e dëmton fakti se në libër ka tepër shumë gabime teknike, drejtshkrimore dhe të tjera, që me një redaktim më serioz gjuhësor kanë mundur – dhe është dashur – të evitohen. Sepse bëhet fjalë për një projekt me të vërtetë kapital, pas të cilit rri një institucion mijëvjeçar, me peshë të madhe historike e kulturore – Argjipeshkvia e Tivarit.

Libri ka rreth 550 faqe dhe është i ilustruar me shumë fotografi, të kishave të vjetra e të reja të Argjipeshkvisë, si dhe të meshtarëve, motrave rregulltare dhe argjipeshkvinjve që përfaqësuan dhe përfaqësojnë kishën e gjallë në këtë dioqezë.

error: Të drejtat e rezervuara !!