Ceremonia presidenciale e Thaçit. Ftohen krerët e shteteve të Ballkanit

0

Të gjitha përgatitjet e organizimit të ceremonisë së pranim-dorëzimit  të detyrës së Presidentit të ri të Kosovës, nga Presidentja në largim, Atifete Jahjaga, te Presidenti i zgjedhur, Hashim Thaçi, kanë përfunduar.

Abelard Tahiri, këshilltar i presidentit të zgjedhur ka konfirmuar për Top Channel se, pas betimit solemn të Presidentit Thaçi dhe pas marrjes zyrtare të detyrës, do të ketë edhe ceremoni në sheshin “Skënderbej” në Prishtinë, ku janë ftuar edhe presidentët e vendeve të rajonit.

“Tashmë kemi një vendim nga Kryesia dhe kryetari i Kuvendit, që më 7 prill të organizojmë një seancë solemne, gjatë së cilës do të ndodhë betimi i presidentit të zgjedhur. Pas kësaj ceremonie, do të kemi menjëherë pranim-dorëzimin mes Presidentit Thaçi dhe Presidentes Jahjaga. Ndërsa të nesërmen e 8 prillit janë ftuar të gjithë presidentët e rajonit, duke përfshirë këtu edhe Presidentin e Serbisë, si dhe 4 anëtarët e Presidencës së Bosnjës, që të marrin pjesë në këtë ceremoni”, tha Abelard Tahiri, këshilltar i presidentit të zgjedhur.

Tahiri ka thënë se, në ceremoninë e Presidentit Thaçi në shesh do të jenë të ftuar përfaqësuesit e të gjitha institucioneve të Kosovës, por edhe personalitete të tjera nga jeta publike, brenda dhe jashtë vendit.

Kjo është hera e parë që pas luftës, që një President i Kosovës përfundon mandatin kushtetues pesëvjeçar dhe ia dorëzon mandatin presidentit të zgjedhur, pasi Presidenti i parë i Kosovës, Ibrahim Rugova ndërroi jetë gjatë mandatit, ndërsa presidentët Fatmir Sejdiu e Behgjet Pacolli janë dorëhequr pa e përfunduar mandatin, për shkak të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese./ Top Channel/

error: Të drejtat e rezervuara !!