Duka: “Arenën Kombëtare” gati në fund të 2018 (Video)

0

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka i shoqëruar edhe nga arkitekti Marco Casamonti bënë inspektimin e punimeve në “Arenën Kombëtare”.

Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar theksoi se ky është investimi më i rëndësishëm i bërë në këtë sport dhe se “Arena Kombëtare” do të jetë gati në fund të vitit 2018.

“Është investimi më i madh sportiv i bërë ndonjëherë në Shqipëri. Punimet po ecin sipas parashikimeve. Cilësia e tyre ëshë e një niveli të lartë dhe çdo punim ka shkuar sipas grafikut dhe do të përfundojë në fund të 2018”, tha kreu i FSHF-së, Armand Duka.

Duka theksoi se me përfundimin e punimeve, “Arena Kombëtare” do t’i japë një tjetër mundësi Shqipërisë në garën për të pritur finalen e Superkupës së Europës në të ardhmen.

“Ishim të ndërgjegjshëm që ishte një garë e vështirë sepse ishim i vetmi vend që konkuronim me një projekt dhe jo një stadium të mbaruar. Por kjo, shpresoj që të na ketë dhënë mundësi më të mëdha pasi stadiumi të ketë mbaruar, pra për finalen e 2020”, deklaroi kreu i FSHF-së.

Ndërsa për arkitektin italian të stadiumit, Marco Casamonti, “Arena Kombëtare” është më shumë se një stadium, është një vend ku njerëzit takohen për të kaluar kohën e lirë.

“Arena Kombëtare nuk është vetëm një stadium futbnolli, por një ndërtesë urbane. Unë e konsideroj si një vend  në pararojë që mbledh njerëzit. Nuk është vendi i futbollit, por ai ku futbolli do të shihet si një fenomen social, që i takon njerëzit dhe që i bën të jetojnë më mirë. Është vendi që i bën njerëzit të mendojnë se koha e lirë është e rëndësishme në jetë”, thotë ai.

Marco Casamonti theksoi se në impiantin e ri të “Arenës Kombëtare”, të cilin e përkufizoi si një lloj teatri do të ketë edhe shërbime dhe aktivitete të tjera si palestra e dyqane.