Hiqet detyrimi për leje pune për shqiptarët nga Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut

0

Një udhëzim i Ministrisë së Financave të Shqipërisë u jep mundësinë shqiptarëve të Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut të punësohen në Shqipëri pa pasur nevojë për leje pune.

Udhëzimi, i publikuar tashmë në Fletoren Zyrtare, përjashton nga detyrimi për pajisje me leje pune dhe certifikatë regjistrimi në punë për shtetasit e Malit të Zi dhe të Maqedonisë së Veriut të përkatësisë etnike shqiptare.

Tashmë këta shtetas, ose punëdhënësi i tyre, të cilët bëjnë deklarimin për punësimin e tyre, në zyrën përkatëse të punësimit, do të pajisen me dokumente që vërteton deklarimin e tyre për punësim.

Çdo shqiptar i Maqedonisë së Veriut, apo Malit të Zi duhet thjesht të paraqesë dokumentacionin që vërteton të dhënat e kërkuara në formatin e vërtetimit të deklarimit për punësim. Zyrtari përkatës verifikon të dhënat bazuar në dokumentacionin e paraqitur dhe mban një kopje të tyre.

Pajisja e tyre me vërtetimin e deklarimit për punësim, do të bëhet nga zyra përkatëse e punësimit ku personi ushtron aktivitetin e tij, në një afat kohor prej 5 ditë pune që nga dita e dorëzimit, thekson udhëzimi./ Malësia.ME/

error: Të drejtat e rezervuara !!