Brajoviq vizit në Maqedoni, pritet nga Talat Xhaferi

0

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi sot e priti kryetarin e Kuvendit të Malit të Zi, Ivan Brajoviq i cili është në vizitë të parë zyrtare në Republikën e Maqedonisë e njëkohësisht edhe kryetar i parë i Kuvendit malazez pas shpalljes së pavarësisë së Malit të Zi në vitin 2006 i cili e ka vizituar Maqedoninë.

Në fjalën e tij hyrëse, Xhaferi, siç njofton Kabineti i tij, ka përmendur se edhe vizita e tij e parë zyrtare në cilësinë e kryetarit të shtëpisë ligjvënëse ka qenë pikërisht në Malin e Zi dhe ky është argument i cili vërteton se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve janë miqësore dhe të sinqerta, pa çështje të hapura a me prioritete të njëjta strategjike dhe të politikës së jashtme.

Në takim, Xhaferi e informoi Brajoviqin për fazat e përfunduara me sukses të obligimeve të ndërmarra me Marrëveshjen e Prespës, gjegjësisht rrumbullakimin me miratimin e ndryshimeve kushtetuese dhe pritjet se procesi do të përfundohet me sukses edhe në anën greke, me çka do të hapet rruga për integrimin tonë euroatlantik.

Brajoviq, shtohet në kumtesë e falënderoi për pritjen e ngrohtë dhe të sinqertë që e ndjen në çdo hap dhe theksoi se Mali i Zi, si edhe deri tani, edhe prej tani e tutje do të vazhdojë të jetë mbështetës i fuqishëm i Republikës së Maqedonisë në përpjekjet e saj të bëhet anëtare e plotfuqishme e NATO-s dhe BE-së. Duke e marrë parasysh se Mali i Zi është anëtar i plotfuqishëm i NATO-s prej vitit 2017, ka përvojë dhe ekspertizë që ia vë në dispozicion Maqedonisë, i ndjen përfitimet në planin ekonomik për vendin e vet pas aderimit në NATO dhe sinqerisht e pret ditën kur do të mund ta mirëpresë Republikën e Maqedonisë Veriore si anëtare e tridhjetë e aleancës së NATO-s.

Ndërsa Xhaferi, e falënderoi për mbështetjen e deritanishme dhe u pajtua se bashkëpunimi i ndërsjellë parlamentar duhet të përqendrohet pikërisht në këmbimin e përvojave dhe në konsultime në drejtim të harmonizimit të legjislacionit, duke e marrë parasysh atë se Mali i Zi pritet të bëhet vendi i ardhshëm i cili do të aderojë në BE. Përveç kësaj, ai tha se në periudhën që vijon, do të punohet më shumë edhe në përforcimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve, për arsye se ka potencial enorm a i pashfrytëzuar.

Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan për rëndësinë e bashkëpunimit rajonal për stabilitetin, prosperitetin dhe zhvillimin e rajonit, dhe se të dyja palët duhet të punojnë bashkë në përforcimin dhe thellimin e këtij bashkëpunimi në të gjitha fushat.

error: Të drejtat e rezervuara !!