Rama i delegon kompetencat e Ministrit të Jashtëm Gent Cakaj

0

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, një ditë pas betimit në postin e ministrit të Jashtëm ia delegoi detyrën e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, zv/ministrit Gent Cakaj.

Presidenti Meta dje dekretoi Ramën si ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, por kryeministri sot ia delegoi këtë detyrë 28 vjeçarit nga Kosova Gent Cakajt.

Rama e mori dje vet drejtimin e Ministrisë së Jashtme, pasi Presidenti Meta refuzoi që ta dekretonte Cakaj si kryediplomat, gjë që solli edhe një përplasje mes tyre, arsye për të cilën kryeministri ka deklaruar se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.

Cakaj flet si kryediplomat: Politika e jashtme s’do ndryshojë, 5 muajt e ardhshëm punë pa orar

Pas delegimit të detyrës, Gent Cakaj ka mbajtur fjalimin e parë si ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, në ceremoninë e zhvilluar në ambientet e Ministrisë së Jashtme.

Cakaj tha se politika e jashtme e Shqipërisë nën drejtimin e tij nuk do ndryshojë.

Objektivat e MEPJ, tha Cakaj, janë çelja e negociatave me BE në qershor, kryesimi i OSBE si dhe pjesëmarrja në Këshillin e Sigurimit.5 muajt e ardhshëm, tha ai, do jetë punë pa orar.

“Ndjehem më i lehtësuar sepse më është komunikuar detyra e lartë. Me kompetenca të deleguara nga Edi Rama, nën vëzhgimin e tij është një status i garantuar. Mosha e re është burim energjie. Pavarësisht sfidave të mëdha Shqipëria qëndron në kuotën më të lartë të përfaqësimit diplomatik. Shqipëria qëndron më afër se kurrë për hapjen e negociatave. Jemi në fazën e pakthyeshme për të kurorëzuar kryesimin e OSBE-së për vitin që vjen. Nuk di si ta falënderoj Ramën për besimin që më ka dhënë”, tha ai.

“Do të vazhdojmë me energji të reja dhe qasje pro-aktive. Do të mbetemi forcë e paqes dhe stabilitetit. Bartëse e ideve të zhvillimit në mes të mjeteve të dialogut dhe bashkëpunimit me fqinjët. Duam të rrisim komunikimin me faktorin shqiptar.do të jemi sa më afër tyre. Rruga e Shqipërisë për në familjen evropiane kalon në procesin e konsolidimit në rajon. Shqipëria duhet të jetë e angazhuar për të realizuar këtë synim. 5 muajt e ardhshëm do të jenë punë pa orar”, tha Cakaj.

error: Të drejtat e rezervuara !!