Fillim i mbarë i Kryetarit Gjeloshaj

0

Shkruan, mr.Kristjan DUKAJ

“Në nadje shihet si do jetë dita”, është thënë moti në këto hapësira. Sa domethënëse dhe kuptimplotë kjo thënie e moçme e cila do të mund të trajtohej në punime të ngjeshura nga ekspertë të shquar në fusha të ndryshme.

Ngjashëm, thënia “Fillim i mbarë”! Kështu mund të përshkruhet fillimfjala e kryetarit të posazgjedhur të Komunës së Tuzit, z.Nik Gjeloshaj, në mbledhjen e Kuvendit vendor, ku u zgjodh njeriu i parë i komunës. Duartrokitjet e gjata pas numrimit të votave të këshilltarëve, dëshmuan vullnetin e të pranishmëve për zgjedhjen e Gjeloshajt në krye të pushtetit lokal. Po ashtu, edhe një detaj tjetër duhet veçuar nga zgjedhja e kryetarit të komunës, respektivisht deklarimin e përfaqësuesve të gjitha listave partiake të përfaqësuara në parlament, se edhe pse nuk do të votojnë për, nuk u deklaruan as kundër propozimeve nga koalicioni Forumit shqiptar.

Ashtu siç paralajmëroi edhe kryetari i posazgjedhur, Gjeloshaj, për një funksionim të mbarë të pushtetit vendor, është i nevojshëm bashkëpunimi me strukturat ekzistues që përmes angazhimit konstruktiv të gjinden zgjidhjet e duhura për qytetarët. Në arsyetimin e kandidaturës së Gjeloshajt, u tha se ai ka një veprimtari të bujshme që nga mosha e re në veprimtari të shumta studentore dhe më vonë në angazhime të mirëfillta publike në vijën e asaj që, sot, është realitet që banorët e Malësisë të gëzojnë vetëqeverisjen e plotë lokale. Në këtë kontekst, kryetari i posazgjedhur, falënderoi të gjithë ata individ, struktura politike dhe shoqata joqeveritare, intelektual dhe verpimtarë të shumtë, që vite me radhë nuk kanë reshtur në angazhimet e veta për të jetësuar idenë e komunës së plotë, si e drejtë elementare për organizimine jetës së banorëve dhe realizimin e interersave të tyre parësore. Gjeloshaj, me këtë rast në veçanti, falënderoi bashkëvendësit tonë që jetojnë në mërgim për kontributin e dhënë në vazhdimësi në realizimin e kërkesës për komunë të plotë dhe që sot, bashkërisht, të përjetojmë këtë ngjarje historike të konstituimit të pushtetit të plotë vendor, me kompetenca dhe përjegjësi të plota. Një detaj tjetër, që në kohën e sotme të komunikimit masiv është i një rëndësie të veçantë, është edhe intersimi i madh e mediave, sidomos, që nga dita e mabjtjes së zgjedhjeve dhe gjithnjë deri me konstituimin e Parlamentit dhe zgjedhjen e dy posteve kryesore të pushtetit vendor. Madje, edh para zgjedhjes së kreut të pushtetit vendor, media të shumta, kanë rezervuar hapësirë të konsiderueshme në faqet apo emsionet e veta për rezultatet e arritura Forumit Shqiptar, mundësitë e formimit të shumicës së nevojshme parlamentare, kolaicionet e mundshme e kështu me radhë. Mirëpo, pasi koalicioni fitues ka në radhët e veta përfaqësues me përvojë në fusha të ndryshme si dhe në bashkëpunim me media, e kanë dëshmuar edhe në këtë fushë gatishmërinë dhe vullnetin për transparencë në punën dhe veprimtarinë publike që i pretë. Qytetarët e Malësisë, janë në pritje të instalimit të plotë të pushtetit vendor dhe organeve përkatëse për të funksionuar sa më parë me të gjiha kompetencat dhe obligimet ndaj banorëve vendas, pasi edhe nevojat e tyre janë shumë të mëdha.

Urojmë që i gjithë ky proces të realizohet me sukses, me zgjidhje adekuate në fusha të ndryshme në të mirën e banorëve dhe duke kultivuar vlerat e njohura në trevën e Tuzit dhe të Malësisë, drejtë arritjes së pikësynimeve të paralajmëruara nga vetë Gjeloshaj se “Komuna e Tuzit do të jetë shembull për komunat tjera”!

error: Të drejtat e rezervuara !!